Tifozët “azzurrë” së fundmi, menjëherë pas lajmit se FIFA mund të përjashtojë Iranin, nisën të ëndërronin për një shans të dytë, për një mundësi sado të vogël për të shkuar në Katar.
Mediat italiane kanë sjellë për të gjithë tifozët skenarët e mundshëm, më saktë janë përpjekur të zbardhin situatën. Për hir të së vërtetës shanset janë thuajse minimale, e para.
Mundësia që FIFA të dënojë Iranin në këtë formë, me një vendim kaq drastik, përjashtimin nga Katar, janë shumë të vogla. E dyta dhe më e rëndësishme, edhe në këtë rast ekstrem, pra nëse dënohet Irani, zgjedhja më logjike është që ta zëvendësojë po një përfaqësuese nga Azia.
Po cili është skenari i vetëm, njëkohësisht edhe më i vështiri, që Italia të shkojë në Botëror? Kjo mund të ndodh vetëm nëse FIFA përzgjedh një përfaqësuese nga Evropa, ose nëse i referohen renditjes së fundit.
Në këtë rast, Italia do të përfitonte e para pasi është e 6 në renditjen e FIFA-s, ndërsa 5 përfaqësueset e tjera përpara tyre, Brazili, Belgjika, Franca, Argjentina dhe Anglia, të gjithë e kanë siguruar një biletë për në Botëror.