MENU
klinika

Policia zbardh ngjarjen

Si nisi konflikti me armë në Kallmet?

02.04.2022 - 11:11

Policia e Lezhës ka arrestuar kreun e Njësisë Administrative Kallmet dhe një 41-vjeçar pas përplasje me armë mes tyre ditën e djeshme për të cilën njofton se ka ndodhur për motive të dobëta.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 01.04.2022, në Kallmet të Lezhës, ku si pasojë e një konflikti me armë zjarri mbeti i plagosur kryetari i Njësisë Administrative Kallmet, shtetasi Besnik Simoni, shërbimet e Policisë, pas disa orë kërkimesh, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit Altin Marku, i cili në momentin e kapjes është konstatuar se ka qenë i plagosur me armë zjarri, për këtë arsye është transportuar në Spitalin e Traumës Tiranë.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes, ku ka rezultuar se:

Më datë 01.04.2022, rreth orës 13:15, në fshatin Kallmet, Lezhë, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasit e lartpërmëndur kanë qëlluar me armë zjarri pistoleta, në drejtim të njëri-tjetrit dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi Besnik Simoni, i cili pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal Lezhë, është transportuar në Spitalin e Traumës Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa shtetasi Altin Marku është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke u fshehur për disa orë, deri sa është lokalizuar dhe është arrestuar nga shërbimet e Policisë.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Altin Marku, 41 vjeç, banues në fshatin Kallmet-Lezhë, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”;

Besnik Simoni, 42 vjeç, banues në fshatin Kallmet, Lezhë, me detyrë administrator i Njësisë Administartive Kallmet, Bashkia Lezhë, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
1 armë zjarri pistoletë, me një krehër me 6 fishekë, e cila dyshohet se është përdorur nga shtetasi Altin Marku, si dhe dy automjete.

Vijon puna për gjetjen e armës tjetër pistoletë, të përdorur gjatë konfliktit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.