MENU
klinika

Nga Mentor Kikia

Kur të gjithë e akuzojnë drejtësinë, ky është lajm i mirë.!

11.04.2022 - 19:29

Nga Mentor Kikia

Disa ish zyrtarë dhe politikanë të nivelit të lartë, janë në burg, të dyshuar se kanë abuzuar me fondet dhe procedurën e ndërtimit të disa inceneratorëve për djegien e mbetjeve urbane. Hetimet vazhdojnë dhe duket se disa funksionarë apo ish funksionarë të tjerë nuk e bëjnë gjumin të qetë. Vetëm pak ditë pas sigurimit në arrest në burg të deputetit Alqi Bllako, i cili dorëzoi mandatin për këtë arsye, kryeministri Rama është shfaqur i pakënaqur nga këto veprime të prokurorisë speciale, SPAK. Ai shfaqi rezerva për arrestimin e një zyrtareje të qeverisë së tij, akuzuar për “një arkë peshk”, por më shumë se kaq, ai shfaqi rezerva për atë që SPAK nuk ka bërë. Ndaj “sygjeroi” që hetimet të kalojnë edhe në “anën tjetër”.

“Janë me dhjetëra të vrarë nga politikanë, që kanë emër dhe mbiemër, që rrotullohen në varr akoma në kërkim të drejtësisë, pa llogaritur vjedhje kolosale që vetëm SPAK nuk i di….” – padyshim që fjala këtu është për Gërdecin dhe për Sali Berishën. “…ndërkohë akoma nuk është vënë në lëvizje nga deklarata më e rëndë që është bërë zyrtarisht më 30 vite nga aleati më i madh i Shqipërisë, jo për një individ por për gjithë Shqipërinë, sepse ka drejtuar vendin” – dhe sërish fjala është për Sali Berishën, dhe për shpalljen e tij “Non Grata”, që duhet të shërbejë si indicie për hetimin.

Kjo është hera e parë që kryeministri shpreh publikisht rezerva ndaj kësaj strukture të drejtësisë. Deri tani ishim mësuar të dëgjonim opozitën që e akuzonte si të kontrolluar prej Ramës, e për këtë arsye nuk luftonte të korruptuarit.

Nëse SPAK është realisht nën kritikat edhe të opozitës edhe të qeverisë, ky është një lajm i mirë për drejtësinë. Sepse ne kemi vuajtur nga drejtësia, për të cilën qeveria fliste me “NE”, duke e konsideruar palë, e duke e përdour vetëm për të luftuar rivalët politikë. Ne kemi vuajtur edhe nga drejtësia që pëpriqej ti shpëtonte këtyre akuzave, duke arrestuar gjithmonë “një hajdut të majtë e një hajdut të djathtë”, me shpresën se kështu do të dukej e ekuilibruar, e pavarur dhe e barabartë për të gjithë.

Por a është drejtësia e pavarur kur përpiqet të ruajë ekuilibrat politikë nga frika e sulmeve? Padyshim që jo, sepse prokuroria nuk është një debat televiziv, ku, për efekt balancimi, do të ftohen dy persona nga njëra palë e dy nga pala tjetër. Për prokurorinë, hajdutët nuk duhet të kenë as emër, as logo partie. Nëse një njeri ka shkelur ligjin, ai duhet të shkojë në burg, dhe prokuroria nuk duhet të ruajë balancat këtu, nëse ka arrestuar më shumë hajdutë socialistë apo hajdutë demokratë.

Nëse ka fakte që çojnë në burg të tjerë zyrtarë të qeverisë për inceneratorët, SAPK nuk duhet të ngurrojë fare ta bëjë këtë, pa menduar se kujt i shkon për shtat kjo e kujt jo.

Nëse nga vendimi i DASH për ta shpallur Berishën non grata, ka fakte që nxisin një hetim penal, SPAK sërish duhet ta bëjë, pa menduar se kujt i shkon për shtat kjo gjë, e kujt jo.

Nëse nga vendimi i DASH për ta shpallur non grata deputetin çamo-socialist Aqif Rakipi, ka fakte që nxisin një hetim penal, sërish SPAK duhet ta bëjë.

Nëse ka fakte që diktojnë një hetim penal ndj Lulzim Bashës, për çështjen e “Toyota Yaris”, sërish duhet ta bëjë, pa menduar fare për efektet politike.

Por asnjë çështje nuk do të duhej të hapej për efekt të “balancimit politik”, pasi kjo do të ishte shumë më e dëmshme sesa vetë korrupsioni. Ne sot kemi nevojë të shikojmë në brug njerëzit e nivelit të lartë që kanë shkelur ligjin, që kanë abuzuar me pushtetin dhe paratë e taksave tona. Dhe, përmes këtij procesi, ne kemi nevojë të shikojmë nje drejtësi jo të balancuar politikisht, por të drejtë dhe të vërtetë.

Kemi nevojë të shikojmë një drejtësi të cilës ti besojmë.

Ndaj SPAK në tavolinë duhet të mbajë peshoren e ligjit, jo peshoren e politikës.