MENU
klinika

Nga Skënder Minxhozi

Për ata që bëjnë sikur s’e kuptojnë thelbin e krizës së PD

13.04.2022 - 11:56

Rithemelimi ja ka hequr të gjitha spaletat që mbante Enkelejd Alibeaj. Perveç njërës. Dhe duhet thënë se kishte plot tetë të tilla, nga kryetar në detyrë i partisë, tek shef i grupit parlamentar, drejtues politik i Fierit, Shkodrës, kryetar i PD Vlorë etjetj. Ishte natyrisht dhe është ende edhe anëtar i parlamentit. Me hir ose me pahir Berisha ja zhveshi Alibeajt të gjitha funksionet, përveç tagrit që e lidh deputetin e Fierit me Kuvendin e Shqipërisë. Rregullisht Doktori thotë se “zoti Alibeaj nuk është kryetar në detyrë i PD, por e njohim si kryetar të grupit parlamentar”.

Dhe tek kjo hollësi që nuk bie shumë në sy, por që nga larg duket si një lëmoshë e vogël e ish-kryeministrit për ish-ministrin e tij të dikurshëm të drejtësisë, qëndron në fakt e gjithë pika fokale, e gjithë epiqendra e tërmetit që po shkund nga themelet Partinë Demokratike që nga shtatori i vitit të shkuar.

Si një njeri i hollë dhe i rrahur me vaj e uthull për 30 vjet, ish-kryeministri është shumë i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm për dallimin që bën mes “kryetarit në detyrë” dhe “kryetarit të grupit parlamentar”, kur flet për Alibeajn. Sepse ai e di mirë që qendra e gravitetit e të gjithë krizës së thellë që kalon sot PD, qëndron në fakt tek i vetmi institucion që ka marrë formë në 25 prill e do ta ruajë këtë formë të paprekur deri në verën e vitit 2025 (nëse s’ka zgjedhje të parakohshme).

Fjala është për Kuvendin. Për atë institucion që duket i larguar dhe i huaj për sherrin e brendshëm të një partie politike, por që në fakt është e vetmja pikë e qëndrueshme në horizontin e trazuar nëpër të cilin kalon PD-ja e sotme.

Qënga shtatori gjithçka është dyzuar brenda Partisë Demokratike. Dy kongrese, dy kryesi, dy kryetarë e sigurisht edhe nga dy degë, seksione e grup-seksione në çdo cep të këtij vendi. Pluhurnaja që ngriti shpallja non grata e Berishës e futi PD në një proces copëzimi e vetëklonimi, që fragmetarizoi deri në qelizë çdo segment të partisë. Përballja e ashpër Basha-Berisha e çoi partinë në një proces të dhunshëm dyzimi.

I vetmi institucion që mbeti i palëvizshëm nga pikëpamja numerike dhe e tagrit të përfaqësimit, është grupi parlamentar. Është pika e vërtetë e krizës, e për pasojë, edhe e zgjidhjes së krizës brenda partisë. Është i vetmi institucion ku Rithemelimi nuk troket dot me vendimin e Agron Zhukrit në dorë, për të spastruar e përjashtuar “karrigethyerit”, siç dikur Berisha quante fraksionistët.

Prej grupit parlamentar, ku mesa duket ka një masë kritike të formësuar qartë që kërkon jo vetëm ikjen e Bashës, por edhe të Berishës, duhet nisur bashkimi i PD. Nëse një i tillë është ende i mundur, kuptohet. Nëse Berisha dhe të tijët do ta shtyjnë këtë moment ballafaqimi dhe debati me deputetët që duan largimin e ish-kryeministrit, pa arritur t’i nënshtrojnë, atëhere PD me shumë gjasë do të shkojë drejt çarjes së pakthyeshme. Sepse grupi parlamentar nuk e ka mandatin as me ngritje dore në stadium, as me votë delegatësh të përgjysmuar si ata të Pallatit të Kongreseve.

Tagri kushtetues i përfaqësimit që deputetët gëzojnë, e bën të palëvizshme bërthamën “kryeneçe” të grupit parlamentar, ku edhe Berisha edhe Basha vijojnë të reklamojnë se kanë shumicën. Nëse ka një sprovë të madhe që bazohet mbi logjikën e shumicës së votave, kjo është gara brenda grupit parlamentar. Të gjitha garat e tjera janë të kontestueshme dhe të dyshimta. Kush merr grupin, merr realisht (e jo me vendime gjyqesh) Partinë Demokratike. Prandaj edhe të gjithë i rrinë larg mesa duket një verifikimi e transparence brenda atij institucioni, pasi verdikti do të ishte i paapelueshëm për humbësin. Cilido qoftë ai.