MENU
klinika

Prodhuesit: Do të duhen muaj për të…

Gripi i shpendëve dhe lufta në Ukrainë rrisin çmimin e vezëve

14.04.2022 - 12:52

Shpërthimet e gripit të shpendëve në Shtetet e Bashkuara dhe Francë po shtrëngojnë furnizimet globale të vezëve dhe po rrisin çmimet e tyre ndërkohë që Ukraina ka ndërprerë dërgesat në Evropë dhe Lindjen e Mesme.

Çmimet më të larta janë veçanërisht të dhimbshme për konsumatorët që mbështeten te vezët si një burim me kosto të ulët të proteinave dhe zëvendësues për mishin më të shtrenjtë.

Gripi i shpendëve ka zhdukur më shumë se 19 milionë pula në fermat komerciale të SHBA-së këtë vit në shpërthimin më të keq që nga viti 2015.

Ndërkohë, Franca po vuan shpërthimin e saj më të keq ndonjëherë, në të cilin rreth 8 për qind e pulave që bëjnë vezë janë asgjësuar.

Kur shpendët infektohen, tufa të tëra shkatërrohen për të frenuar sëmundjen, e cila shpesh përhapet nga zogjtë e egër.

Virusi vdekjeprurës dhe lufta në Ukrainë janë sfidat më të fundit për furnizuesit e vezëve që po përballen gjithashtu me mungesën e fuqisë punëtore dhe kostot e larta për energjinë dhe drithin e përdorur për ushqimin e kafshëve.

Çmimet botërore të ushqimeve u rritën me gati 13 për qind në mars, duke arritur një rekord të ri, pasi lufta në Ukrainë, një eksportues i madh i grurit dhe misrit, rriti çmimet e grurit, tha agjencia e ushqimit e OKB-së.

Çmimet e vezëve pritet të qëndrojnë të larta, thanë prodhuesit, pasi do të duhen muaj për të rifilluar operacionet në fermat e infektuara.

Infeksionet gjithashtu pengojnë punën në objektet që përpunojnë vezët në produkte si vezët e thata dhe vezët e lëngshme të përdorura në artikujt ushqimorë si përzierjet e ëmbëlsirave.

“Industria e produkteve është në një panik të përgjithshëm,” tha Marcus Rust, shefi ekzekutiv i Rose Acre Farms, prodhuesi i dytë më i madh i vezëve në SHBA.

Virusi H5N8 është virus vdekjeprurës për shpendët në ferma dhe shpendët e egra. Në vitin 2021, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shtatë punëtorë të një ferme u infektuan në Rusi me këtë virus.Ky virus është duke qarkulluar në fermat në vende të ndryshme të Evropës që nga viti 2014.

Sipas OBSH-së, infektimi me këtë virus i njerëzve konsiderohet shumë i ulët. Personat e infektuar duhet të mbikëqyren minimum dhjetë ditë, për të kontrolluar simptomat./REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN