MENU
klinika

Krishterimi

Pashka e dy kishave

22.04.2022 - 15:27

      Krishterimi zuri të përhapej rreth 2 000 vjet më parë, në Jude (Izraeli i sotëm), me Jezus Krishtin dhe dishepujt të Tij besnikë.

Gjatë kësaj periudhe, Judea ishte një udhëkryq kulturor, qytetesh e fermash plot lëvizje. Perandori i Romës sundonte. Judenjtë e urrenin sundimin romak – kjo pasi për ta, ishte shtypja që ata kishin duruar historikisht. Besimet kulturore politeiste të Romës, gjithashtu ishin pagane dhe imponuese mbi jetën judaike. Disa judenj vendosën që shpresa e tyre e vetme ishte konformimi ndaj kësaj sfide. Të tjerë u bënë fetarë të zellshëm, të cilët formuan grupe guerrile rezistence kundër Romës. Kurse të tjerë u tërhoqën në shkretëtirën e Judesë, për të studjuar ligjin e hebrenjve dhe për të pritur arrjen përfundimtare të Mesisë (shpëtimtarit) të tyre të premtuar.

Ardhja e Jezus Krishtit

Me këtë sfond kulturor e fetar, filloi edhe shërbesa e Jezusit. Jezusi ishte jude (hebre). Ai ndiqte besimin judaik (hebre) dhe e njihte mirë ligjin e tyre. Në fillim të të tridhjetave, Jezusi filloi që të shkonte nga njëri fshat në tjetrin, duke mësuar nëpër sinagoga dhe duke shëruar ata që vuanin. Mësimet e Jezusit ishin revolucionare. Ai i sfidoi autoritetet e vendosura fetare që të pendoheshin nga vetëgjyqësia dhe hipokrizia e tyre, dhe që të kuptonin që Mbretëria e Perëndisë është e bazuar në shërbim dhe dashuri. Mësimet e Jezusit i trazonin zemrat e njerëzve dhe krijonin paqëndrueshmëri, diçka kjo që i shqetësonte autoritetet fetare të kohës. Shumë shpejt, një grup burrash filluan ta ndiqnin Jezusin dhe ta quanin mësues. Këta u bënë dishepujt e Tij. Jezusi i mësoi dishepujt e Tij, në lidhje me vullnetin e Perëndisë dhe në lidhje me “besëlidhjen e re”, të cilën Perëndia do ta vendoste me njerëzit nëpëmjet Tij. Jezusi i ndihmoi ata që të shihnin që njerëzimi është i lidhur nga vuajtjet dhe kotësitë e jetës, si rezultat i mëkatit. Për shkak të mëkatit, njerëzimi e humbi marrëdhënien e vet me Perëndinë. Qëllimi i kësaj “besëlidhje të re” është që t’i rikthejë ata që e pranojnë atë, një marrëdhënie të përtërirë faljeje dhe dashurie me Perëndinë. Por, çfarë është kjo besëlidhje e re? Jezusi vetë do të paguante për mëkatet e të gjithë njerëzimit duke u kryqëzuar padrejtësisht në një kryq romak. Tri ditë më vonë, Ai do të ringrihej në jetë, duke e mundur vdekjen, për t’i dhënë shpresë një bote të pa- shpresë. E pra, gjithçka ndodhi ashtu siç Jezusi u kishte thënë dhe dishepujt e Tij ishin dëshmitarë të një mrekullie të mahnitshme. Mësuesi i tyre, Jezusi nga Nazareti, vdiq dhe tri ditë më vonë u ngrit për t’u bërë Mesia (Shpëtimtari) i tyre. Të shtyrë nga një porosi e madhe, për të ndarë dashurinë që Perëndia i këtij universi u kishte dhënë atyre, dishepujt filluan që të shpallin këtë ungjill shprese anembanë vendit. Kështu, nga një grup i vogël njerëzish që jetonin në një provincë të vogël të Judesë, rreth 2 000 vjet më parë zuri fill historia e Krishterimit dhe besimi i Krishterë qysh prej asaj kohe është përhapur në të gjithë botën. Mesazhi i tyre i ungjillit, ishte i thjeshtë: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16).

E parathënë në Profeci

Megjithëse shumica e dokumentimit historik për fillimin e besimit të Krishterë, dokumentohet në ngjarjet e Dhjatës së Re, në fakt, historia e Krishterimit filloi me profeci në Dhjatën e Vjetër. Ka rreth 300 profeci (parathënie) të dhëna në një periudhë prej 1 000 vjetësh, që gjenden në Dhjatën e Vjetër, të cilat kanë të bëjnë me ardhjen e Mesisë Judaike (Hebraik). Studimi i jetës, vdekjes dhe sfondit në lidhje me Jezusin, do të na tregonte pa dyshim, që Ai ishte përmbushja e këtyre profecive Mesianike. Prandaj, kohë më përpara se Jezusi të ecte mbi tokë, misioni i Tij iu bë i njohur njerëzimit nëpërmjet Fjalës së Perëndisë.

Një Besim i Bazuar në Fakt Historik

A ndodhi me të vërtetë? Në pamje të parë, historia e origjinës së Krishterimit mund të duket asgjë më tepër sesa një përrallë. Por, besimi i Krishterë, në ndryshime me shumë fe të tjera, varet në ngjarje historike, duke përfshirë edhe një me një rëndësi shumë të madhe. Nëse Jezus Krishti vdiq, por nuk u ngrit përsëri në jetë, atëhere Krishterimi është një mit. Tek 1 e Korintasve 15:14, Pali i këshillon lexuesit e tij, që të kapen fort mbas kësaj të vërtete, që “në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, predikimi ynë është i kotë dhe i kotë është edhe besimi juaj.” Prova për ringjalljen është themeli për të vendosur që Jezusi është me të vërtetë Ai që Ai tha që ishte. Është vlefshmëria historike e këtij fakti qëndror e cila u jep të Krishterëve një shpresë të vërtetë dhe të amshuar në mes të kësaj bote në vuajte.

