MENU
klinika

Studim

Pse njerëzit optimistë jetojnë më gjatë?

26.04.2022 - 19:43

Njerëzit që kanë një pikëpamje më optimiste mbi botën, mund të jetojnë më shëndetshëm dhe më gjatë se të tjerët, sepse përjetojnë më pak situata stresuese. Në këtë përfundim ka arritur një studim i ri.

Shkencëtarët zbuluan se ndërsa optimistët reagonin dhe e merrnin veten nga situatat stresuese në të njëjtën mënyrë si pesimistët, ata ia dilnin më mirë në aspektin emocional, për shkak se kishin më pak ngjarje stresuese në jetën e tyre të përditshme.

Mbetet ende e paqartë se si optimistët e minimizojnë dozën e tyre të stresit. Por studiuesit besojnë se ata ose i shmangin debatet, nuk e prishin gjakun nga humbja e çelësave të shtëpisë apo nuk nervozohen kur bllokohen në trafik, apo thjesht nuk arrijnë t’i perceptojnë këto ngjarje si stresuese.

Studimet e mëparshme, kishin gjetur prova se optimistët jetojnë më gjatë dhe më shëndetshëm, por studiuesit nuk e kuptojnë plotësisht se pse qasja e “shikimit në çdo rast të gotës gjysmë plot”, mund të kontribuojë në një plakje të shëndetshme.

“Duke pasur parasysh studimet e mëhershme, që e lidhnin optimizmin me jetëgjatësinë, plakjen e shëndetshme dhe rreziqet më të ulëta të sëmundjeve serioze, dukej si një hap tjetër logjik të shqyrtohej nëse optimizmi mund të mbronte të moshuarit nga efektet e dëmshme të stresit”- thotë dr.Levina Li, psikologe klinike në Sistemin e Kujdesit Shëndetësor të Bostonit për Çështjet e Veteranëve.

Li dhe kolegët e saj analizuan informacionin e dhënë nga 233 burra, të cilët ishin të paktën 21 vjeç kur u regjistruan në Studimin Normativ të Plakjes së Veteranëve në SHBA midis viteve 1961-1970. Sondazhet e kryera në vitet 1980-1990, matën nivelet e optimizmit të këtyre burrave.

“Ne zbuluam se burrat më optimistë, raportuan se kishin më pak ngjarje të përditshme stresuese, gjë që shpjegoi pjesërisht edhe nivelet e tyre më të ulëta të humorit negativ. Kjo gjë na nxiti të hipotetizojmë se ndoshta burrat më optimistë ose e kufizuan ekspozimin e tyre ndaj situatave stresuese, ose kishin më pak gjasa t’i perceptonin apo etiketonin si stresuese situatat e ndryshme”- thotë Li.

Edhe pse studimi i botuar në “Journals of Gerontology” u fokusua tek burrat e moshuar, Litha se priste që gjetjet të vlenin edhe për gratë e moshuara.

Të qenit më optimist, nuk do të thotë të injorosh rreziqet, gjë që është një keqkuptim i zakonshëm për optimizmin. Ai mund të përfshijë njohjen e pikave tona të forta, shembujve të kaluar të suksesit, dhe fushave mbi të cilat kemi kontroll, në mënyrë që të arrijmë në një këndvështrim më pozitiv dhe më të sigurt”– përfundoi ekspertja.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Amazing Grace" feston ditëlindjen

112-vjeçarja zbulon sekretin e jetëgjatësisë