Ndeshje spektakolare ajo mes Spezias dhe Lazios, ku u shënuan plot 7 gola, në fund, pikërisht në 90’, fitojnë miqtë 3-4, me Thomas Strakoshën që fiton duelin me Rey Manaj. Lazio merr vendin e pestë, duke zbritur Romën në të gjashtin.
Miqtë e drejtuar nga Sarri do surprizoheshin që në minutën e nëntë nga Amian. Në minutën e 33-të, Ciro Immobile do merrte përsipër ekzekutimin e një penalltie dhe do tregohej i saktë.
Të besuarit e Motta do rimerrnin epërsinë brenda fraksionit pas një gabimi të mbrojtjes laciale, me kolumbianin Agudelo që realizon golin e 3-të për vitin 2022. Sapo fillon pjesa e dytë, Spezian do e braktiste fati, pasi një autogol i Provedel do sillte ekuilibrat.
Gjithsesi, asgjë për t’u shqetësuar për modestët e elitës italiane, pasi Hristov do mendonte për “rrjetën” e 3-të të skuadrës (56’). Kryeqytetasit nuk do dorëzoheshin, përkundrazi. Milinkovic Savic do sillte sërish baraspeshën, në të 68-tën. Titullar në këtë 90 minutësh, por si kundërshtar ishte Rey Manaj (luajti deri në 89’) dhe Thomas Strakosha.
Goli i fitores për Lazion do të vinte nga Acerbi në fund. Mbrojtësi do i kundërpërgjigjej kështu kritikave të fundit, pas asaj buzëqeshje te goli i pësuar ndaj Milanit.