Politikani shqiptar me origjinë arbëreshe, do të ekzekutohej në Tiranë, 14 prillin e vitit 1945. Terenc Toçi lindi më 9 mars 1880, në San Cosmo Albanese, Kalabri, Mbretëria e Italisë. Ai u diplomua për drejtësi. Në vitet 1908-09 shkoi në SHBA dhe zhvilloi një fushatë sensibilizimi për shqiptaro-amerikanët, për domosdoshmërinë e pavarësisë së Shqipërisë. Më vonë, Toçi shkoi në Shqipëri dhe mori pjesë në revoltën shqiptare të vitit 1910 dhe atë të vitit 1911. Më 26/27 prill 1911 në Orosh, Toçi mblodhi krerët mirditorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë, ngriti flamurin e Shqipërisë dhe krijoi një qeveri të përkohshme. Ai ishte një nga pjesëmarrësit e Kongresit Shqiptar të Triestes në vitin 1913. Toçi shërbeu në qeveritë shqiptare të mbretit Zog, përpara pushtimit italian, si ministër i Ekonomisë Kombëtare. Gjatë pushtimit italian të Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore, Toçi shërbeu si deputet i parlamentit, veçanërisht si Kryetar i tijm nga viti 1940 deri më 1943. Pas Luftës së Dytë, Toçi u akuzua në Shqipërinë komuniste, për tradhti të lartë dhe bashkëpunim me Gjermaninë naziste. Gjyqi filloi më 1 mars 1945 dhe vendimi u dha më 13 mars. Toçi, së bashku me 16 persona të tjerë u dënuan me vdekje. Ekzekutimi ndodhi më 14 prill 1945. Toçi dhe të tjerët u hodhën të gjithë në një varr të përbashkët.
Kush ishte Terenc Toçi
Jurist dhe shkrimtar polemik. Më 1911 organizoi dhe drejtoi lëvizjen revolucionare shqiptare në malet e Shkodrës. Themeloi gazetën “Taraboshi” (1913), e përditshmja e parë politike në Shqipëri. Prefekt (1921), Sekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës (1927), Ministër i ekonomisë kombëtare (1937), President i dhomës së deputetëve (1940). Ishte akoma gjallë, kur Gaetano Petrotta shkroi në vëllimin “Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare”: “Si njeri politik, si funksionar, si jurist, si shkrimtar, si patriot, Toçi është një nga figurat më të shquara shqiptare”.
Ishte i vendosur për ruajtjen e përdorimin e gjuhës shqipe në aktet administrative dhe ruajtjen e ceremonive të festave tradicionale që tregonin identitetin kombëtar.
Ishte dhe kundër luftës, por u ngushëllua me realizimin e aspiratës shekullore të bashkimit territorial me Çamërinë. Takoi në Romë Musolinin, që iu duk një njeri i lodhur dhe i zhgënjyer…
Leximi në moshë të re i poezive të Jeronim de Radës, arbëreshit që jetoi gjatë Rilindjes italiane dhe përkrahës i flakët i pavarësisë së Shqipërisë, ngrohu zemrën e Terenc Toçit. Studioi për drejtësi në Universitetin e Urbinos dhe, në vitin 1904, filloi aktivitetin e tij juridik në Romë, ku punoi edhe si kryeredaktor në shtypin periodik që trajtonte çështjet e Ballkanit. Udhëtoi për të takuar diasporën shqiptare nëpër botë, duke dëgjuar kërkesat e tyre në Argjentinë dhe SHBA.
Më 1911, ndodhet përfundimisht në Shqipëri dhe formon në Shkodër, qeverinë e parë të përkohshme me patriotë të tjerë të ardhur nga Italia, duke mbledhur edhe krerët e fiseve të Mirditës e të Veriut dhe ngriti për herë të parë flamurin kombëtar. U brohorit unanimisht si president dhe, pavarësisht shumës së madhe të dhënë për kapjen e tij, asnjëri prej mëse 60 mijë malësorëve të armatosur, krenarë e të nderuar sipas traditës, nuk e tradhëtoi. Në Shkodër krijoi edhe të parën gazetë shqiptare “Taraboshi”, e cila u mbyll pas disa muajve nga qeveria ndërkombëtare. Denoncimi i synimeve austriake për vendin qe i bujshëm, sikurse qe i madh edhe zhgënjimi për mosndërhyrjen e premtuar nga Ricciotti Garibaldi.
Vlen të kujtohet se në ato vite, pas pushtimit turk, një koalicion ndërkombëtar, me trupa të vendeve të ndryshme evropiane (Franca, Serbia, Italia, Greqia), qeveriste përkohësisht vendin. Përveç kësaj, fitorja e Italisë në luftën kundër Turqisë, shënoi rënien përfundimtare të Perandorisë otomane dhe i dha hov luftës shqiptare, kështu që patrioti Ismail Qemali ngriti në Vlorë flamurin shqiptar dhe krijoi qeverinë e përkohshme. Por një ditë më 1913, në mënyrë të papritur konsullata italiane në Shkodër dëboi pa paralajmërim familjen e Terenc Toçit, që u detyrua të qendronte në shtëpinë e tij në S. Cosmo Albanese për 4 vjet.
