MENU
klinika

Nesër nisin zyrtarisht negociatat me opozitën

PS mbledh sot Grupin Parlamentar për propozimin e emrave për presidentin e ri

19.04.2022 - 10:14

Ashtu siç ishte parashikuar, Partia Socialiste do të mbledhë sot Grupin e saj Parlamentar ku do të depozitohen emrat e propozuar nga ana e deputetëve për emrin e presidenti të ri. Gazetari Ergys Gjençaj raporton për BalkanWeb se mbledhja do të nisë në orën 10:00, ku deputetët socialistë do të dorëzojnë nga një zarf, brenda të cilit do të jenë 3 emra, ndërsa gjithçka do të bëhet në kushte anonimati.

PS ka ngritur një grup pune që do të zhvillojë konsultimet me grupet e tjera e parlamentare në Kuvend, për të përzgjedhur një emër konsensual, ndërsa të mërkurën thuhet se do të ulet në një tryezë me opozitën. Mësohet se Balla nesër ka ftuar në Kryesinë e Kuvendit pasditen e nesërme përfaqësuesit e 3 grupeve parlamentare, Enkelejd Alibeajn, Mesila Dodën dhe Fatmir Mediun.

Maxhoranca ka mandatuar kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Ballën, Elisa Spiropalin dhe Damian Gjiknurin në grupin e punës, që do të menaxhojnë procesin për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Kujtojmë se Ilir Metës i mbaron mandati i presidentit më 24 korrik.