MENU
klinika

Nga Artur Ajazi

Krimi, “të fortët” dhe policia…

14.04.2022 - 12:57

Eshtë fakt, se krimi ka rritje, ashtu siç është fakt i padiskutueshëm që është rritur edhe forca goditëse e strukturave ligjzbatuese. Krimi ndodh në rrugë, parking, rrugica, tregje, autostrada, banesa, familje, etj. Ndodh për shkaqe ekonomike, hakmarrje, pronësie, prishje “pazaresh”, rastësie, shkaqe fare banale, etj.. Por ajo që më habit mua dhe çdo tjetër njeri normal, është termi që vitet e fundit e dëgjojmë të shprehet nga uniformat e shtetit, media apo dhe njerëz me mandat, “të fortët” e krimit. Eshtë e turpshme të mendosh, se ka “të fortë” që i bëjnë karshillëk shtetit, policisë, tatimeve, doganave, ligjvënësve, por ja që ky është fakt i pamohueshëm.

E vetmja forcë policore elitë, që thirret vazhdimisht në ndihmë nga policia e rretheve sot, është RENEA. Ajo thirret kur ndodh një rrëmbim, një pengmarrje, një sulm me armë në lokale dhe markete, ajo thirret kur ndodh një atentat në mes qyteteve tona, dhe pothuajse kudo. Eshtë fakt se, policitë e rretheve e kanë të vështirë, apo të pamundur të merren me “të fortët” qofshin ata adoleshentë me makina baballarësh 150 mijë euroshe, apo dhe ata që janë shpallur në kërkim dhe bredhin me makina të shtrenjta, shpesh nën hundën e uniformave blu. Dhe sapo zbulohen… thirret RENEA. Kjo në fakt është skandaloze. Atëhere përse paguhen ata qindra policë me taksat tona, përse duhet të rritet numri i tyre në komisariate çdo 6 muaj ? Natyrisht policitë e rretheve, nuk janë vetëm për të mbushur fletëgjobat me makina fakirësh, por edhe për të goditur krimin kur ndodh apo zbulohet. Rritja e numrit të veprave kriminale, ka sjellë natyrshëm edhe rritjen e forcës goditëse të Policisë Shtetit. Nuk mund të mbajë shpresë komisariati i çdo qyteti tek RENEA, nuk mund të tolerohen veprimet antiligjore dhe ndodhia e krimit (me pretekstin policor “nuk e menduam”) dhe pastaj të alarmojnë Tiranën, për të vajtur forcat speciale. Tek çdo polic në rrethe, kryesisht në qytete të mëdha, ekziston ankthi i përballjes me “të fortët”.

Ata nuk i ndal njeri, ata nuk i gjobit njeri, ata nderohen me forma dhe mënyra të ndryshme nga shumica e patrullave që harxhojnë karburantin, duke “gjuajtur” ndonjë hallexhi që parkon gabimisht mjetin. Një polic qarkullimi më ka shprehur pakënaqësi dhe ankth, tek e pyeta se “mirë me qytetarin e thjeshtë, por si ja bëni me të fortët”. Duke hezituar në fillim, tha se “as nuk i ndalojmë, dhe as nuk i gjobisim, sepse mund të iki nga puna dhe më gjen belaja”. Nën diktaturë, (sepse shumë e shprehin se kemi qenë të ndrydhur) kishte shumë herë më pak policë se sot, kishte shumë herë më pak mjete dhe pajisje policia, por puna bëhej në mënyrë perfekte në çdo lagje, fshat dhe qytet. Natyrisht sot krimi është rritur dhe perfeksionuar, por kjo nuk duhet të jetë arsye për të thënë se “të fortët i bën zap vetëm RENEA”, dhe policët e komisariateve të merren me gjoba makinash.Një punonjëse e sektorit ku paguhen gjobat e automjeteve, tha duke qeshur se “kam 16 vjet që punoj këtu, dhe nuk kam parë 1 herë të vetme, një nga ata “të fortët” të vijnë për të shlyer fletëgjobën, sepse nuk guxon kush ti afrohet makinave të tyre”. Dhe kjo ndodh në të gjitha rrethet. Për Policinë e Shtetit, dhe për çdo strukturë apo individ që shërben në institucionet ligjzbatuese, nuk duhet të ketë vend në psikologjinë e tyre shprehja “të fortët”, pasi duket si kapitullim para betejës me krimin.

Lufta ndaj krimit dhe personazheve të krimit, duhet të jetë e padiferencuar mes emrash dhe individësh. Nuk ka rëndësi, në është person që ka kryer 1 vepër penale apo 10 të tilla. Të klasifikosh kriminelët për nga numri i veprave penale, është e gabueshme, dhe ndikim direkt tek psikologjia e policit të thjeshtë. Por këtu nuk duhet të lemë pa përmendur edhe organet hetimore dhe gjyqsore. Madje kjo e fundit, është sot përgjegjëse direkte e një situate, ku kriminelët ndahen në “të fortë” dhe “të dobët”. Ata që kanë kryer në vite krime të rënda, sot i ke edhe jashtë qelive, (si në rastin e Krujës, Beratit apo Vlorës) dhe ata që kanë vjedhur 1 celular apo kompjuter për ta shitur për bukën e gojës, i ke të dënuar me 5 apo 7 vjet. Atëhere mbetet të themi se, “të fortët” psikologjikisht paskan ndikim absolut edhe në organet e drejtësisë ? Atëhere mbetet të themi, se ata, (të fortët) janë pjesë integrale e kësaj shoqërie….falë publicitetit që u bëjnë me dashje, ata që e kanë detyrim ligjor ti ndalojnë dhe dënojnë. Një vend që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian, nuk mund të ketë në fjalorin e institucioneve ligjzbatuese, terma të tillë me ndikim të fortë psikologjik, si “të fortët”, sepse i bie që shteti qenka “i dobëti”…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN