Plot mesazhe të forta ka qenë fjalimi i presidentit ukrainas, Zelensky përmes një videomesazhi gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve në Grammy 2022
Nga një bunker në Kiev Zelensky iu kërkoi artistëve më të mëdhenj në botë që të ngrenë zërin kundër sulmit të pamëshirshëm të Rusisë.
Udhëheqësi ukrainas vazhdoi përpjekjet për të mbledhur mbështetje për vendin e tij, ndërsa u shfaq në një video që thuhet se ishte filmuar në 48 orët para ceremonisë.
Në fjalimet e transmetuara në ndarjen e 64-të të çmimeve Grammy, disa orë pasi Rusia u akuzua për masakrën e shumë civilëve në periferi të Kievit, Zelensky tha se lufta është “e kundërta e muzikës”, duke shtuar se fëmijët ukrainas vizatojnë “raketa fluturuese, jo yje”.
Presidenti tha se 153 fëmijë kishin vdekur që nga fillimi i konfliktit në 24 shkurt, përpara se të krijonte një kontrast të fortë midis të famshmëve të mbledhur në Las Vegas dhe muzikantëve në Ukrainë që mbronin vendin e tyre, raporton The Times. “Muzikantët tanë veshin jelekë antiplumb në vend të tuxedos,” tha ai. “Ata u këndojnë të plagosurve në spitale – madje edhe atyre që nuk i dëgjojnë. Por muzika do të depërtojë gjithsesi. Ne mbrojmë lirinë tonë për të jetuar.
“Në tokën tonë, ne po luftojmë Rusinë, e cila sjell heshtje të tmerrshme me bombat e saj, heshtjen e vdekur. Plotësoni heshtjen me muzikën tuaj. Plotësoni atë sot për të treguar historinë tonë. Tregoni të vërtetën për këtë luftë në rrjetet tuaja sociale, në TV.
“Na përkrahni në çdo mënyrë që mundeni, por jo me heshtje. Dhe atëherë paqja do të vijë në të gjitha qytetet tona që lufta po shkatërron, Chernihiv, Kharkiv, Volnovakha, Mariupol. Ata qytete janë tashmë legjenda, por unë kam një ëndërr që ata të jetojnë të lirë, si ju në skenën e Grammy-t.”, tha ai. Fjalimi i Zelenskyt u pasua nga një performancë e Free nga John Legend, të cilit iu bashkua në skenë Mika Newton, një këngëtare ukrainase dhe Lyuba Yakimchuk, një poete ukrainase. Performanca mori ovacione nga salla e mbushur me yje në Garden Arena në Las Vegas.