MENU
klinika

Shqipëria e pushteteve personale

Mit’hat Frashëri, Nexhmije Hoxha dhe 4 Shkurti 1944

10.04.2022 - 17:20

            Nga kujtimet e Musine Kokalarit/Tema

Mediet e shumta e trajtuan me shumë të drejtë qëndrimin e mbajtur në Kosovë e në Shqipëri, për një projekt restaurimi të shtëpisë së Xhafer Devës, ish-ministër i brendshëm në qeveritë kuislinge në Shqipërinë e shkurtit të vitit 1944. Tash, ka filluar një debat mbi Luftën e Dytë Botërore dhe nëse debatet do t’i shërbenin të ardhmes, ky do të ishte edhe mesazhi i studimit të historisë, por në të kundërtën mbetet thjesht një retorikë.

Në hapësirën e së majtës shqiptare për vendin që zë socialdemokracia, do t’ia vlente një debat politik. Por, edhe sikur të mos ishte ky projekt, dita e 4 shkurtit është një ditë e zezë në kujtesën historike të popullit shqiptar. Në kujtimet e Musine Kokalarit, njërës prej intelektualeve të rralla të kombit shqiptar, e cila krijoi të parën Parti Socialdemokrate, po shkëpusim disa paragrafë të përzgjedhur nga Novruz Xh. Shehu në vëllimin e dytë me titull “Musine Kokalari”. Në kapitullin “Si lindi Partia Social- Demokratike” kemi një analizë të gjerë të arsyes së krijimit të kësaj partie. Humanizmi shqiptar, një shkrim brilant në historinë e humanizmit shqiptar dhe heroin tonë kombëtar Skënderbeun e vë në radhët e humanistëve evropianë, të cilët nuk e prisnin çlirimin e popujve nga Perëndia, por nga heronjtë e përsosur moralisht dhe fizikisht

Pushtimi italian përbën një dëshmi, sa reale, por edhe një metaforë të qëndrimit të rinisë ndaj luftës. Ajo shpresonte për një luftë demokratike dhe të mbështetur në ndihmën e aleatëve për të arritur në një Shqipëri demokratike konstitucionale, që ishte dhe opinioni i të gjithë demokratëve të vendit, ndërsa komunistët arritën në një marrëveshje midis tyre dhe formuan Partinë Komuniste Shqiptare për një luftë të pandërprerë dhe pa kompromis. Kështu, fati tragjik i demokratit u gjend në udhëkryq. Duke qenë dakord me luftën po e shikonin që fronti ishte një forcë unike udhëheqëse dhe drejtuese që kishte Partinë Komuniste që drejtonte dhe synonte në marrjen e pushtetit.

Elementi nacionalist përfshihej si të thuash, në Ballin Kombëtar, organizatë heterogjene, pa ndonjë formë organizative të përcaktuar, me një program të gjerë demokratik, që përpara rrezikut komunist nguronte dhe shihte rrezikun në të ardhmen e Shqipërisë parlamentare.

Musine Kokalari kujton takimin e vetëm me Mit’had Frashërin, ndryshe “Lumo Skëndon” në librarinë e tij.

Musine, – më tha, – këtu jemi përpara një rreziku të jashtëm që gjithçka do të shkojë në dobi të tjerëve, gjithë ky gjak. Unë jam kundër komunistëve që mbrojnë idetë e tyre, po flas për komunistët shqiptarë dhe ja, (më dëftoi një të ri). Ai është komunist, por e shikoj me tjetër sy. Ai më parë mendon për mëmëdhenë dhe nuk është aspak dakord me këta që udhëheqin dhe nuk dihet se kush fshihet pas tyre.

