MENU
klinika

Intervista

Preç Zogaj: Vija ndarëse në PD janë marrëdhëniet me SHBA dhe Perëndimin

13.04.2022 - 17:03

Presidenti i institutit liberal “Pashko”, Preç Zogaj ka dhënë një intervistë për gazetën “Mapo”. Duke komentuar zhvillimet me të fundit në vend, veçanërisht pas vendimit të SHBA-së për të futur në listën e zezë një biznesmen dhe një ish-politikan, Zogaj flet edhe për komplementaritetin që ka lufta në Ukrainë me luftën kundër korrupsionit të lartë në rajon dhe në Shqipëri. Lidhur me këtë, ai, nënvizon  se “non gratta” nuk është një instrument që përdoret  vetëm  nga SHBA-të, por po përqafohet edhe nga Britania e Madhe, e cila sipas tij përfaqëson  një krah të fuqishëm të aleancës  euroatlantike.

Mapo: Shtetet e Bashkura  të Amerikës  shpallën të hënën  non gratta  një listë të re me poiltikanë, ish poltikanë dhe zyrtarë të lartë në  Bosnje-Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, ndërkohë  që nga Shqipëria futen në listën e  zezë  biznesmenin  Ylli Ndroqi dhe ish deputetin Aqif Rakipin, duke e çuar në gjashtë  numrin e shqiptarëve  të shpallur non gratta nga  SHBA.  Çfarë përfaqësojnë sipas jush këto  shpallje  të  reja  në kontekstin e politikës  së SHBA për Shqipërinë dhe rajonin.

Perfaqësojnë  stuhinë që vazhdon të  ngrihet  për të  ndëshkuar  në vijimësi përsona të përfshirë në aktiivitete  destabilizuese dhe korruptive, siç u  shpreh Sekretari i Shtetit Blinken. Pavarësisht se po udhëheq koalicionin e vendve të lira në  mbështetje të Ukrainës kundër agresionit barbar të Rusisë,  duket qartë se  Uashingtoni nuk i ka lënë  pezull  angazhimet e shpallura në  rajon dhe në Shqipëri.  Ky  fakt flet shumë për rëndësinë e çeshtjes sikurse  na tregon edhe komplementaritetin  që ka  lufta  në Ukrainë me  luftën kundër korrupsionit  të lartë  në  rajon dhe në Shqipëri. Sado të largëta mund të duken.

Mapo: Ku konsiston ky që ju e quani komplementaritet?

Në të dy rastet lufta në thelb është për demokracinë kundër autokracisë dhe tiranisë ekspansioniste që  në skenën botërore të ditëve tona  përfaqësohet piksëpari nga regjimi rus me Putinin në krye.

Mapo: Në listën e të sanksionurve të  fundit shohim  emra  poltikanësh dhe ish politikanësh  të lartë  nga  vendet fqinje të Ballkanit, ndërkohë që nga  Shqipëria kemi  një ish deputet dhe një biznesmen. Si e shihni këtë kombinim?

Emrat  dalin në bazë të fakteve të  verefikuara. Grupimi i tyre nuk ka ndonjë motiv tjetër. I vetmi “kombinim” që shoh në  shpalljet  e fundit është  bashkrendimi  i  dy Departamenteve , i Shtetit dhe  Thesarit.  Me theks nga Thesari, që sanksionon pasuritë kriminale  dhe korruptive.. Vura re se shpalljet  kanë të përbashkët, veç të tjerash, fokusimin te korrupsioni zgjedhor dhe në mënyrë me ekspicite te shitblerja  e votave, si një dukuri që shkatërron themelin e demokracisë. Ish kryeministri i Maqedonisë së  Veriut, Nikolla Gruevski,  është shpallur edhe për krime zgjedhore.  Rasti i ish deputeti  të Kuvendit të Shqipërisë, Aqif Rakipi  vendoset  nga Departamenti i Shtetit  në kontekstin  e  dukurisë me  përhapjeje të gjerë të shitblerjes së votave “Grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike”, nënvizon Departamendi i Shtetit. Ky paragraf është një damkë e madhe, e  merituar që   praktikisht e bën vulnerabël legjitimitetin e zgjedhjeve  të 25 prillit.  Kryeministri Rama është  i njoftuar tashmë për këtë.

