Finalizohet operacioni policor i koduar “Pllana”, nga Policia e Lezhës. Arrestohen në flagrancë 2 të rinj dhe sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 26 kilogramë kanabis sativa, 1 automjet dhe 2 aparate celularë.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se dy shtetas po transportonin lëndë narkotike me automjetin e tyre, në aksin e vjetër rrugor Lezhë – Milot, shërbimet e Policisë Lezhë, organizuan menjëherë punën duke bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e automjetit të dyshuar tip “Mitsubish” për kontroll, në fshatin Pllanë, Lezhë.
Si rezultat i kontrollit, brenda mjetit me drejtues shtetasin Ardit Marku, dhe pasagjer shtetasin Emiljan Gega, u gjetën 3 thasë plastmasi ngjyrë e zezë, të mbushura me material bimor të dyshuar lëndë narkotike, ku pas peshimit total të tyre rezultoi 26 kilogramë pesha e tyre.
Lezhe Arrestime
Në vijim të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Ardit Marku, 26 vjeç banues në Kurbin dhe Emiljan Gega, 22 vjeç banues në Kurbin, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda e dyshuar narkotike, automjeti dhe 2 aparatet celularë. Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime mëtejshme.