MENU
klinika

“Zero gatishmëri nga pala serbe”

Mbyllen pa marrëveshje negociatat për targat

21.04.2022 - 18:16

Ka përfunduar takimi trepalësh në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel. Zv.kryeministri Besnik Bislimi ka konfirmuar se takimet në Bruksel nuk kanë rezultuar me ndonjë marrëveshje me Serbinë, raportojnë mediat në Prishtinë.

“Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Grupi ynë punues sërish është munduar edhe ditën e djeshme që të vijë deri te një draft-propozim që do të na sillej ne sot për diskutim. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraprirë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit”, tha Bislimi.

Ne takimet e ndërmjetësuara nga emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ku është biseduar për targat dhe për të tjera çështje.

“Përgjatë këtyre gjashtë muajve kemi pasur fare pak interesim nga pala serbe që të merren me kërkesat e pikës 3. Në vend të saj ata janë marrë me elemente margjinale, që tregojnë se thjeshtë duan të sabotojnë punën e grupit punues. Edhe sot kur u njohëm me faktin e hidhur që pala serbe nuk do zgjidhje, ne u munduam që të gjejmë një opsion kalimtar, duke e cuar përgjegjësinë e grupit të punues tek kryenegociatorët për një periudhë kohore 30 ditësh. Edhe këtu Serbia nuk ishte e gatshme të bashkëpunojë kështu që mund të them se ideja për arritjen e një marrëveshjeje për targat ka dështuar”, shtoi Bislimi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN