Të gjitha luftërat përfundojnë një ditë, dhe momentet e dhënies fund të tyre janë shpesh shumë emocionuese dhe të paharrueshme. Për shembull kujtojmë dorëzimin e gjeneralit të Konfederës Robert E.Lee tek gjenerali i Unionit Ulysses S.Grant në prillin e vitit 1865, çka i dha fund Luftës Civile në SHBA.
Apo armëpushimin që i dha fund Luftës së Parë Botërore, të nënshkruar nga Gjermania dhe aleatët në një vagon treni afër Parisit në nëntorin e vitit 1918. Ose fundin e Luftës së Ftohtë, të simbolizuar nga rrëzimi i Murit të Berlinit në nëntorin e 1989-ës dhe më vonë, ulja e flamurit sovjetik nga Kremlini ditën e Krishtlindjeve të vitit 1991
Këto skena duken madhështore në imagjinatën kulturore, pra si momente vendimtare që krijonin ndjenjën e mbylljes së një kapitulli të errët. Por spektakli rreth fundit të një lufte mund të jetë mashtrues. Dorëzimi i Konfederatës në godinën e Gjykatës Apomatoks nuk i zgjidhi tensionet politike dhe kulturore midis Veriut dhe Jugut, dhe as i dha fund paragjykimeve racore dhe dallimeve politike të lidhura me to, të cilat zgjatën edhe për shumë kohë pasi u shfuqizua skllavëria në SHBA.
Periudha ndërmjet dy luftërave botërore e viteve 1920-1930, në Evropë ishte e mbushur me ankthe dhe tensione që kulmuan në një luftë tjetër të madhe. Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore shënoi fillimin e Luftës së Ftohtë. Dhe, pavarësisht nga shembja e Bashkimit Sovjetik, Lufta e Ftohtë mund të mos ketë përfunduar, madje ajo mund të jetë ende në vazhdim.
Me luftën që ka nisur Rusia në Ukrainë, mund të mos ketë një moment të veçantë që të shënojë fundin e konfliktit. Ose të paktën jo edhe për ca kohë. Pas 8 javësh luftimesh – një kohë shumë më e gjatë nga sa pritej nga secila palë – është një mundësi reale që asnjë vend të mos arrijë atë që dëshiron.
Ukraina mund të mos jetë në gjendje t’i dëbojë plotësisht forcat ruse nga territori që ato kanë vënën nën kontroll që kur nisi pushtimi më 24 shkurt. Ndërkohë, edhe Rusia ka të ngjarë të mos arrijë objektivin e saj kryesor politik: kontrollin e plotë mbi Ukrainën.
Në vend se të arrihet një zgjidhje përfundimtare, lufta mund të sjellë një epokë të re të një konflikti të karakterizuar nga një cikël luftërash ruse në Ukrainë. Nëse lufta nuk përfundon shumë shpejt, pyetja kryesore është: Në anën e kujt është koha? Koha mund të jetë në anën e Rusisë.
Një luftë e zgjatur, nga disa muaj në vite, mund të jetë një rezultat i pranueshëm dhe ndoshta edhe i favorshëm për Moskën. Sigurisht, ky skenar do të ishte një rezultat i tmerrshëm për Ukrainën, e cila do të ishte e shkatërruar si vend, por edhe për Perëndimin, që do të përballej me vite të tëra destabiliteti në Evropë, dhe kërcënimin e vazhdueshëm të përhapjes së konfliktit.
Por një luftë afatgjatë në Ukrainë do të kishte pasoja serioze në nivel global, duke shkaktuar uri dhe pasiguri ekonomike. Një luftë e gjatë Rusi-Ukrainë, rrezikon gjithashtu të dobësojë mbështetjen për Kievin në shoqëritë perëndimore, të cilat nuk janë të përgatitura si duhet për të përballuar konflikte ushtarake të mëdha, madje edhe ato që ndodhin diku tjetër.
Shoqëritë perëndimore post-moderne, me orientim komercial, dhe të mësuara me komoditetin e një bote të globalizuar në kohë paqeje, mund ta humbin interesin për luftën. Ndryshe nga shoqëria ruse, të cilën makineria propagandistike e presidentit Vladimir Putin e ka përgatitur dhe shndërruar në një shoqëri të kohës së luftës.
Megjithëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë të justifikuar të shpresojnë dhe të punojnë drejt një fitoreje të shpejtë të Ukrainës, politikë-bërësit perëndimorë duhet gjithashtu të përgatiten edhe për skenarin e një lufte të gjatë. Putin ka shumë arsye që të mos i japë fund luftës që ka nisur.
Ai nuk është pranë përmbushjes së objektivave të tij kryesore. Deri më tani, ushtritë e tij nuk janë shfaqur aq mirë në front saqë Rusia t’i impononte Ukrainës kapitullimin. Po ashtu Rusia është shumë larg nga rrëzimi i qeverisë ukrainase. Dështimet e Moskës kanë qenë publike dhe poshtëruese.
Mbytja e luftanijes ruse “Moskva” me shumë gjasa nga raketat ukrainase, është një tjetër shembull shumë i dukshëm i poshtërimit ushtarak të Rusisë. Putin ka paguar një kosto të lartë për pushtimin që ka nisur. Dhe nga këndvështrimi i tij, çdo marrëveshje e ardhshme e paqes pa lëshime të mëdha nga Ukraina, do të ishte e zhbalancuar në raport me humbjen e jetëve, materialeve dhe izolimin ndërkombëtar që ka përjetuar Rusia.
Në këto kushte Putin mund t’i drejtohet një lufte të gjatë e të përgjakshme, e cila sjell disa avantazhe për të. Në këtë skenar, Rusia do të kishte mjaftueshëm kohë për të rekrutuar dhe trajnuar qindra mijëra ushtarë të rinj, çka mund ta ndryshonte rezultatin e luftës.
Po ashtu ushtria ruse mund të rindërtojë forcat e saj të dobësuara, sidomos nëse buxheti shtetëror i Rusisë mbetet i qëndrueshëm, pra nëse vazhdojnë pagesat e shitjes së energjisë në Evropë dhe gjetkë. Një luftë e gjatë mund ta ndihmojë Putinin të ushtrojë presion mbi aleancën transatlantike, sidomos nëse do të nisë të zbehet mbështetja për Ukrainën në Perëndim.
Putini i sheh demokracitë perëndimore si të paqëndrueshme dhe joefikase. Ai mund të shpresojë tek ndryshimet politike në Evropë apo Shtetet e Bashkuara. Nëse Donald Trump rizgjidhet në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ai mund të përpiqet sërish të arrijë një marrëveshje me Rusinë, me gjasë në kurriz të NATO-s.
Nga ana tjetër, edhe Ukraina ka shumë arsye që të mos i japë fund luftës përmes një armëpushimi të parakohshëm sipas kushteve ruse. Ushtria e saj është treguar shumë e aftë në fushën e betejës. Ukraina ka treguar se këmbëngulja dhe morali i lartë, ndihmuar nga dronët dhe armët moderne antitank, mund t`i forcojnë kapacitetet e saj mbrojtëse.
Rusia ka jo pak gjasa që ta humbë këtë luftë. Ndërsa Ukraina ka një shans të mirë t’i japë fund kësaj lufte me kushte më të mira, sesa me lëshimet e papranueshme që Moska kërkon aktualisht nga Kievi. Aktet brutale të luftës nga ana e Rusisë, i kanë vështirësuar negociatat për një armëpushim të mundshëm në të ardhmen.
Zelensky ka rënë dakord tashmë të mos anëtarësohet në NATO. Por çarmatosja dhe çmilitarizimi i forcave ukrainase, do të kufizonte sovranitetin ukrainas. Shpesh diktatorët kanë luksin të luajnë një lojë të gjatë. Ose të paktën kështu mendojnë ata.
Për më tepër, çdo lëshim i bërë nga Kievi do të duhej gjithashtu të miratohej nga popullsia ukrainase. Ukraina po e paguan me gjak këtë luftë të tmerrshme. Një “marrëveshje me djallin” mund të perceptohet si diçka shumë më e keqe se sa mosarritja e asnjë marrëveshje.
Kostot e një përfundimi të shpejtë të kësaj lufte, mund të jenë shumë më të larta për Ukrainën sesa për Rusinë. Për Rusinë, përfundimi i luftës me kushtet e Ukrainës rrezikon të dëmtojë krenarinë e një diktatori. Për Ukrainën, nxitimi për të pranuar kushtet ruse rrezikon mirëqenien e qytetarëve të saj dhe ekzistencën e saj si shtet i pavarur.
Por një luftë afatgjatë paraqet shumë sfida politike për Ukrainën. Nëse lufta zgjat me vite, asaj do t’i duhet të mbajë të paprekur sistemin politik dhe demokracinë dinamike. Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Ukrainë janë planifikuar për në pranverën e vitit 2024, pikërisht në kohën kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme presidenciale ruse.
Por zgjedhjet ruse do të jenë të rreme, ndërsa ato ukrainase do të jenë reale. Siç paralajmëroi dikur filozofi politik francez Alexis de Tocqueville: “Asnjë luftë e zgjatur nuk mund të mos e rrezikojë lirinë e një vendi demokratik”. Ukrainës do t’i duhet të provojë se ai e kishte gabim.
Ndërkohë, një luftë e gjatë në Ukrainë do të kishte pasoja të mëdha edhe për kontinentin evropian. Evropa nuk do të ishte e plotë, e lirë dhe në paqe. Ai do të përmbante brenda vetes një zonë lufte të ngarkuar me kërcënimin e përshkallëzimit. Eksodi i refugjatëve ukrainas do të vazhdonte, dhe me kalimin e kohës emigrantët mund të vendoseshin përgjithmonë në Evropë.
Pasojat do të ishin serioze edhe në shkallë globale. Ajo do të përkeqësonte urinë globale, duke pasur parasysh se Ukraina dhe Rusia janë prodhuesit kryesorë të produkteve ushqimore si gruri. Dhe uria globale nxit destabilitetin global.
Burimi: Foreign Affairs