I nderuar Mit’had Bej, – i thashë unë, – ju diskutoni një çështje thjesht nacionale, por kjo është sot për sot kryesorja. Vërtet në qoftë se luftohet ose të presim momentin e goditjes për të mos u dëmtuar shumë, është një çështje nacionale. Mirëpo komunistët, bashkë me nacionalizmin, japin premtimin se çdo të fitojnë kur të çlirohet Shqipëria. Se mos do t’i mbajnë premtimet, – tha. Atë do ta dëftojë koha, – u përgjigja unë. Po vetëm fjala nacionalizëm nuk e mbush zemrën e fshatarit dhe të punëtorit, qoftë dhe me shpresa të rrema. Fjala nacionalizëm, e zhveshur i përket së kaluarës, kurse e ardhmja kërkon ndryshimet shoqërore ekonomike që duhen gërshetuar me fjalën nacionalizëm. Kur të çlirohet Shqipëria, – më tha, – unë vetë do të vishem me opinga dhe do të shkoj fshat më fshat për të shpëtuar fshatarin nga varfëria dhe padituria, mirëpo këtë duhet ta thoni sot bashkë me luftën, me dyfekun dhe pendën që të ndjekë nga prapa për atë që ke në zemër. Rreziku komunist është më kryesor, – më tha ai. – Unë vetë nuk kam pasuri edhe këtë librari personale do ta lë trashëgimi shtetit dhe brezave të ardhshëm. Këtu është tragjedia jonë e demokratit që e pret diçka që ai nuk e kupton dhe arrin ta marri vesh dhe ndodhet përpara një udhëkryqi. Po një gjë është e qartë, ata luftojnë dhe organizohen. Japin prova dhe sakrifikohen. –Dhe ne nuk duhet t’i lemë ata të kenë supermacinë, – tha Mit’had beu. -Atë e fitojnë duke luftuar, nuk ua ndalon dot. Ju i rrihni çështjet dhe qëndroni në vend. Ata organizohen dhe vrasin italianët.

Përpjekja e Musinesë për t’u bashkuar në një front me komunistët, është një akt që në analet e historisë sonë, as që është njohur, por edhe nuk është performuar si diçka progresiste për kushte dhe kohën kur u shtrua kjo tezë. Takimi me Nexhmije Hoxhën për t’i shprehur mendimin për një lloj aleance mes Frontit Nacionalçlirimtar dhe Partisë Social Demokrate. Ajo nuk e pranoi këtë tezë dhe tha se sot nuk është koha e formimit të partive të tjera, po e organizimit të luftës kundër okupatorit. – Ç’të keqe ka këtu, – i thashë unë, – ju jeni komunistë dhe midis jush i rrihni dhe problemet shoqërore mbi parimet tuaja, ne jemi demokratë dhe rrahim midis nesh problemet shoqërore dhe njëkohësisht i japim rëndësi në radhë të parë luftës kundër okupatorit. Këto mbledhje qene bërë në shtëpinë e mësuese Razie Kallulli.

Në atë periudhë pune të përbashkët, nxorëm numrin e parë të gazetës “Gruaja Shqiptare”. Nexhmija me këmbënguljen e saj dëshironte që ne të urdhëroheshim prej saj, të vepronim sipas urdhrave të saj dhe asgjë tjetër. Kjo pruri largimin tim nga gjiri i Frontit Nacionalçlirimtar ku tentova që të hynim si grup, në fillim të formonim Partinë Social-Demokrate bashkë me luftën kundër okupatorit. Njoha Isuf Luzin, profesor të letërsisë dhe Selman Rizën gjuhëtar i zoti. Që të gjithë ishin të shqetësuar për fatin e luftës, aq më tepër se në rrethin e Vlorës, ku kishin çetat e tyre kishte hyrë grindje dhe sipas fjalës së tyre, komunistët i qëllonin që t’i shpartallonin. Ata, me gjithë respektin që kishin për Lumo Skëndon, shikonin plogështinë e udhëheqjes, kërkonin sa më shumë organizim dhe bashkim, gjë që në rrethin e Vlorës autoriteti i Hysni Lepenicës qe një balancim midis mosmarrëveshjeve të tyre ose shfaqjeve të ambicieve. Përpara tij tërhiqeshin. E respektonin shumë dhe ai njihej për njeri modest e atdhetar që u vra nga armët e italianëve në Gërhot. Në këtë kohë krejt rastësisht u takova me avokat Skënder Muçon, që e kisha njohur në hekurat e burgut, në vitin 1932. Me këta njerëz e shtrova prapë mbi një koalicion demokratik. Duke u mbështetur tek “Dekalogu”, thashë që të formohej Partia Social Demokrate. E pranuan dhe pas shumë debatesh, më tepër unë me Isuf Luzin, përpiluam programin e partisë dhe moralisht njohëm Skënderin si udhëheqës që të merresh më tej.

