Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Teodora Genchovska ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e shtetit për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut për integrimin europian.
Ajo u shpreh se Bullgaria do të heqë veton vetëm nëse Maqedonia e Veriut pranon të bëjë ndryshimet Kushtetuese të cilat u garantojnë të drejtat bullgarëve në vend.
“Për të filluar procesin e negociatave të anëtarësimit në BE, mbetet kërkesa që Republika e Maqedonisë së Veriut të regjistrojë bullgarët në Kushtetutën e saj” – është shprehur Genchovska.
Kjo ka qenë deklarata e sotme e ministres së Punëve të Jashtme të Bullgarisë Teodora Genchovska para konferencës sot në Sofje ‘Forumi BE takon Ballkanin’, me pjesëmarrjen e vendeve evropiane.
Ndërkohë nga ana e tij, Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Varhelyi i cili ndodhet në Sofje, është shprehur se do të shkojë në Bullgari derisa shteti të marrë një vendim për heqjen e vetos.
“Do të vij në Sofje aq shpesh sa të jetë e nevojshme për të marrë një vendim (heqjen e vetos bullgare për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE ) deri në fund të qershorit, nuk kemi kohë, lufta na ka treguar se sa e rëndësishme është Integrimi evropian”.
Varhelyi shtoi se ishte “jashtëzakonisht i zhgënjyer” që çështja e fillimit të bisedimeve të anëtarësimit të Shkupit në BE u rikthye në axhendë.
Ai dha një shembull edhe me krizën e Covid-it dhe furnizimin me vaksina. Ai tha se vendet si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të marrin vaksinat shumë më shpejt si vende anëtare të BE -së.