MENU
klinika

Shifrat për 2020

Interesi i kredive, Shqipëria me nivelin më të lartë në rajon

06.04.2022 - 10:23

Të dhënat krahasuese tregojnë se Shqipëria është vendi me normat më të larta reale të interesit në kredidhënie në zonën e Ballkanit Perëndimor.

Sipas Bankës Botërore, për vitin 2020, norma reale e interesit të kredive në Shqipëri ishte 6.6%. Norma reale e interesit të kredive shprehet si norma mesatare e interesit të kredive e rregulluar me inflacionin, të matur sipas deflatorit të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Pas Shqipërisë, vendi me normat më të larta reale të interesit në rajon është Mali i Zi, me 6.1%, i ndjekur nga Kosova me 5.1%, Maqedonia e Veriut me 4% dhe Bosnje-Hercegovina me 2.9%. Sipas Bankës Botërore, krahasimi i këtyre të dhënave duhen marrë me një lloj rezerve, sepse termat dhe mënyra e raportimit të normave të interesit mund të jenë të ndryshme sipas vendeve. Sidoqoftë, me këto të dhëna që disponohen, Shqipëria duket të jetë më e shtrenjtë në raport me fqinjët në terma të normave reale të interesit. Për vendet e Bashkimit Europian, të dhënat e përditësuara janë të pakta, megjithatë për shumicën e vendeve ato janë më të ulëta krahasuar me rajonin tonë. Kjo reflekton primet më të ulëta të rrezikut të ekonomive, por edhe një politikë monetare ultrastimuluese, me norma bazë negative dhe me kosto të konsiderueshme për mbajtjen e fondeve të papërdorura nga bankat.