Unë shkova të bisedoja me Mit’had beun, por nuk e gjeta, por fola,- thotë ndër të tjera Musineja, – me Hasan Dostin i cili ishte zëvendësi i tij. Ia parashtrova krijimin e Partisë Social Demokrate. Ai mu përgjigj se Mit’had beu nuk ishte dakord dhe nuk e aprovonte. Iu përgjigja se ne nuk kishim nevojë për aprovimin e tij, pasi atë e përfshinte “Dekalogu”. Por, për fat të keq dhe kjo tentativë shkoi kot. Mit’had beu tregoi pakënaqësinë e vet dhe ndikoi për keq në marrëdhëniet midis Skënderit dhe Isuf Luzit, që ishin në grindje e në ambicie. Selman Riza ishte tip i heshtur. As ndizte e as shuante. Unë u zemërova se pashë menjëherë se krerët e Ballit nuk frymëzoheshin nga demokracia, por do të shkonin përpara duke ruajtur vetëm prestigjin e Lumo Skëndos, që të mbizotëronte në sajë të emrit të babait. Rruga tragjike dhe pozita demokratike ishte gjithmonë, sa në krahun komunist në shënjestër, po as dhe aq nga elementi udhëheqës i Ballit, që donte të mbahej në këmbë me influencat personale. Atëherë, mua më hipi një inat i madh e shkova drejt tek Nexhat Peshkëpia, profesor dhe sekretar i Ballit në Tiranë dhe pasi plotësova numrin e parë të gazetës “Zëri i Lirisë” i thashë ose botojeni, ose ne do të lidhemi me komunistët të gjithë sa jemi. – Musine, – më tha ai, – kjo nuk është e drejtë. Ju organizoheni dhe kërkoni të mbani të fshehta forcat tuaja. Juve ju kanë nxitur komunistët që të shkaktoni përçarje në radhët e Ballit. Nexhati e të tjerë besonin se ne ishim të lidhur me komunistët. Nexhati u detyrua ta botonte gazetën “Zëri i Lirisë” dhe ta shpërndajë. Ne të katërt që formuam partinë, kurrë nuk u takuam më bashkë. Unë nxora ato gjashtë numra vetëm me një qëllim, qe përshkruar një rrugë, një program partie.

Pas çlirimit, në qoftë se do të ishte Shqipëria demokratike të mbështeteshin në atë rrugë dhe të vazhdonte. Ç‘ndodhi pas kësaj periudhe që erdhën gjermanët? U bë Bashkimi në Mukje i cili u prit me gëzim nga të gjithë, – shkruan në kujtimet e saja Musine Kokalari. Komunistët hapën fjalë se ballistët nuk donin të luftonin. Mirëpo u kap korrieri me vendimin e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste që dënonte qëndrimin dhe vendimin e Ymer Dishnicës dhe të shokut të tij. Udhëzohej që të ruhej e të forcohej dashuria për Bashkimin Sovjetik dhe shumë gjëra të tjera. Në këtë moment shumë elementë u shkëputën nga fronti dhe sidomos ikja e Xhelal Staraveckës pruri shumë dëme. Ai njihte shumë baza të komunistëve e u bënë shumë vrasje. Një grup të rinjsh ikën në Berat dhe forcat gjermane intensifikoheshin më keq. Vrau Skënder Muçon që u takua me anglezët në Vlorë. Balli u paralizua. Bënë një kongres në Berat dhe një pjesë e krerëve të tij, si Kolë Tromara, Koço Muka e të tjerë morën pjesë qeveri. Unë nuk e nxora më gazetën dhe u mora me letërsi. Çdo përpjekje qe e kotë, nga të dyja palët. 4 shkurti qe tronditës. 27 shkurti një masakër prapë, qoftë me një numër më të vogël. Aksioni kundër Mustafa Krujës dështoi, kundër Xhafer Devës dështoi. Iljaz Agushin të cilin Bujar Hoxha, djali i mikut të tij, i vajti në shtëpi dhe e vrau. Lefter Kosova, ministër i Kulturës, më duket se, pasi që u formua kjo qeveri e Rexhep Mitrovicës, e vrau Xhelal Staravecka mu në derë të shtëpisë. Pastaj u bë largimi i 100 e ca vetëve për në Prishtinë. Tirana dhe në rrugët e saj dukej si kazermë. Beqir Valteri, që e rrethonin mbi dhjetë vetë prapa krahëve, gjëmonte me çapat e tija dhe nuk mjaftonin gjerësitë e rrugëve që të kalonte me madhështinë. Ish atentatori i Zogut, në hotel Dajti, siç e tregonin në një odë kishte varur flamurin e Shteteve të Bashkuara, pasi do të formonte Konfederatën Ballkanike. Preng Previzi, mu te sheshi i ministrive, vrau Selami Çelën në mes të ditës. Vranë një të burgosur. Seit Matia vetë i pestë, i armatosur, tundej dhe shkundej nëpër rrugë dhe gjuante komunistët. Bazit të Canes, larguar i dënojnë rojën personale.