Mapo: Në një shënim të Sekretarit  të Shtetit, Blinken për këto shpallje  thuhet se  SHBA dhe partnerët si Britania e Madhe po mbajnë përgjegjës ata që kërcënojnë stabilitetin, përparimin dhe integrimin evropian të rajonit.  Tërheq  vëmendjen përmendja  këtu e Britanisë së Madhe. Si e komentoni këtë?

Është  vërtetë  një risi , një lajm i gëzueshëm. Do të thotë se “non grata” nuk është një instrument që përdoret  vetëm  nga SHBA, por  po përqafohet edhe nga Britania e Madhe, që përfaqëson  një krah të fuqishëm të aleancës  euroatlantike dhe është gjithnjë e me aktive në rajonin tonë dhe në Shqipëri  me politikën  dhe diplomacinë e saj  të sprovuar. Është shumë e rëndësishme që vendet mike e përtnerë të Perendimit  të  jenë në unison përballë  individëve dhe grupeve,  që  janë përfshirë në aktivitete destabilizues dhe korruptive.

Mapo: A mund të ndodhë  që  edhe BE do t’u  bashkohet SHBA për  shpalljet non grata të zyrtarëve dhe ish zyrtarëve  të  vendeve të rajonit?

Besoj se po. Britania e Madhe, siç e thamë më lart, ka dhënë shembullin e para. Në  dritën e nje koshience të re për  bashkimin që po fitojnë vendet e BE-së përkundrejt rrezikut  rus dhe rreziqeve të tjera që u vinë demokraciive nga regjimet antidemokrartike  apo  iliberale,   instrumenti “ non grata” pritet  të përdoret edhe  nga  Brukseli si kryeqyteti politik i BE-së, edhe nga  vendet e veçanta dhe nga grupet politike brenda  këtij unioni. Nuk është rastësi, por  është  në logjikën e koshiencës që përmendëm me lart që dy prej figurave europiane që po spikasin në mbështetjen  e Ukrainës dhe në përballjen me Moskën, janë kryetarja e Komisonit Euopian, Ursula Von der Leyen dhe   komisioneri I Jashtëm, Josep Borrell. Protagonizmi i tyre  ilustron faktin se bashkimi po prevalon ndaj   singolariteteve. Perendimi do flasë  gjithnjë e më shumë  me një gojë për çeshtjet kyçe të sigurisë dhe demokracisë.

Mapo: Gjatë javës së shkuar u mbajt Kongresi i PS-së, një ngjarje që  kaloi pa ndonjë jehonë  të veçantë në publik. Çfarë ju bëri më shumë përshtypje nga ky Kongres?

Fakti që kaloi pa jehonë nuk duhet marrë si  një gjë negative.Shoqëria duket se është në një proces distancimi  dhe tëhujëzimi  me shfaqjet  propagandistike pa thelb, pa risi, që  janë shfaqje  tipike rregjimi. Ajo që më bëri përshtypje  ishte  referimi i tepruar, gati si zbulim, i atij që Rama e quan këshillim kombëtar.  Ku kishin marrë pjesë me sa dëgjova rreth pesëqind mijë njerëz. Njerësit mund të pyetën, unë nuk janë kundër konsultimit me njerëzit, por  ketë e bëjnë edhe diktaturat, edhe rregjimet njëpartiake.  Edhe Enver Hoxha thoshte “ ç’don populli bën partia”, por e pamë se çfarë bëri. Demokracia e dëshmon natyrën e saj përmes  votimit të fshehtë, përmes referendumeve  kur është fjala për të pyetur publikun ose me zgjedhje të lira kur votohet për  pushtetin qëndror apo vendor. Referendume në Shqipëri  nuk ka, zgjedhjet shiten e blihen, siç e thotë edhe Departamenti i Shtetit. Sa përqind të qytetarëve të rritur përfaqësojnë 500 mijë njerëz?  Çfarë garancish e sigurish ka se si janë mbushur e kush i ka mbushur ato fletë? Zero. Ato  mund ti vlejnë Ramës për  njohje , por nuk vlejnë për të marrë vendime në emër të popullit. Sepse  janë shumë më pak se sa është populli dhe u mungon siguria. Por ne kuptuam se si po përparon në mendjen e Ramës demokracia konsultative ala kineze, ndërsa  është goditur rëndë demokracia e votës së lirë, të drejtë e të barabartë. Koha është e tillë që  Rama nuk prodhon më asgjë të re. Trukeve të tij u ka dalë boja, thjesht  përfiton nga kriza që ka përfshirë opozitën.

