Ata që deri para 2 muajsh shpreheshin se “SPAK po fle gjumë”, tanimë nuk e thonë atë gjë. Përkundrazi, po shohin me zë dhe figurë, emra të dëgjuar dhe spikatur publikë, tek arrestohen,hetohen dhe gjykohen, apo dhe shpallen në kërkim. Kishte prej tyre që thonin se “SPAK-un e ka blerë Rama”. Dhe kjo një tjetër gjë zhgënjyese. Rama po e nxit SPAK-un, të zbatojë ligjin, dhe aspak nuk merret me detyrat e atij institucioni të drejtësisë së re. I vetmi që po merret intensivisht me SPAK-un, mbetet Sali Berisha. Thonë se “qeveria e kap lepurin me qerre”. Ashtu po vepron edhe SPAK-u tani, dhe meriton përgëzime.
Mbështetjen e madhe, asaj strukture ja ka dhënë edhe vetë partneri ynë stradegjik SHBA, duke treguar gatishmërinë e madhe për nisjen e një fillimi të ri, në procesin e vështirë të zbatimit të ligjit në Shqipëri. SPAK-u, realisht ka një “mal” me dosje penale, korrupsioni dhe jo vetëm, për zyrtarë dhe ish-zyrtarë. Ka ikur tanimë koha kur “vidhje paratë e taksapaguesve dhe shtetit, ikje dhe qëndroje i qetë në vilat dhe pasuritë e tua”. Zëra të besueshëm thonë se “Korriku ka plot surpriza për emra të rëndësishëm të skenës politike dhe jo vetëm”. Mos qofshin vetëm fjalë, pasi ç’ka është thënë në popull, ka dalë.
Ka ardhur koha të shohim prapa hekurave ata që kanë 30 vjet që vjedhin, shkelin ligjin, trazojnë qetësinë dhe rendin në Shqipëri, që kanë 30 vjet që prishin vlerat historike dhe kombëtare, që dirigjojnë rrjetin e korrupsionit, trafiqet, kontrabandën, dhe kanë blerë gjithçka për ti shpëtuar ndëshkimit ligjor. Korriku, (dhe në vazhdim) qoftë muaji i “bekuar”, që drejtësia e re të marrë urimet dhe përgëzimet e shqiptarëve. Drejtësia e re, duhet të tregojë me vepra, se e ka seriozisht misionin e saj. Askush nuk duhet të kujtojë se “jam i paprekshëm”, askush nuk duhet të besojë se “paratë e vjedhura janë pasuria ime”.
Arrestimi i ish-ministrave dhe deputetëve, ka gjasa të thellohet, dhe kjo padyshim kërkon kurajo,guxim qytetar dhe profesional nga prokurorët dhe gjykatësit e drejtësisë së re. Pa ndëshkuar “peshkaqenët”, nuk besoj se drejtësia e re do të krijojë imazhin pozitiv tek qytetarët. Atë që ka bërë dhe vazhdon ta bëjë Edi Rama, duke mos marrë në mbrojtje askënd që shkel ligjin në këtë vend, është mirë ta bëjnë edhe ata që mundohen ti “rrëshkasin” hetimit dhe gjykimit përmes mandatit dhe postit si politikanë.
Paralajmërimi i kreut të SPAK-ut për “hetime intensive për çështjet e korrupsionit në sferat e larta”, tregoi dhe vazhdon të tregojë kurajon e tij dhe stafit të asaj strukture, për të mos ndalur ndëshkimin ligjor ndaj askujt. Zbërthimi i lidhjeve të politikës së djeshme dhe të sotme, me rrjetin e korrupsionit dhe emrat e njohur të biznesit, është vlerësimi më realist për strukturat e drejtësisë së rilindur. SPAK-u, po tregon, se koha e “të paprekshmëve” në Shqipëri ka mbaruar.
Ajo strukturë e re, ka treguar deri tani me prova se “kush ka vjedhur, kush ka vrarë, kush ka zhvatur paratë e popullit dhe ka bashkëpunuar me korrupsionin, e ka vendin në burg, dhe jo në Parlament apo brënda partive politike”. Shpresa dhe optimizmi, lindin tek njeriu, kur ai sheh se gjëra ecin mbarë. Në këtë vend, mungesa e zbatimit të ligjit ka zhgënjyer prej 30 vitesh shqiptarët, duke i detyruar ata të largohen. Arrestimet e “VIP”-ave, tregoi se shpresa ka nisur të rilindë, demokracia të funksionojë, dhe ligji të zbatohet.