MENU
klinika

Kume: Opozita nuk duhet t’i shmanget detyrimet kushtetuese

“Kriza brenda PD po shkakton vonesa në Reformën Zgjedhore”

26.04.2022 - 13:26

Kur na ndajnë një vit nga zgjedhjet e ardhshme lokale, ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, u shpreh në një intervistë për gazetën “Panorama” se puna për reformën zgjedhore dhe atë territoriale është e vonuar.

Situata bëhet më problematike sipas tij kur merret në konsideratë fakti që Partia Demokratike po kalon një krizë të thellë dhe nuk ka vëmendje te reforma. Megjithatë, Kume sugjeron që në momentin që Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore do të ngrihet duhet të marrë çështjet me prioritet. Sipas tij, ligjvënësit fillimisht duhet të trajtojnë çështjet zgjedhore që kanë të bëjnë me pushtetin lokal, meqë në 2023 zgjidhen kryetarët e rinj të bashkive. Dje, Kume bëri me dije se 8 organizata ku përfshihet edhe ai, në qershor, do të depozitojnë në Kuvend një nismë ligjore që ndryshon sistemin e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Bashkiak.

Sipas Kumes, Këshilli Bashkiak duhet të zgjidhet me listë të hapur dhe me votë preferenciale. Kjo sipas tij do të bënte që përfaqësimi në “parlamentin” e pushtetit lokal të ishte më cilësor. Ndërkohë, njësoj si Celibashi edhe ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, u shpreh se në ligjin e ri zgjedhor duhet të sanksionohet që komisionerët të mos jenë më politik. Por që të ndodh kjo, Kume tha se reforma duhet të nis një orë e më parë në mënyrë që t’i lë mundësi KQZ-së që të krijojë administratën e depolitizuar. Sakaq edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për listat e hapura dhe herësin duhet të reflektohen në Kodin Zgjedhor.

Eksperti zgjedhor foli edhe për procesin e mbledhjes së kandidatëve për kreun e ri të shtetit. Kume e konsideron këtë një humbje energjish të panevojshme pasi sipas tij, Kushtetuta e parashikon qartë sesi zgjidhet Presidenti. Sipas tij, janë deputetët ata të cilët kanë detyrim kushtetues që të bëjnë bashkë 20 firma dhe të propozojnë emra. Kume shprehet kritik edhe ndaj paralajmërimeve të opozitës se nuk do të marrë pjesë në proces. Sipas tij, opozita ka shansin që të krijojë identikitin e Presidentit. Të ushtroj detyrën për të çuar kandidatë të pakontestueshëm në mënyrë që edhe maxhorancën ta vendos në pozitë. Sipas Kumes, vërtet PS-ja mund ta zgjedhë e vetme Presidentin në raundin e 4-t dhe të 5-të, por fakti që Kushtetuta parashikon tre raunde me shumicë të cilësuar ka frymën e një Presidenti konsensual.

Z. Kume, çdo herë pasi kalojmë një palë zgjedhje, debati politik ngrihet lartë dhe sikur ka një vullnet për reformën zgjedhore, por në fakt tani ka kaluar një vit nga 25 prilli, dhe jemi një vit para zgjedhjeve të ardhshme lokale, por nuk kemi asnjë hap para, si e komentoni?

Komisioni nuk ka filluar nga puna, sepse nuk është formuar ende sepse opozita nuk ka dërguar emrat e anëtarëve të Komisionit. Kemi vetëm një lëvizje praktikisht, por që është pa progres dhe s’e dimë se sa do vazhdojë kjo situatë. Nuk e dimë sa do të zgjasë dhe cili do të jetë objekti i punës. Duke iu referuar situatës politike, të krijon përshtypjen që fillimi i punës mund të jetë shumë larg pritshmërive dhe nevojave.

Cilat janë pritshmëritë dhe nevojat për ndryshimet në Kodin Zgjedhor?