Degëzimi i besimit të krishterë

Në vitin 1054 ndodh ndarja e parë e madhe e kishës. Ndarja mes kristianëve të perëndimit dhe atyre të lindjes, e ndau krishtërimin në dy pjesë: në katolikë dhe ortodoksë.

Në shekullin e 16-të, katolicizmi u nda edhe një herë dhe lindi protestantizmi, me pasojat e tij politike dhe revolucionare.

Diferencat mes këtyre tre shizmave janë disa. Te katolikët, njohin vetëm një kishë universale. Të gjitha kishat katolike, pavarësisht kontinentit, apo shtetit, janë në komunikim mes tyre, ndajnë një fe, doktrinë dhe rite të përbashkëta, me Papën lider.

Kisha ortodokse, është e ndarë në kishën ortodokse gregoriane, kisha greko-ortodokse, kisha serbe, kisha rumune, kisha shqiptare, etj.

Ndërsa protestantëtm besojnë se vetëm Bibla është shfaqja e Zotit te njerëzimi. Nuk pranojnë rregullat e kishës katolike dhe Papën. Prej këtej ka ardhur edhe emri, si protestues kundër autoritetit të Papës, si dhe kundër ekzagjerimeve fetare, apo ikonave, pagëzimit të fëmijëve, etj., si rregulla të shpikura nga njerëzit dhe jo nga Zoti. Ata ndjekin vetëm Biblën.

Çfarë e dallon kishën katolike nga kisha ortodokse?

Ndarja e parë formale, mes kishës së perëndimit dhe asaj të lindjes u shënua në vitin 1054. Për shumë studiues, kjo ishte një ndarje gjeopolitike: Nga njëra anë u vendos kisha e grekofolësve, “Roma e Lindjes”, që ndryshe u njoh Bizant, ndërsa perëndimi u përfaqësua nga Roma, folësit e gjuhës latine.

Tensionet u rritën në shekullin XI, kur normanët katolikë pushtuan pjesën grekofolëse të jugut të Italisë, duke imponuar rregullat latine.Patriarku i Kostandinopojës reagoi menjëherë, duke ndaluar çdo ritual latin në qyteti. Papa dërgoi një delegacion në Kostandinopojë, për të qetësuar situatën, por shefi i këtij delegacioni, Kardinali Humbert, përjashtoi nga bisedimet stafin e Patriarkut.

Ai bëri të njëjtën gjë, me vizitorin. E përmbledhur, një ndër arsyet e lindjes së fesë ortodokse, ishte mendimi se katolicizmi po liberalizohej shumë si besim fetar, ndaj të krishterët duhet të kishin një besim të ri, sipas udhëzimeve të vërteta hyjnore.

Prej asaj kohe, të dy fetë u ndanë përfundimisht. Dallimi i parë qëndron që te kryqi i përdorur si simbol. Katolikët kanë kryqin ku u kryqëzua Jezusi, të thjeshtë e pa konture. Nga ana tjetër, ortodoksët përdorin një kryq tjetër, që vjen pak më i harkuar në katër cepat dhe me një shtesë në pjesën e sipërme.

Sot, meshat e mbajtura nga ortodoksët zgjasin deri në dy orë, ndërsa ato të katolikëve janë shumë më të shkurtra. Në rastin e Krishtlindjes, katolikët e zhvillojnë meshën në mesnatë, duke pritur datën 25 dhjetor, ndërsa ortodoksët, meshën e bëjnë në mëngjesin e datës 25. Priftërinjtë katolikë e kanë të ndaluar të martohen, ndërsa ata ortodoksë jo. E gjithë feja katolike ka një hierarki të përqëndruar, ku maja e pushtetit është në Vatikan.

Ndryshe ndodh me ortodoksët, të cilat kanë kisha të pavarura nga njëra-tjetra. Kishat më të fuqishme ortodokse janë ato ruse, serbe dhe greke. Edhe kisha ortodokse e Shqipërisë është zyrtarisht e autonome.

Përsa i përket martesës, për ortodoksët as vdekja nuk mund të ndajë përfundimisht, lidhjen mes ty bashkëshortëve. Këtë fuqi e ka vetëm Peshkopi, i cili, nëpërmjet vendimit të tij mund të ndajë një martesë. Ndryshe nga ortodoksët, për katolikët lidhja martesore mbaron në momentin e vdekjes. Kujtoni frazën e famshme “Deri sa vdekja të na ndajë.”

Ortodoksët nuk besojnë në Purgator, edhe pse i ftojnë njerëzit në lutje për shpirtin e të vdekurve. Në të vërtetë thuhet se pas vdekjes, në rrugën e tij drejt afrimit me Zotin, shpirti duhet të kalojë disa pika bllokimi.

Gjatë kësaj rruge, shpirti do të takojë ata që quhen “djajtë e ajrit” dhe nuk duhet të bjerë pre. Për katolikët, dihet se ata besojnë se shpirti i njeriut mund të shkojë në Purgator, Parajsë, apo Ferr.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Shqiptarët janë të vetmit që kanë ruajtur gjuhën e vjetër"

Babai i Albanologjisë që ia dedikoi gjithë jetën e tij studimit të shqipes e Shqipërisë…


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen