MENU
klinika

Kosovë

PDK-ja tregon se si do të funksionojë “qeveria në hije” e saj

02.04.2022 - 11:39

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) javën e ardhshme do t’i bëjë publikë emrat e anëtarëve të “qeverisë në hije”.

Pas dy vitesh në opozitë, PDK-ja vendosi për rikthimin e kabinetit të qeverisjes së mirë, që e kishte pasur edhe gjatë viteve 2004-2005. Përmes të njëjtës dëshirojnë të tregojnë gatishmërinë për të udhëhequr sërish dhe japin një alternativë të re për qytetarët.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi ka thënë të shtunën për KosovaPress, se “qeveria në hije”, do të përbëhet nga disa departamente me personalitete nga jeta akademike dhe ekspertë.

“Departamentet e këtij kabineti do të jenë personalitete me rëndësi nga jeta akademike, nga fushat e ekspertizës dhe persona tjerë që kanë gatishmëri për të kontribuar në politikën e Kosovës. Kryesisht do të jenë njerëz që kanë funksione për herë të parë. Ky është edhe qëllimi ynë, ne kemi qenë të hapur, kemi folur me shumë njerëz të cilët presim të marrin drejtimin ose të jenë anëtarë të kabinetit të qeverisjes së mirë. Kabineti do të funksionojë në atë mënyrë që do të ketë një koordinator për secilin departament që do të mbulojë fushat e përgjegjësisë dhe brenda saj do të ketë numër të ekspertëve, varësisht prej llojit që ka departamenti ose segmenti që prek. Do të jetë një pasqyrë për të parë dallimin mes nesh dhe qeverisë, që ne t’i bindim qytetarët e Kosovës se PDK-ja është e gatshme të qeverisë këtë vend, duke propozuar ide dhe projekte. Por edhe kuadro që janë më profesionistë se këta që po i shohim se iu mungon ekspertiza në qeveri, dhe e kanë shumë vështirë qeverisjen, e kanë paaftësi qeverisjen dhe i përcjellin shumë gafe dhe janë të pazotë në kryerjen e punëve të tyre”, ka thënë ai.