MENU
klinika

Pandemia

Në Shqipëri u shtuan familjet e varfra

26.04.2022 - 13:06

Nga raporti i brishtësisë së familjeve shqiptare, publikuar nga Banka e Shqipërisë, rezulton se mbyllja e ekonomisë gjatë periudhë mars-prill 2020, uli të ardhurat e familjeve shqiptare me 13-16% dhe konsumin me 9-11%.

Të ardhurat e familjeve ishin rezistente vetëm për 4-7 muaj, më pas do të ndjenin goditjen ekonomike. Numri i familjeve të varfra gjatë 2020-s u rrit nga 23 në 27 mijë duke përbërë 30% të familjeve në total.

Nga grafiku i BSH-së tregohet se të ardhurat mediane të familjeve shqiptare arrijnë në 60.259 lekë për në muaj dhe 60% e familjeve, i kanë të ardhurat më të ulëta se kjo shifër, duke u klasifikuar si familje të varfra.

Një tjetër element i rëndësishëm është hendeku i madh midis familjeve të pasura, atyre me të ardhura mesatare dhe atyre të varfra në vend.

Familjet e pasura i kanë të ardhurat 3.4 herë më të larta se një familje mesatare. Ndërsa familjet me të ardhura mesatare i kanë të ardhurat 4 herë më të larta se familjet me të ardhura më të ulëta.

37% e të ardhurave totale të familjeve zotërohen nga 20% e familjeve të pasura, ndërsa 20% e familjeve më të varfra zotërojnë vetëm 5% të tyre.

Bazuar në statusin e punësimit të secilit individ mbi 16 vjeç, të dhënat tregojnë që 42% e popullsisë janë të punësuar dhe të vetëpunësuar, 23% janë të papunë, 20% janë pensionistë dhe pjesa tjetër 15% përbëhet nga studentë, si dhe persona me paaftësi të përhershme për punë. Kryesisht të punësuarit gjenden më së shumti në: industrinë përpunuese, shërbime administrative dhe mbështetëse, ndërtim, arsim, si dhe tregti me shumicë dhe pakicë. Ndërsa të vetëpunësuari janë të shpërndarë kryesisht në sektorin e bujqësisë, tregtisë me pakicë dhe shumicë, akomodim dhe shërbim ushqimor, si dhe në industrinë përpunuese.

Burimi kryesor i të ardhurave për një familje shqiptare është puna me 49% të totalit dhe remitancat nga 14-23%. Burimi i tretë është ndihma sociale nga 6-15%.

Burimet e tjera të të ardhurave, si t ardhura nga qiraja apo të ardhurat nga interesat zënë një përqindje fare të vogël, në totalin e të ardhurave. Statistikat tregojnë se së bashku të ardhurat nga puna dhe ato nga emigrantët, përbëjnë rreth 60% deri 80 të totalit të të ardhurave të familjeve, duke pasur një ndikim përcaktues në sjelljen konsumatore dhe financiare të tyre.

Brishtësia e familjeve, përcaktohet jo vetëm nga niveli i të ardhurave, por edhe nga ekspozimi i tyre ndaj kredisë.

Të dhënat tregojnë se në vitin 2019, vetëm 30% e numrit total të familjeve në Shqipëri kanë të paktën një borxh. Nga familjet që kanë të paktën një borxh, 45% e tyre i janë drejtuar sistemit financiar (bankave dhe institucioneve financiare jobanka) dhe 5% i janë drejtuar burimeve të tjera jashtë sistemit financiar, si për shembull familjeve dhe të afërmve. Në totalin e kredive të marra nga sistemi financiar, 25% e rasteve janë kredi hipotekore, ndërsa 75% e huamarrjeve përfaqësojnë kredi pa kolateral, përkatësisht 37% e familjeve kanë kredi konsumatore, 21% kanë llogari overdraft-i dhe 17% kanë karta krediti.

Familjet e varfra posedojnë 28% të kredisë së dhënë.

Ky vrojtim pjesë e Revistës Ekonomike të BSH-së, është bërë me 2.261 familje të shpërndara në gjithë Shqipërinë. Rezultatet e marra nga ky vrojtim janë të peshuara, si rrjedhojë ato mund të përdoren për të përgjithësuar sjelljen e gjithë familjeve shqiptare, sipas autoritetit.

Anketa

27% e shqiptarëve kanë kursyer rregullisht mbi 300 euro në muaj gjatë 2019-s

Rreth 30% e shqiptarëve të anketuar, kanë mënjanë para të kursyera dhe 27% e tyre kanë kursyer rregullisht në vitin 2019.

Banka Qendrore e Austrisë ka publikuar raportin e integrimit ekonomik të Europës, ku bën pjesë dhe vendi jonë dhe që ndërtohet mbi anketat dhe pyetjet ndaj 1.000 personave në 10 shtete.

Shqiptarët kanë përqindjen me të lartë të kursimeve në rajon, në sasi dhe vlerë. Shifrat e BQA-së tregojnë se gjatë 2019-s, një shqiptar ka kursyer mesatarisht 325 euro në muaj. Vlerë kjo që është më e larta ndër vendet e Europës Lindore dhe Juglindore, që po ashtu janë anketuar.

Në Poloni, qytetarët kanë kursyer pothuajse 500 euro në muaj, rregullisht, gjatë 2019-s, duke e bërë vlerën më të lartë ndër vendet e anketuara.

Viti 2019 për Shqipërinë pati zhvillime pozitive, ku shumë sektorë ekonomikë arritën kulmet etyre historike, ndër të cilat edhe depozitat bankare. Për herë të parë, shqiptarët kishin lënë në banka mbi 1 triliardë lekë.

Por, në këtë vit paga mesatare bruto në Shqipëri ishte 53 mijë lekë, që e bën të vështirë kursimin e një vlere mbi 300 euro në muaj. Gjithsesi, të anketuarit nuk përbëjnë masën e qytetarëve në vendin tonë.

Një tjetër faktor mund të jetë evazioni dhe mosdeklarimi real i pagave që ishte problematikë në 2019-n dhe vazhdon të mbetet ende edhe sot në Shqipëri.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Tatim-fitimi/ Të vegjlit e biznesit në “parajsë” fiskale!

Rreziqet dhe pritshmëritë nga prekja e TVSH-së dhe tatim-fitimit

Intervista/ Situata ekonomike dhe zgjidhjet

Civici: Të shtyhet një vit shlyerja e kësteve të kredive

Adrian Civici/ Leku në raport me euron dhe dollarin

Çfarë po ndodh në tregjet monetare?