MENU
klinika

Raporti: Fierza, nën mesataren e 30 viteve

Energjia, ERE ”vulos” keqmanaxhimin

04.04.2022 - 19:10

Pavarësisht se prodhimi i energjisë elektrike gjatë vitit 2021 rezultoi 47.5% më i lartë se mesatarja e prodhimit në 13 vitet e fundit, ndërsa prurjet mesatare në kaskadë, gjatë janarit arritën 1,271 m3/s, më të lartat të regjistruara që nga viti 1990, qeveria shqiptare në muajin tetor shpalli emergjencën e furnizimit me energji elektrike. Vendimi i u argumentua me rritjen e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare, duke qenë se OSHEE po importonte energji, pasi prodhimi vendas nuk plotësonte nevojat konsumatore.

Por, të dhënat zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë mbi situatën në Kaskadën e lumit Drin, flasin për situatën tejet të favorshme në pjesën e parë të vitit dhe përmbysjen e shpejtë të treguesve brenda pak muajsh, duke theksuar rëndësinë që ka planifikimi i prodhimit dhe ruajtjes së rezervës energjetike, si një garanci për sigurinë energjetike të vendit. TV SCAN ka siguruar raportin e papublikuar ende të Entit Rregullator të Energjisë, sipas të cilit deri në muajin maj 2021, niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka qënë afërsisht në vlerat maksimale historike.

Por, për një periudhë 5-mujore, nga qershori deri në tetor rezulton në ulje të vazhdueshme, duke e çuar nivelin në 6-mujorin e dytë të vitit nën nivelin mesatar të 30 viteve të fundit. Sipas dokumentit, “mesatarja shumëvjeçare e nivelit të ujit në liqenin e Fierzës është një tregues kryesor në planifikimin e prodhimit të energjisë elektrike në kaskadën e Lumit Drin”. Paralelisht, ERE evidenton se rezerva energjetike në fundin e muajit maj 2021 ka rezultuar në nivelin maksimal prej 1520 GWh dhe në fund të muajt gusht kjo rezervë energjitike ka shkuar në 628 GWh, çka sipas raportit ka shënuar një rënie të ndjeshme dhe të shpejtë.

“Ruajtja dhe menaxhimi i duhur i rezervës hidrike në kaskadën e lumit Drin është një garanci e shtuar për sigurinë energjitike të vendit tone”,-theksohet në raportin e Entit Rregulaltor të Energjisë. Kjo rënie e rezervës, por edhe e nivelit të liqenit të Fierzës ekspozuan vendin ndaj importeve të energjisë, që për shkak të çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare i kushtuan financave publike miliona euro. Blerjet e energjisë filluan në muajin qershor, ndërkohë që sipas përllogaritjeve të TV SCAN në total për importin e energjisë gjatë vitit 2021 u shpenzuan rreth 285.5 mln euro. Çmimi mesatar i ponderuar, me të cilin u siguara energjia në vitin 2021 sipas ERE është 205.1 euro/mwh./ Scan

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN