Sali Berisha u tërhoq nga votimi në grup parlamentar për t’u pranuar si deputet, pas përjashtimit të tij më 9 shtator. Edhe pse e paralajmëroi atë si sfidë nën moton “vendos vota”, pas debatit sot me Enkelejd Alibeaj në zyrat e Partisë Demokratike, ai nuk guxoi të kërkonte votim.
Votimi në fakt është një atentat i rëndë ndaj Partisë Demokratike, pasi institucionalizon dilemën anti-amerikane të Partisë Demokratike, por Sali Berisha nuk u tërhoq për këtë arsye. Për këtë arsye ai ishte gati të votohej dhe ta bënte fakt të kryer.
Arsyeja që ai u tërhoq ishte pasiguria se ai mund ta fitojë këtë betejë në një votim të fshehtë brenda grupit parlamentar.
Grupi parlamentar është kështjella e fundit legjitime brenda asaj ngrehine tashmë të shkatërruar, dhe Sali Berisha e ka të pasigurtë betejën e heshtur.
Për këtë arsye ai po përpiqet ta shtyjë atë në kohë dhe ndërkohë të vazhdojë fushatën e shantazhit fizik, psikologjik dhe spastrimet në Partinë Demokratike.
Ka ditë që e ka nisur këtë fushatë. Pas pushimeve dhe spastrimeve arbitrare në PD, kanë filluar dhe kërcënimet e dhunshme.
Sot ish- këshilltarja e shtypit e Lulzim Bashës, Desada Metaj është kërcënuar fizikisht nga njeriu më i afërt i Sali Berishës, duke ju trimëruar se mund të shkonte ta gjente aty ku ishte dhe ta zhdukte.
Shtoi kësaj dhe fjalorin e një banditi kur kërcënon një femër, dhe ti i kupton mirë tani prioritetet që ka Sali Berisha në Partinë Demokratike.
Nuk di nëse Prokuroria do merret me ketë çështje, por PD pa diskutim qe do përballet me ketë vale dhunuesish.
Duke u ndjerë i pasigurtë, ai tani do të shtyjë në kohë ballafaqimin me grupin parlamentar dhe do të krijojë klimë terrori mbi gjithë ish- mbështetësit e Lulzim Bashës, duke i dhënë selisë së PD trajtën e një reparti ushtarak, që mbrohet nga bandat e tij.
Kjo gjendje psikologjike e tij është e kuptueshme, pasi ai më pak se kushdo tjetër është i interesuar të ketë një Parti Demokratike të madhe.
Në psikozën e luftës ku ka hyrë me SHBA, ai është gati të pastrojë dhe tunelet poshtë SHQUP, që ndryshe nga Ilir Meta, të mos jetojë me paranojat që do vdesë në Malin me Gropa, por në ndonjë gropë të SHQUP. Dhe me siguri që aty poshtë ka ndonjë strehim, duhet t’ia nisë nga puna.
Ai që në fakt qesëndisi Lulzim Bashën për dyert e blinduara të vendosura kundër banditëve të tij, sot po përpiqet të kthejë PD në një repart taliban të dhunshëm, ku të mos guxojë të afrohet asnjë njeri normal, që nuk ka ndërmend të rrihet apo të shahet me banditët që mbushin oborrin e tij.
E vetmja gjë që ai ka në mendje tani, është t’i japë kohë vetes sa të mos lejojë askënd që nuk e adhuron atë, të kalojë atë prag. Dhe po e bën me shpejtësi, dita- ditës.
Të gjithë ata që kanë iluzione tek “hapja” e PD, apo bashkëjetesa me Sali Berishën, duhet të marrin më parë “vizën” tek banditët e tij, pastaj të hyjnë në oborrin e PD dhe të quhen anëtarë të saj.
Pasi t’i ketë poshtëruar të gjithë, pasi të jetë bindur se ata që kanë mbetur janë me të, ai pastaj mund të organizojë “votim” në Këshill Kombëtar për t’i bërë karshillëk SHBA dhe për ta varrosur përfundimisht PD.
Tani për tani do keni punë me banditët e tij. T’i gëzoni!