Kanë kaluar më shumë se dy javë që nga çmimet “Oscar” kur Will Smith goditi me shuplakë Chris Rock dhe tronditi shikuesit në gjithë botën duke u bërë kryefjalë për ditë me radhë. E duket se kjo skenë është ende një temë e nxehtë dhe do jetë e tillë edhe në vijim.
Shuplaka i kushtoi shumë Will-it i cili përveç kritikave u pezullua për 10 vite nga Akademia e “Oscars”. Por, po ashtu po i jep atij edhe përfitime financiare të mëdha dhe të ardhurat e tij janë rritur. Edhe pasi Netflix ka hequr “Fast and Loose” dhe Sony shtyu “Bad Boys 4”.
Përfitimet e Will nuk po vijnë nga kinematografia por nga letërsia. “Will”, libri i tij i botuar dhjetorin e kaluar që nga incidenti është kthyer në një nga librat më të kërkuar në Shtetet e Bashkuara, sipas “Forbes”. Po ashtu, në renditjen e “New York Times” ka kaluar nga i 14-i në vendin e dytë, duke u bërë një best-seller.
Interesi i madh për autobiografinë e Will Smith lidhet me kapitujt në të cilët aktori rrëfen aspekte të tilla si mendimet e tij për vetëvrasje ose marrëdhëniet e tij komplekse me të atin, të cilin ai e adhuronte, por në të njëjtën kohë e urrente për dhunën ndaj nënës së tij.
“Babai im abuzoi nënën time, por në të njëjtën kohë, ai ishte gjithashtu një nga njerëzit më të mirë që kam njohur ndonjëherë. Ky është një konflikt që të godet me të vërtetë sepse mendon, ‘A nuk duhet të urresh dikë që keqtrajton nënën tënde? ‘ Mu deshën vite dhe vite që të mund ta përpunoja atë dikotomi”, shpjegoi Smith në ‘El Hormiguero’.
Nga ana tjetër, Will i dha përfitime edhe Chris Rock, i cili që në momentin e parë refuzoi të denonconte Will Smith, por ama ka ditur të përfitojë nga shuplaka. Jo më kot shfaqjet e tij humoristike janë shitur kudo që ai shkon.
Publiku nuk dëshiron të humbasë shfaqjet me shpresën që të dëgjojë deklaratën e tij për incidentin. Por duket se Chris Rock nuk është aspak keq në marketing dhe po e shfrytëzon këtë situatë. Ai nuk ka folur dhe sigurisht që nuk do e bëjë këtë në të ardhmen e afërt.
Madje, në shfaqjen e fundit Chris Rocka ka thënë: “Jam mirë, kam një shfaqje të tërë dhe nuk po flas për [incidentin e Will Smith] derisa të paguhem. Jeta është e bukur. Mu rikthye dëgjimi”.
Komediani duket se po pret dikë për t’i mbushur llogarinë e tij në këmbim të lajmit ekskluziv. Nëse Chris do të na thotë se ai po pret për tu paguar për një intervistë ekskluzive, ka gjasa që ai dhe ekipi i tij tashmë janë kontaktuar nga çdo studio televizive. Ndoshta askush nuk ka ofruar para mjaftueshëm?
Ndoshta ai po flet për një padi civile kundër Will-it, ku ai mund të marrë një pagesë si dëmshpërblim edhe në këtë mënyrë. Ndoshta mund të jetë duke bërë shaka…
Është e paqartë se sa serioz është ky koment, por duke marrë parasysh kontekstin- Chris duket se është në gjendje të mirë shpirtërore.