Në vitin 1917, i thirrur nën armë, u nis për në frontin e luftës. Më 1920 kthehet në Shqipëri me ndërmjetësimin e ministrit Giolitti dhe më 1921 emërohet prefekt i Korçës, ku drejtoi edhe një revistë të përdyjavshme. Në vitin 1926 shkruan “E drejta penale”, vepër bazë për drejtësinë shqiptare dhe merr pjesë në hartimin e kodit civil të nxitur nga Zanardelli. Merr pjesë edhe në hartimin e kodit tregtar, si dhe boton një gramatikë shqiptare e një italiane. Prodhimtaria letrare e Toçit ishte e madhe dhe këtë e dëshmon biblioteka që la pas vdekjes, e kataloguar tashmë në Arkivin e Shtetit në Tiranë. Gjatë kësaj kohe ai pati një sërë detyrash institucionale të rëndësishme dhe mbështeti arritjen e teknicienëve italianë.
Pas vitit 1925 mbarojnë qeveritë e përkohshme dhe Zogu bëhet president e më pas mbret me pëlqimin e qeverisë, por jo atë të Toçit që ishte një republikan i flakët. Ndërkohë luftohej për miqësinë ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, pavarësisht tendencës anti italiane të shumë ministrave dhe përpjekjeve të Italisë, të denoncuara nga ai, për shfrytëzimin e pjesshëm të ekonomisë shqiptare. E gjitha kjo u cilësua akt tradhëtie e Toçit gjatë ditëve të tmerrshme të gjyqit kundër tij, më 1945.
Në vitin 1938 u emërua ministër i Ekonomisë Kombëtare dhe pranoi edhe detyrën e Presidentit të Këshillit të Lartë të përbashkët pas pushtimit italian, më 1939. Ishte i vendosur për ruajtjen e përdorimin e gjuhës shqipe në aktet administrative dhe ruajtjen e ceremonive të festave tradicionale që tregonin identitetin kombëtar. Ai ishte dhe kundër luftës, por u ngushëllua me realizimin e aspiratës shekullore të bashkimit territorial me Çamërinë. Takoi në Romë Musolinin, që iu duk një njeri i lodhur dhe i zhgënjyer. Më 10 shtator ’43 gjermanët arritën në Tiranë, por qeveria e re nxorri dekretin që mbronte italo-shqiptarët. Trupat gjermane lanë Tiranën më 17 Nëntor ’44, duke lënë vetëm një ushtar të mbyllur në një bunker në sheshin Skënderbej me një sasi të madhe municioni.
Ai u qëndroi për 36 orë partizanëve dhe, pasi i mbaruan municionet, vrau veten për të mos iu dorëzuar partizanëve. Në të njejtën ditë Terenc Toçi, megjithëse ishte vënë në shënjestrën e një arrestimi të ri dhe, megjithë këshillat e disa miqve për t’u larguar, u ndalua dhe u dërgua në një burg të tmerrshëm bashkë me të burgosur të tjerë. Por, më e pakuptimtë ishte akuza si kriminel lufte! Procesi farsë u zhvillua në fshehtësi, duke u përfshirë dhe mjaft krerë të “ballistëve”, me të cilët, komunistët lanë hesapet.
Nga katër vajzat e Toçit, vetëm e vogla me të ëmën qendruan në Tiranë. Ato u plaçkitën dhe u nxorën me dhunë jashtë nga shtëpia. Me shumë përpjekje arritën ta takojnë njeriun e tyre të dashur, pas orë e orë të tëra qendrimi në radhë para hekurave të burgut, bashkë me shumë të afërm fatkeqë të të burgosurve të tjerë të pafajshëm. Një altoparlant jashtë kinema “Savojës”, e shndërruar në sallë gjyqi, shpërndante zërat e protagonistëve të procesit farsë, ndërmjet të cilëve edhe atë të avokat Toçit, që ligjëroi duke mbrojtur veten në mungesë të avokatit mbrojtës.
Një përmbledhje e debatit të bërë gjatë procesit ndodhet në librin “Terenc Toçi, babai im”, shkruar nga e bija, Rita. Më 14 prill 1945, shumë qytetarë panë kamionin e zbuluar që përshkonte rrugët e Tiranës, ngarkuar me 17 të pafajshmit e parë të dënuar me pushkatim. Profesionistë, intelektualë, patriotë. Të lidhur dy nga dy, të pushkatuar e të dhunuar, u hodhën në një gropë plehrash në një vend të panjohur. Rrefuzuan madje edhe t’u kthenin kurrizin ekzekutuesve, por u qëndruan me gjoksin para. U “varrosën” pa një varr, pa kryq, pa lule…