Mapo: Kriza e opozitës vazhdon. Edhe dje ka vijuar përplasja  në grupin Parlamentar. Ku ngec sipas jush bashkimi i PD-së dhe a ka shanse të realizohet?

Më duhet të përsëris veten: Ngec te Berisha. Berisha është pengesa. Të qenët e tij non grata është pengesa.Kjo është e verteta lakuriqe që ka dalë në dritë pas dorëheqjes së  Bashës. Motivet e Foltores kanë qëne një potpuri deri vonë. Ose kështu janë paraqitur  së paku. Disa thoshnin se mbyllen sytë dhe u bënë me Foltoren  sepse Basha është humbës. Disa sepse Basha kishte vrarë demokracinë e brëndshme në parti! Disa për hatermbetje përsonale. Disa  me arsyetimin se vetem Berisha mund ta largojë Bashën dhe sapo ta largojë, do të tërhiqet. Sepse, do të ndihet  i shpërblyer në lëvizjen  tij hakmarrëse kundër ish delfinit,  sepse e  di se nuk mund të qëndrojë  dhe nuk mund të fitojë  në krye  të PD-së duke qenë i shpallur non grata. Disa të tjerë duke besuar narrativën e tij se SHBA ia kanë bërë sepse ka mbrojtur Kosovën, se ai e ka hedhur në gjyq në Francë  dhe dhe dhe do ta nxjerrë  bllof  sekretarin Blinker, e tjerë e tjerë. Me dorëheqjen e Bashës dhe me lajmet që ka dhënë vetë Berisha për gjyqin e Parisit, tërë këto motive  janë reduktuar në  një motiv: në motivin fillestar, në motivin e vertëtë:  që është motivi  i sfidimit të shpalljes non gratta nga SHBA me njerëz  nga pas, duke synuar përdorimin e PD-së si bunker dhe si  kartë force përballë SHBA. Ky është momenti i qartësisë për ndarjen  në PD.  Bashkëpunim  të ngushtë me SHBA ose  ndërpreje të  marrëdhënieve me ta, pra izolim prej tyre.  Kjo nuk është çështje e diveristetit të mendimit brenda një partie. Bëhet fjalë për opsione përjashtuese  të njëra-tjetrës.

Mapo: Por Berisha me të tijtë  i mëshojnë  tezës  se SHBA  mund të ndryshojnë qëndrim dhe sjellin si shembull  rikthimin e Berishës në vitin 2005 pas  një periudhe  në marrëdhënie të ftohta e gati të ngrira me SHBA…

Njeriu nga natyra është bir i rrugës së tij gjithashtu.  Berisha është ringritur njëherë  nga hiri pas krizës së vitit 1997  dhe ngjarjeve të vitit 1998 që shënojnë pikën me të ulët të marrëdhënieve të tij dhe PD-së me SHBA. Nga kjo pikapmje nuk është e panatyrshme që ai të shpresojë në përseritjen e historisë. Por periudha e atëhershme me të sotmen nuk kanë të krahasuar. Në atë kohë Berisha nuk ka qenë i shpallur non grata.  (Pa llogaritur të tjerat që lidhen me konsuimin e ciklit  të tij politik). SHBA kanë berë të qartë për këto që ka sy dhe veshë se non grata për korrupsion domethenes nuk ndryshon dhe se SHBA nuk do të kenë marrëdhënie me PD nëse drejtohet apo zotërohet nga një non grata. Këtu është vija e ndarjes. Këtu  jemi në realpoltikë, jo në nostalgji. Pozita e zotit Berisha do të dobësohet ndjeshëm nga rrethimi me shembuj të tjerë të shpalljes non grata që  që me sa shihet nuk  do të rreshtin as në rajon, as në Shqiperi. Ndaj i kam propozuar,  me realizëm dhe pa të keq siç thotë një shprehje, të bëjë një hap pas, të  lejojë PD  që jo vetëm të bashkohet, por, më kryesorja, të hapet drejt elektoratit të madh gri dhe  të bëhet e  pelqyeshme  edhe për ketë elektorat   si një kusht për tu bërë  force fituese. Këtë nuk e arrin dot Kuvendi i tij i 30 prillit./Mapo.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN