Tirana është shpallur mbrëmjen e sotme kampione e Shqipërisë në volejboll për meshkuj, titulli i dhjetë në histori për skuadrën bardheblu. Një titull që kthehet pas 28 vitesh te Tirana (hera e fundit viti 1994), që këtë sezon e dominoi kampionatin dhe e meritoi këtë trofe, i dyti pas Kupës së Shqipërisë.
Bardheblutë e trajnerit Sako fituan sot 3-2 ndaj Erzenit në finalen e katërt play off, ndeshje e luajtur në mjediset e Akademisë “Dhimitraq Goga” në Durrës. Në total, Tirana fitoi 3-1 me ndeshje ndaj rivalëve shijakas. Gjithsesi, finalja e sotme, që zgjati dy orë, ishte tejet dramatike, me emocione e rivalitet deri në pikën e fundit.
Tirana vuan, por arrin t’i fitojë dy setet e para me rezultatin e njëjtë 25-23, sete ku gjithçka ishte e ekuilibruar deri në pikët e fundit. Erzeni nuk dorëzohet dhe rihap ndeshjen, duke fituar 25-21 setin e dytë. Më pas, shijakasit rikthejnë ekuilibrat në parket, duke fituar edhe setin e katërt 25-15.
Barazim 2-2 dhe gjithçka vendoset në setin final, ku sërish gjithçka është e ekuilibruar e rezultati barazohet në çdo pikë. Bardheblutë kanë një epërsi të lehtë dhe në fund, ku fitojnë 15-13 e krejt takimin 3-2, duke nisur festën në fushën e kundërshtarëve të tyre. Ka edhe pak tension në fund, pasi disa tifozë shijakas hedhin sende në fushë.