Duhet të ndërhyhet në dy komponente të mëdha të Kodit. Komponentët për zgjedhjet lokale dhe ato politike. Çështjet duhet të marrin prioritet fillimisht për zgjedhjet lokale dhe më pas për zgjedhjet politike. Natyrisht mes këtyre dy ndarjeve ka një grup të madh çështjes. Ka çështje që lidhen me administratën zgjedhore. Financimi i partive dhe financimi i fushatave. Ndërkohë, sa i takon problemeve që kanë të bëjnë me llojin e zgjedhjeve, duhet të trajtohet sistemi sipas të cilit zgjidhen organet e vetëqeverisjes vendore. Këshillat bashkiak zgjidhen me sistem proporcional me lista të mbyllura. Subjektet garojnë me lista kandidatësh. Për mua, si rezultat i konsultimeve të bëra me qytetarët dhe me stafet akademike dhe me të zgjedhurit aktualë të bashkive të vendit falë punës së 8 organizatave ka mbizotëruar ideja se reforma zgjedhore e radhës duhet të rregullojë demokracinë përfaqësuese. Duhet të hapet lista. Votimi jo vetëm për subjektin zgjedhor, por edhe votim parapëlqyes për kandidatin. Kur themi që votimi të bëhet me lista të hapura, mënyra si duhet të administrohet kjo votë për mandat duhet të jetë esencialisht e ndryshme si u vendos për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë. Sipas opsionit që para se të shpërndahet mandati për anëtarin e Këshillit Bashkiak të bëhet rirenditja në bazë të votave parapëlqyese që ka marrë secili. Më pas të shpërndahet mandati. Që do të thotë nëse një kandidat për Këshill Bashkiak është renditur i fundit, por ka vota parapëlqyese më shumë se ai që është vendosur i pari, atëherë para se të bëhet shpërndarja e mandateve duhet të bëhet rirenditja dhe ai që është i fundit të shkojë i pari e të marrë mandatin. Kjo e bën efektive veprimin e votës parapëlqyese.

A do ta depozitoni në formë projektligji propozimin tuaj?

Ne kemi hartuar një projektligj për votimin me lista të hapura të Këshillit Bashkiak. Kemi filluar procesin për të marrë 20 mijë firma. Në qershor ne do të dërgojmë në Kuvend projektligjin për ndryshimin e dispozitave të Kodit që trajtojnë problemin e zgjedhjes së Këshillit Bashkiak. Do ta çojmë në Kuvend, sepse kështu ka më shumë shanse dhe mundësi që ligjvënësit ta trajtojnë si të tillë. Kështu nuk do mund ta ndryshojnë në thelbin e vet siç ndodhi me votën preferenciale për Kuvendin e Shqipërisë. Na rezulton se qytetarët, referuar cilësisë së përfaqësimit të tyre, janë në nivelet e pakënaqësisë së dukshme dhe në shumicën e tyre duan ndërhyrje.

Celibashi ka bërë thirrje që të mos e lënë për në momentin e fundit, në gjykimin tuaj, a ka kohë të mjaftueshme për një produkt cilësor?

Duhet të fillojë menjëherë puna, sepse ndryshimet që bëhen kërkojnë një punë që mund të përvetësohen e të realizohen. Kështu, nëse ka konsensus për mënyrën e përbërjes së administratës zgjedhore, duhet një kohë e nevojshme Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të realizojë këtë ndryshim. Po ashtu, nëse ndryshohet auditimi i ndjekjes së fushatës zgjedhore që duhet të trajtohet, ndërtimin e kapaciteteve për të bërë monitorimin. Çdo ditë që vonojmë sjell efekte negative. Reforma duhet të kishte filluar. Është vonë dhe perceptimi që kjo mund të zvarritet është dominues. Janë disa drejtime ku duhet të punohet për mirërregullimin. Duhet të reflektohet në Kod vendimi i Kushtetueses. Pragu dhe herësi. Këto duhet të pasqyrohen. Por për mua ka shumë rëndësi që puna në KQZ të rifillojë dhe puna të organizohet me prioritete. Fillimisht, për çështjet lokale dhe më pas ato për Kuvendin. Ka 0 vullnet për të trajtuar sistemin zgjedhor. Në ndryshimet e bëra së fundmi parashikohej që shpenzimet që bëheshin në kohë reale. Këtë monitorim duhet ta bënte KQZ-ja që në këto zgjedhje që kaluan. Cilësia e zbatimit të këtij detyrimi lë për të dëshiruar. Pse? Sepse KQZ-së iu la kjo detyrë, por nuk iu dhanë kapacitete dhe kohë për ta bërë këtë.

A ka më kohë për reformën territoriale?

Celibashi në detyrën që ka është në të drejtën e tij t’i bëjë thirrje Kuvendit. E mbështes, por krahas saj është e rëndësishme që deputetët duhet të ecin përpara për reformën territoriale. Është e domosdoshme që të trajtohen të dyja këto ngrehina ligjore dhe vetëm në këtë mënyrë duke i dhënë edhe kohën e nevojshme absorbimit të ligjit. Këto janë të nevojshëm që të kemi zgjedhje me mundësi të barabarta dhe t’i jepet koha institucioneve që t’i përshtatin këto ndryshime.

