MENU
klinika

Krimi dhe korrupsioni

SPAK përgjon me pajisjet e SHBA dhe BE 1500 autorë të dyshuar!

27.04.2022 - 13:27

Holanda dhe Belgjika janë dy shtetet më të shqetësuara në Bashkimin Europian nga bandat shqiptare.

Sipas raportit vjetor të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, të depozituar në Kuvendin e Shqipërisë e që pritet të prezantohet në Komisionin e Ligjeve më 11 maj gjatë vitit 2021, Belgjika dhe Holanda përbëjnë gjysmën e letërporosive që u kanë dërguar autoriteteve shqiptare për të kryer hetime.

Në raportin që do të relatohet nga deputeti i që zëvendësoi Alqi Bllakon, Pandeli Majko, në Komisionin e Ligjeve bëhet me dije se shtete e huaja kanë dërguar 77 letër porosi në vitin 2021 te SPAK, nga ky numër gjysmën e tyre e ka dërguar Belgjika dhe Holanda. Pjesa më e madhe e letërporosive kishte të bënte me shqetësimin e pastrimit të produkteve kriminale. “Nga totali janë ekzekutuar 41 letërporosi dhe për vitin 2020–2021, vijon ende procedura për ekzekutim për 50 letërporosi. Këto kërkesa janë drejtuar nga ana e autoriteteve gjyqësore të huaja, për kryerjen e veprimeve në Republikën e Shqipërisë. Nga numri total i 77 kërkesave, 23 prej tyre, ose 29.87 %, janë kërkesa që kanë të bëjnë me hetime në fushën e “Trafikimit të narkotikëve”, “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, 27 “Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale”, në formën e bashkëpunimit asaj të “Grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar si vepra penale nga Kodi Penal Shqiptar.

Nga numri total i kërkesave, 29 prej tyre, ose 37.66 %, janë kërkesa që kanë të bëjnë me hetime në fushën “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të shoqëruara dhe me veprat penale në fushën e “Trafikimit të narkotikëve”, në formën e bashkëpunimit asaj të “Grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar si vepra penale nga Kodi Penal Shqiptar. Ndarja sipas shteteve do të ishte: Holanda me numrin më të madh të kërkesave, 20 kërkesa prej totalit prej 77 kërkesash’ Belgjika 17 kërkesa; Italia me nga 10 kërkesa; Gjermania me 5 kërkesa; Kosova me 4 kërkesa; Franca me 3 kërkesa, Zvicra, Turqia, Mali i Zi, dhe Polonia me nga 2 kërkesa, dhe te tjerat janë Bullgaria, Rumania, Anglia, Spanja, Irlanda, Greqia, Peruja, Norvegjia, Azerbajxhani, Maqedonia e Veriut me nga 1 kërkesë”, thuhet në raportin e SPAK të siguruar nga gazeta “Panorama”.

Por teksa Holanda dhe Belgjika ka rënë në gjurmë të kriminelëve shqiptarë që operojnë në vendin e tyre dhe në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme Shqiptare ka rënë në gjurmë të kriminelëve shqiptarë që ushtrojnë aktivitetin e tyre të jashtëligjshëm në Itali dhe Greqi. “Nga këto 51 kërkesa, 9 prej tyre, ose 17.64 %, janë kërkesa që kanë të bëjnë me hetime në fushën e ‘Trafikimit të narkotikëve’, ‘Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve’, në formën e bashkëpunimit asaj të ‘Grupit të strukturuar kriminal’, parashikuar si vepra penale nga Kodi Penal Shqiptar në nenet 283/a, 283, 333/a të tij”, vijon më tej raporti.

PËRGJIMET

Një tjetër element që vërehet në raportin vjetor të SPAK është numri i lartë i përgjimeve. përgjatë vitit 2021, Prokuroria e Posaçme ka përgjuar 1500 subjekte kryesisht për veprat penale për korrupsion dhe për trafikim të lëndëve narkotike. “Gjatë vitit 2021, për veprat penale nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, janë interceptuar rreth 1500 subjekte përgjimi (autorë të dyshuar apo që kanë dijeni për vepra penale), 1957 pajisje fundore (pajisja/ numri telefonik i subjektit në përgjim) ku është rezultuar në ndalimin e rreth 179 personave të dyshuar për kryerje të veprave penale.

Në vitin 2021, pjesën më të madhe të procedimeve penale ku është kërkuar përgjimi, e kryesojnë ato të hetuara për veprën penale të korrupsionit me 67 procedime penale/850 pajisje fundore; më pas janë ato të hetuara për veprën penale të grupit të strukturuar kriminal në trafikimin e lëndëve narkotike me 45 procedime penale/928 pajisje fundore”, vijon më tej raporti. Një ndihmë të konsiderueshme për të përmbushur me sukses punën e organit të akuzës e ka dhënë SHBA dhe BE. Konkretisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë më shumë asistencë përmes OPDAT me pajisje logjistike ndërsa BE përmes EURALIUS me programe kompjuterike.

