Nga Skënder Minxhozi
Sa herë që SHBA hap listat e zullumqarëve në Shqipëri, efekti më i parë është ai i hutimit. Në derën e Parlamentit kishte shumë gazetarë kuriozë për shpalljen non grata të një politikani dhe një bosi mediash por deputetët e ministrat që kalonin para tyre kufizoheshin me ndonjë batutë apo gjysëm fraze të hedhur në nxitim. Efekti që futja në listat e zeza amerikane të emrave të rinj të politikës e biznesit shqiptar shkakton, ka brenda gjithnjë hutim dhe frikë. Të dyja të justifikuara.
Shpallja non grata e Aqif Rakipit dhe Ylli Ndroqit përfliteshin prej muajsh në ambjentet e politikës e medias. Në thelb ishte një lajm që priste vetëm të zyrtarizohej. Edhe sot, si në të shkuarën, përfaqësuesit e qeverisë u fshehën pas shprehjes “vendimet e SHBA nuk diskutohen” kurse opozitarët më së shumti thanë se nuk e kishin lexuar akoma lajmin.
Vendimi i radhës i DASH dhe Departamentit të Thesarit në SHBA përfshin edhe figura të njohura të politikës rajonale. Milorad Dodikut, aq të përmendur nga përkrqahësit e Berishës muajt e fundit, i janë shtuar ish-kryeministri maqedon Gruevski të cilin amerikanët e përcaktojnë si të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion. Vathës ballkanike të të padëshëruarve i shtohen edhe ish-kryetari i federatës Serbi-Mali i zi në vitet 2003-2006 Maroviç dhe deputeti boshnjak Saraljiç si dhe kryeprokurorja e Bosnje-Hercegovinës Tadiç.
Siç shihet, as që bëhet fjalë për falje mëkatarësh nga Uashingtoni, siç abuzohet shpesh me rastin e Dodik nga Rithemelimi dhe mediat pranë tij. Përkundrazi, selektimi i emrave të mësipërm, bashkë me ata shqiptarë, tregon se SHBA po fillon ta plugojë në thellësi nëntokën e rajonit tonë, në kërkim të identifikimit dhe skedimit të personave me rekorde kriminale, korruptive apo minuese të sigurisë dhe interesave amerikane në këtë pjesë të botës.
Skedimi i Aqif Rakipit dhe Ylli Ndroqit është një nga ato raste të arta që Sali Berisha nuk mund t’i shfrytëzojë për interes politik. Të ishte për diçka tjetër, do të kishte thirrur një Foltore jashtë radhës e do kishte bërë namin, por për shpallje non grata kjo është e pamundur. Sa do donte që t’ja numëronte edhe një herë të tëra Qifes, një e nga një. Por ja që në shtëpinë e të varurit nuk flitet për litarin, thotë proverbi.
Në anën tjetër, zgjatimi i listës së non gratave shqiptarë dhe atyre ballkanikë, dëshmon se procesi amerikan i goditjes po shkon drejt intensifikimit, e jo drejt zbutjes si fjala vjen përmes padive si ajo e gjykatës së Parisit, ku Berisha ka varur shpresat për të marrë mbrapsht të drejtën e shkeljes në tokën pëërtej Atlantikut.
Hapi i rradhës i autoriteteve amerikane për të skeduar dy figura të njohura publike në Shqipëri, një politikan dhe një pronar të rëndësishëm mediash, shënon një sinjal të qartë se makineria amerikane e identifikimit dhe goditjes së asaj pjese të elitës që konsiderohet si e korruptuar dhe e inkriminuar nga SHBA, vijon me ritmin e saj të patrazuar nga asnjë turbulencë apo situatë e caktuar që mund të prodhohet në Shqipëri nga shfaqja e emrave të bujshëm në listën e zezë.
Mund ta shajnë e urrejnë sa të duan Amerikën, por mirë është ta mbajnë njërin sy e njërin vesh nga ajo derë se nuk i dihet. Që të mos mbeten si deputetët tanë në dyert e Kuvendit sot pasdite. Pa fjalë dhe duke shpejtuar hapin!