Z. Kume si e vlerësoni procesin që ka nisur maxhoranca për të përthithur sa më shumë kandidatura për kreun e shtetit?

Një situatë e krijuar nga mënyra sesi maxhoranca deklaroi se duhet të zhvillohet ky proces në mënyrë që të ketë përfshirjen e sa më shumë qytetarëve. E lexuar si e tillë, s’ka pse të mos përshëndetet, por e zbatuar si e tillë, për mendimin tim kthehet në të kundërtën e saj. Kandidaturat zyrtare shfaqen kur fillojnë procedurat. Kjo që bëhet deri tani më shumë sesa ka sjell efekte pozitive, e ka kthyer procesin në një proces që është larg asaj që është synuar dhe është nxitur për të bërë. Nëse klasa politike do që nesër në presidencë të jetë i ulur dikush që ka dakordësinë e shumicës së shqiptarëve, ka një rrugë tjetër. Dy vite më parë është kërkuar, ku një prej tyre që e kanë kërkuar kam qenë edhe unë, kemi kërkuar që të trajtohej problemi i ndryshimit kushtetues për mënyrën sesi zgjidhet presidenti përmes votës popullore. Përse partitë përveç deklarimeve sa të plotësonin politikën e ditës, nuk morën asnjë hap konkret? Nga aspekti ligjor si një proces legjislativ, por edhe si një proces të një mjedisi miqësor me atë që synohet, ku të kemi një proces gjithëpërfshirës nuk e jep një gjë e tillë. Nëse ne do kishim president me votë popullore, atëherë do kishte vlerë kjo. Kjo shpenzon kohë në mënyrë jo efektive. Se kush do jenë kandidatët këtë e kanë në dorë vetëm deputetët. Deputetët duhet t’i përgjigjen me seriozitetin maksimal këtij detyrimi kushtetues. Nga 140 deputet ne mund të kemi 7 kandidatura që mund të hynë në garë që në raundin e parë.

Në këtë situatë që ndodhet politika, a duhet të marrë pjesë opozita në proces në një kohë që PS-ja e ka mundësinë ta zgjedhë e vetme procesin?

Të thuashë se unë nuk hy në garë sepse ai që e ka në dorë, por Kushtetuta jo më kotë ka 3 raundet e para. Fryma e Kushtetutës është e tillë që Presidenti të zgjidhet me konsensus. Dhe që të bëhet kjo gjë, duhet që deputetët, kam parasysh deputetët e opozitës duhet që të mos i shmangen këtij detyrimi. Duke pasur parasysh kushtet, për mua në veçanti, opozita duhet dhe ka mundësi që të jap kontribute të qenësishme në zgjedhjen e një Presidenti nesër sipas atyre pritshmërive që shumë i lakojnë se duhet të jenë të tilla. Duke përfituar edhe nga fakti që kryetari i maxhorancës është deklaruar se ne vërtet i kemi votat, por nuk duam t’i përdorim këto vota. Le të sjellin këta(deputetët e opozitës) një kandidat që s’ke se si ta qortosh dhe unë jam i gatshëm që ta votoj. Unë kërkoj që opozita të plotësoj detyrimet kushtetuese, të bëhet pjesë.

Cilat janë tiparet e një kandidature kryesore të Presidentit?

Një kandidat i mirë, veç atyre që kërkon Kushtetuta, ai duhet të jetë i gjithëpranuar. Të mos jetë një zgjatim i dukshëm apo i ndjeshëm që do mbajë mundësi të politikës. Ka politikanë me integritet të lartë në Shqipëri. Kur maxhoranca i ka të gjitha mundësitë për ta zgjedhur vet dhe zgjedhja e Presidentit nuk ka nevoje fare për të bërë pazare. Nëse do bëjmë përpjekje që ai që do jetë rezultat i të gjitha palëve, produkti do jetë shumë më i mirë se sa çdo produkt tjetër që do zgjedh e vetme maxhoranca. Sepse nëse nuk do jetë konsensual, atëherë do të kemi një President që do të sulmohet direkt nga opozita.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Fatos Nano te Edi Rama, Servet Pëllumbi, Mimi Kodheli e Namik Dokle

Emrat e deputetëve të PS të propozuar në garën për postin e Presidentit të ri