MENU
klinika

"BSH do të vijojë me masat..."

Rritja e çmimeve, Sejko: Ekonomia do t’i rezistojë goditjes!

01.04.2022 - 10:05

Vala e rritjes së çmimeve ka ngjallur pasiguri në tregun vendas, në të njëjtën kohë, ka lëkundur ekuilibrat në tregjet botërore.

Sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, kjo goditje padyshim do të lërë gjurmët e saj në ekonomi dhe në bilancet e bizneseve dhe familjeve shqiptare. Megjithatë, shtoi guvernatori, bazat solide të stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit, si dhe mbështetja në masën dhe në kohën e duhur me instrumente monetare dhe fiskale, rrisin besimin se ekonomia jonë do t’i rezistojë edhe kësaj goditjeje.

“Në përputhje me mandatin e saj ligjor, Banka e Shqipërisë do të vijojë të marrë masat e nevojshme për ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit, si parakusht për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë”, tha Sejko në takimin e zhvilluar dje me delegacionin e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar të shoqëruar nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Alastair King-Smith.

Guvernatori e njohu delegacionin me zhvillimet ekonomike e financiare të vendit, si dhe perspektivat e tyre për të ardhmen. Ndërsa evidentoi progresin e bërë nga Shqipëria gjatë periudhës së tranzicionit, suksesin në përballimin e goditjeve të tërmetit dhe të pandemisë, si dhe rimëkëmbjen e shpejtë që ekonomia shqiptare shënoi gjatë vitit të shkuar, Sejko vuri në dukje rolin pozitiv që pati reagimi i shpejtë, i vendosur dhe efektiv i autoriteteve publike, nëpërmjet instrumenteve fiskale, monetare dhe rregullatore.

INTEGRIMI

Më tej, guvernatori Sejko u ndal në prospektet pozitive të zhvillimit ekonomik të vendit, duke vënë theksin në rolin e pazëvendësueshëm që ka procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe nevojën për reforma të mëtejshme strukturore në interes të forcimit të potencialeve të zhvillimit. Në këtë kontekst, Sejko falënderoi të pranishmit për rolin që komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi dhe Mbretëria e Bashkuar në veçanti kanë pasur në rrugën tonë të tranzicionit, si nëpërmjet mbështetjes me fonde financiare ashtu dhe nëpërmjet transferimit të dijeve dhe ndihmës në ngritjen e kapaciteteve.

TAKIMI

Gjatë takimit të zhvilluar dje në ambientet e Bankës së Shqipërisë, delegacioni i Mbretërisë së Bashkuar shprehu interesin mbi rrugët dhe mënyrat e forcimit të shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare. Ata ndanë opinionin e përbashkët se vendi ofron perspektiva interesante investimi në fushën e industrisë financiare, të energjisë dhe të turizmit. Në përfundim të takimit, delegacioni vizitoi dhe Muzeun e Bankës së Shqipërisë për t’u njohur me historinë monetare të vendit tonë, ku vlen të përmendet edhe bashkëpunimi i hershëm dypalësh në emetimin e kartëmonedhës shqiptare, duke qenë se kartëmonedhat e para shqiptare janë prodhuar në Britaninë e Madhe dhe disa të tjera janë dizajnuar nga artistë britanikë.