“Një ndihmë e madhe në fushën e IT është ofruar nga partnerët ndërkombëtarë si misionet ICITAP, OPDAT, EURALIUS, GIZ, etj. Mund të përmendim ndihmën në pajisje fizike dhe infrastrukture, ku rolin kryesor e ka ICITAP dhe një pjesë nga OPDAT, si dhe në sisteme softuerë ku kanë ndihmuar ICITAP dhe EURALIUS. Këto pajisje dhe softuerë pasi merren në dorëzim nga DTI bëhet dokumentimi i plotë dhe integrohen në sistemet aktuale për t’u shfrytëzuar maksimalisht potenciali i tyre fizik apo logjik përpunues për pajisjet fizike. Për softuerët krijohet një ambient i sigurt pune me resurset e kërkuara si dhe mundësohet një dokumentim i plotë i kodit burim. Garancia për backup të plotë dhe të pavarur për të siguruar në raste avarie apo shkatërrimi të softit realizimin e kthimit në gjendje pune të sistemit 100% në një kohë minimale. Deri tani është ngritur një infrastrukturë harduerë moderne brenda godinës, e cila u shërben punonjësve për realizimin e punës të përditshme, është ngritur një sistem “Domain Controller” dhe sistemi i postës elektronike zyrtare, sistem menaxhimi bazuar në infrastrukturën e Microsoft”, thuhet në dokumentin e përgatitur nga Prokuroria e Posaçme.

MBINGARKIMI I SPAK

Sipas dokumentit që ka çuar në Kuvend Prokuroria e Posaçme konstatohet se SPAK përgjatë vitit 2021 ka pasur fluks kallëzimesh, për të cilat më pas kanë rezultuar se nuk janë në kompetencën e SPAK, por të prokurorive të rretheve. Sipas statistikave të vetë SPAK, 47% e kallëzimeve të bëra gjatë vitit 2021 janë transferuar pasi nuk kanë qenë në kompetencën e tyre.

“Nga 715 procedime penale të hetuara për vitin 2021, për 40 procedime penale është vendosur bashkimi i çështjes, duke pasur në hetim për këtë periudhë kohore gjithsej 675 procedime penale në hetim, me 519 persona nën hetim. Gjatë kësaj periudhe kohore kanë përfunduar hetimet për 226 procedime penale me 332 persona nën hetim, ku për 48 procedime penale është paraqitur kërkesë për gjykim, për 37 procedime penale është paraqitur kërkesë për pushimin e çështjes, 107 procedime penale janë transferuar për kompetencë në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore, për 34 procedime penale është vendosur pezullimi i hetimeve. Ndërsa 449 procedime penale janë mbartur në hetim në vitin 2022”, thuhet në raport. Ndërkohë, vërehet si rezultat pozitiv fakti se për çështjet që ka përfunduar hetimi dhe janë çuar në Gjykatë vetëm një numër shumë i ulët nuk është dënuar.

Ndërkohë që ka pasur edhe konfiskime parash kesh dhe prona të luajtshme e të paluajtshme. “Pafajësitë. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka dhënë pafajësi të plotë në 1 çështje penale, për 1 person të akuzuar (vendimi nr.63, datë 20.10.2021), si dhe është dhënë pafajësi për 1 të pandehur në një çështje penale me disa persona të akuzuar (vendimi nr.90, datë 28.12.2021). Po kështu, është dhënë pafajësi e pjesshme për 10 të pandehur të tjerë, të gjykuar në të njëjtën çështje penale, për të cilët gjykata i ka dënuar pjesërisht për disa akuza dhe deklaruar të pafajshëm për akuza të veçanta (vendimi nr.12, datë 03.02.2021). 230 76 47 Treguesit për numrin e çështjeve penale në gjykim Të dënuar Vendime Çështje të mbartura 94 136 Treguesit për personat e dënuar Krim i organizuar Korrupsion dhe vepra te tjera 16 Pushimet në gjykim. Nuk ka pasur asnjë rast të pushimit të çështjes në gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në raport.

BLERJE MAKINASH DHE ZYRA

Në zërin e shpenzimeve kapitale vihet re se Prokuroria e Posaçme ka shpenzuar rreth 200 mijë dollarë për të blerë automjete. 55 mijë dollarë të tjera i ka përdorur për mobilim zyrash. “Në mbështetje të përcaktimeve të ligjit nr. 137/2020 “Për buxhetin e vitit 2021”, është planifikuar për të realizuar në formën e investimeve pranë SPAK vlera prej 30 milionë lekë me qëllim mbulimin e shpenzimeve të nevojshme në formën e investimeve. Gjithashtu, evidentohet që nga ky fond është realizuar gjatë vitit 2021 në vlerën e rreth 26,230 mijë lekë ose ndryshe rreth 87.4% e totalit të fondit të planifikuar.

Gjatë vitit 2021, përmes rishikimeve buxhetore në Akte Normative, Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në këtë llogari nuk ka pasur ndryshime. Gjithashtu, në formën e garantit në kapitull 06, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar ka përfituar projektin nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për pajisjen e laboratorit të ekspertizës teknologjike në shumën e rreth 30.2 milionë lekë. Nga ky fond është mundësuar pajisje me teknologjinë e fjalës së fundit të laboratorit, duke e shndërruar atë në një laborator ndër më modernin në Ballkan të ekspertizës teknologjike. Për plotësimin e laboratorit gjatë vitit 2021 nga ky projekt është realizuar shuma prej rreth 23 milionë lekësh ose 76.1% të fondit të planifikuar. Realizimi i Investimeve me Financim të Brendshëm sipas zërave është realizuar si më poshtë: Blerje Automjete 19,386 mijë leke, Blerje pajisje zyre 5,530 mijë leke, Shpenzime pajisje elektronike 1,314 mije leke”, thuhet në Raport.