Medi beu u kthye nga Italia dhe u bë kryetar i Regjencës. Gjon Markagjoni i binte pash më pash Tiranës. Gjon Fusha tundej dhe më pak. Osman Gazepi, që i kishte vënë vetë gradat sa i deshi shëtiste në njërin krah me mbesën dhe tjetrin krah vajzën dhe prapa trimat e tij. Muharrem Bajraktari, Alil Alija herë vinin e herë shkonin. Man Kukaleshi gjithmonë i fuqishëm. Papalilua nuk mbetej prapa. Cen Elezi, një këmbë në qytet, një këmbë në male. Të dhjetë djemtë ishin në vartësinë e lojërave të tija. Idriz Jazua po tmerronte Gjirokastrën. Haxhi Bankën kur mblodhi popullin në burg, hynë njerëz në burg dhe therën një të burgosur. U var Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima. Ali Peçi u bë i famshëm me aventurat e tij. Risilianët që sundonin në Vlorë niseshin për në kampet e Gjermanisë. Isa Manastërlliu e kishte shtrirë pushtetin personal në Lushnje. Hamit Matjani, me të dy gratë, mbante në grusht Peqinin. Azis Biçaku kërcënonte Elbasanin. Hasan Isufi tmerronte Shkodrën. Xhem Gostivari nga Tropoja e poshtë. Në Dibër, Ukë Cami me bajraktarët kishin të parë Fiqiri Dinen. Masakrat e Isa Toskës që bëri në kohën e Italisë u errësuan. Vetëvrasja e Safet Butkës në rrethin e Korçës ishte tragjedi e pabesisht në ndëshkimin e tij, në këto situata të padëshirueshme. Gjithë Shqipëria e pushtuar nga gjermanët. Shqipërinë e mbante mendimi që Mehdi Frashëri dërgoi djalin e dytë në Turqi që të merrej vesh me një regjencë në krye të vendit. Mehdi beu, kryetar, Pater Antoni Arapi, Fuat beu, që pati fat dhe vdiq, Lef Nosi që e zëvendësoi si dhe shkodrani që s’e mbaj mend, rrinin në zyra. Shqipëria edhe pse nën sundimin gjerman ishte edhe nën sundimin e tyre që kërkonin pushtete personale, mbaheshin gjallë, vepronin dhe mbeteshin kryesisht me forca mercenare, të rekrutuar në zonat me ndikimet e tyre. Në fillim patën përkrahjen e italianëve, aq më tepër të gjermanëve dhe me dorën e tyre bënin krime e bënin përçarje. Kjo ishte një gjendje tragjike, e përgjakshme, ku ndërthureshin e kaluara dhe e ardhmja me situata aq të koklavitura, me tragjedira, vrasje e burgime. 4 shkurti që mbushi Tiranën me kufoma rrugëve, për ditë e më shumë ndërthurej në një lëmsh aq të vështirë për atë që ëndërronte dhe dëshironte një paqe të drejtë, një Shqipëri demokratike.

