Mes emrave të shqiptarëve që iu ndalua sot hyrja në SHBA, duke iu sanksionuar edhe pasuria, është Aqif Rakipi dhe Ylli Ndoqi. Por këta nuk janë të vetmit në listën e zezë të SHBA-ve. BalkanWeb ju sjell si më poshtë emrat e zyrtarëve, politikanë dhe jo vetëm, që janë sanksionuar dhe shpallur non-grata nga SHBA.
Kujtojmë se më 19 maj të viti të kaluar ish-kryeministri Sali Berisha u shpall non-grata nga SHBA bashkë me familjen e tij.
Sipas DASH-it, ish-kryeministri shqiptar, ka përdorur pushtetin e tij për përfitimet dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij. Rrjedhimisht, u është ndaluar hyrja në SHBA, Berishës, bashkëshortes së tij, Liri Berisha, djalit të tij, Shkelzen Berisha dhe vajzës, Argita Berisha Malltezi.
Para Berishës, Departamenti Amerikan i Shtetit (DAP), do të shpallte “non–grata” (të padëshiruar) më 14 shkurt 2018 ish-Prokurorin e Përgjithshëm Shqiptar Adriatik Llalla për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion.
Në vendimin e DASH thuhej: “Përveç përcaktimit të z. Llalla, Sekretari po përcakton publikisht edhe bashkëshortin e z. Llalla, Ardjana Llalla, vajzën e tij, Eni Llalla dhe fëmijën tjetër të tij, shtetas jo-amerikan”.
Pak javë më pas, më 16 prill 2018, DASH i ndaloi me të njëjtin motivacion, hyrjen në SHBA, deputetit Tom Doshi bashkëshortes dhe fëmijëve të tij.
“Përveç përcaktimit të z. Doshi, Departamenti po përcakton publikisht edhe bashkëshortin e z. Doshi, Xhovana Doshi, vajzën e tij të rritur, Briana Doshi, djalin e tij të rritur, James Doshi dhe fëmijët e tij të mitur”, thuhej në vendim.
Më 30 korrik 2019, DASH, vendosi të shpallë si person të padëshiruar, duke i refuzuar hyrjen në SHBA kryetarit të Bashkisë së Durrësit asaj kohe Vangjush Dakos dhe familjes së tij. Shkak mbetej sërish përfshirja e këtij zyrtari të lartë në korrupsion.
“Sekretari i Shtetit po përcakton publikisht Kryetarin e Bashkisë Shqiptare të Durrësit Vangjush Dako nën Seksionin 7031 (c) të Aktit të Departamentit të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe Programeve të Ndarura të FY 2019, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të rëndësishëm”
Por përveç këtyre figurave të larta, është një listë e gjatë prej 37 shqiptareve të cilët figurojnë si “persona të rrezikshëm” në listën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Daut Haradinaj, Rexhep Selimi, Azem Syla, Haradin Balaj, Fatmir Limaj, Ramiz Lladrovci, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, Emrush Xhemajli, janë disa prej emrave te shtetasve nga Kosova që SHBA i konsideron “persona të rrezikshëm” për sigurinë e saj.
Në këtë listë i vetmi shtetas nga Shqipëria ishte fillimisht Idajet Beqiri. Ndërsa nga Maqedonia rezultojnë Menduh Thaçi, Gafur Adili dhe Nuri Bexheti, të cilës iu shtua Nicola Gruevski.