MENU
klinika

Serie A, Java 33

Juventus shmang humbjen, por lamtumirë titull

16.04.2022 - 20:27

Juventus nuk fiton sërish fushën e vet pas humbjes me Inter. Bardhezinjtë nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 në “Allianz Stadium”, ndaj Bolognas. “Zonja e Vjetër” i thotë lamtumirë titullin dhe më shumë duhet të shohë për të mbrojtur vendin e katërt.

Ka pasur tension dhe polemika kjo sfidë pa fitues, që Bologna e mbylli me 9 lojtarë. 45 minutat e para përballë Bolognas përfundojnë në barazim të bardhë 0-0. Juventusi nuk bën asnjë goditje në kuadrat, por krijon tre raste të rrezikshme me Vlahovic, Dybala dhe Danilo.

Miqtë nisin më mirë pjesën e sytë dhe i afrohen golit me Arnautovic, por gjuajtja e tij kalon ngjitur me shtyllën. Marko Arnautovic shokon tifozët e pranishëm në “Allianz”. Sulmuesi austriak driblon Szczesny dhe dërgon topin në rrjetë, duke kaluar në avantazh Bolognan.

Juventusi mundohet të reagojë, por Skorupski devijon në korne gjuajtjen e De Sciglio. Bardhezinjtë rrisin presionin dhe i afrohen golit me Danilon, por gjuajtja e tij përfundon në shtyllë. Provon edhe De Ligt, por Skorupski grushton gjuajtjen e tij. Juventusi hidhet në sulm në kërkim të golit të barazimit.

Cuadrado godet traversën me portën bosh, por bardhezinjtë pretendojnë 11 metërsh për një ndërhyrje në dëm të Moratas. Ndërhyn VAR dhe gjyqtari Sacchi pasi risheh pamjet nuk akordon penallti, por goditje jashtë zone dhe karton të kuq për Soumaoro. Bologna proteston dhe Medel ndëshkohet me të kuq dhe lë miqtë me 9 lojtarë.

Me 2 lojtarë më shumë në fushë, Juventusi hidhet në sulm në kërkim të golit. Akordohen 8 minuta shtesë dhe pas disa përpjekjeve, Vlahovic arrin të barazojë shifrat në 1-1. Duhet të luhen edhe 4 minuta deri në përfundim të sfidës dhe Juventusi hidhet në sulm në kërkim të fitores, por djemtë e Allegrit nuk arrijnë që të shënojnë edhe golin e dytë.