***

Musine Kokalari lindi më 10 Shkurt të vitit 1917 në Adana të Turqisë dhe vdiq në vitin 1983 në Rrëshen. Në vitin 1920 familja e saj vjen në Gjirokastër. Në moshën 4 vjeçe caktohet që t’i dhurojë lule personalitetit shumë të shquar francez mikut të shqiptarëve Zhysten Godart. Në moshën 10 vjeçare nis të mbledhë këngë të vjetra të popullit. Fillon shkollimin në vitin 1930 në shkollën “Qeriazi” dhe më vonë në Institutin “Nana Mbretëreshë” vitin 1937. Nis studimet Universitare në Romë për degën e letërsisë. Boton vëllimin “Siç më thotë nënua plakë” në vitin 1939 duke tërhequr vëmendjen e qarqeve letrare të kohës. Shkruan në Romë “Jeta ime Universitare”. Mbron diplomën universitare mbi studimin e Naim Frashërit. Nis qysh në Romë lëvizjen antifashiste dhe është nismëtare e Partisë Socialdemokrate. Në vitin 1944 shkroi një seri studimesh gjuhësore. Mblodhi dhe sistemoi këngë e legjenda, përralla nga Gjirokastra, Vlora, Tepelena, Korça, Elbasani, Shkupi, Shkodra. Ajo me bagazhin e plotë të njohurive për kulturën e popullit iu vu punës për ngritjen e godinës së Letërsisë Etnografike. Në vitin 1944 botoi në “Mesazheritë shqiptare” librat “Rreth vatrës” dhe “Sa u tund jeta”. Merr vlerësime nga profesor Angjelo Leotti, Prof. Karlo Taliavini, Karlo Mearini(Itali), Maksimilian Lamberts (Gjermani), Prof. Aleksandër Xhuvani, Prof. Sotir Kolea, Prof. Filip Fishta, Dr. Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi, Andrea Varfi, Petro Marko, etj., (Shqipëri). Sejfulla Malëshova e thërret në Lidhjen e Shkrimtarëve. Koha e entuziazmit të fitimtarëve të luftës i merr jetën dy vëllezërve të saj më 12 nëntor të vitit 1944. (Entuziazmi i fitimtarit pas luftës dhe kafshimi bishës nazifashiste që po jepte shpirt i ndan një fije peri). Arrestimin e saj të parë nga forcat partizane e pati në 13 nëntor deri më 28 nëntor dhe ja si i përgjigjet ajo Sulo Kozelit dhe Sotir Polenës të cilët e kishin marrë në pyetje: – Je social demokrate? – Po, – u thashë. – Ke prurë përçarje, – më thanë. – Më sillni një provë që ta vërtetoni këtë, – i thashë unë. – S’ke bërë luftë, – më thanë. – S’na latë ju të bënim, – u përgjigja. – E ç’ke bërë? – Jam marrë me shkrime. – Libër, – u përgjigj me injorancë Sulo Kozeli. – Lufta është bërë dhe bëhet edhe me pendë dhe me armë. Ti e bëre me armë, por me pendë s’je i zoti ta bësh. Musine Kokalari arrestohet më 23 Janar të vitit 1946 dhe deri në vitin 1961 qëndroi në burg dhe pas këtij burgimi e çojnë në Rrëshen. Punoi si punëtore llaçi në Ndërmarrjen e Ndërtimit duke mbartur llaç për muratorët. Sëmundja e rëndë, e pashërueshme ia shtoi edhe më shumë vuajtjet dhe vdiq në vetmi dhe harresë në vitin 1983. Akuza ndaj saj për ngritjen e një grupi armiqësor kundër pushtetit popullor. “Koalicioni Demokrat” i nisi një “Notë” aleatëve (Amerikës dhe Anglisë) për shtyrjen dhe vëzhgimin e zgjedhjeve. Nota e dërguar si dhe programi u shkrua nga Musine Kokalari. Në burg mban një qëndrim prej martireje e plot dinjitet, megjithëqë e masakrojnë me tortura çnjerëzore.

Në vitin 2000 shpallet “Qytetare Nderi” nga Bashkia e Gjirokastrës dhe një shkollë në qytetin e Tiranës mban emrin e saj. Në vitin 2008 i jepet titulli “Nderi i Kombit” nga Presidenti Bamir Topi. Libra e shkrime të shumta, dokumentarë i janë dedikuar figurës së saj, por gjesti i familjarëve të saj me rastin e 105 vjetorit të lindjes, të cilët ia dhuruan kujtimet e saj arkivës së shtetit shqiptar tregon edhe njëherë ndjenjën e thellë kombëtare që këto kujtime të mbeten si pasuri e popullit shqiptar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Grua e guximshme!

Autorja disidente


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit