MENU
klinika

Shiheni realitetin, në Metropol!

Tre Dimrat e një bote të egër ballkanase…

01.04.2022 - 19:09

        Me autore Tena Stiviçiç, regjisore Rozi Kostanin, në skenën e Teatrit të Metropolit vjen “Tre dimra”. Shkrimtarja kroate, në vepër ndjek fatet e katër brezave të grave të së njëjtës familje, gjatë një shekulli të trazuar. Ndodhitë, hedhin dritë mbi problemet në shoqërinë moderne, në një botë parë me sytë e gruas.

Ngjarjet e veprës zhvillohen në një vilë të ndërtuar në vitin 1898, në Zagreb, Kroaci.

Ky udhëtim në kohë, na zhvendos 75 vite më parë ku ngjarjet fokusohen në tre dimra, në tre pika të ndryshme të zhvillimit të vendit, në vitin 1945 gjatë krijimit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, në vitin 1990 te shpërbërja e saj, e më pas deri në 2011 kur Kroacia e pavarur, aspiron e negocion për t’u bashkuar me BE-në. Ndërkohë që fokusi i shfaqjes është vetëm një shtëpi dhe një familje, në atë shtëpi është shkruar e gjithë historia e fundit e Kroacisë dhe bashkë me të forcat kryesore politike dhe ndryshimet ideologjike që kanë formësuar Evropën moderne.

“Janë tri periudha historike të tranzicionit që ka kaluar apo vazhdojnë të jenë në process popujt e rajonit tonë, si Shqipëria ashtu edhe Kroacia me një ngjashmëri të plotë me realitetet e tre periudhave: në 1945 me ardhjen në pushtet të komunistëve, në 1990 ardhja e një demokracie të brishtë dhe në 2011 prona akoma e pa zgjidhur dhe përpjekja për të hyrë në Europë. Këto periudha janë të vëzhguara nëpërmjet rrugëtimit të një familjeje në Zagreb të Kroacisë. Tri net të gjata dimri, në tre periudha historike me ngjarje vendimtare që ndryshojnë rrjedhën logjike të këtyre personazheve, gjithashtu edhe me ngjarje personale” – shprehet, regjisorja Kostani.

Sipas saj, kjo vepër trajton historinë e një familje eklektike, të mbajtur së bashku nga guximi për të mbijetuar. “Nga mbetjet e monarkisë, përmes komunizmit, më pas demokracisë, luftës dhe pranimit eventual në një Evropë më të gjerë, katër breza të grave të Kos, secila më e pavarur se tjera, të cilat duhet të përshtaten për të mbijetuar. E vetmja konstante është shtëpia: e ndërtuar nga aristokratët, e ndarë, e nacionalizuar, ajo është dëshmitare e brezave që kalojnë”, – cilëson ajo.

Stivicic pati suksesin e parë si dramaturge në vitin 1999, me “Can’t Escape Sundays”, që u shfaq në Slloveni dhe Serbi, si dhe në vendin e lindjes së autores.

Veprat e saj që atëherë janë vënë në skenë në Gjermani, ndërsa në vitin 2007: “Fragile!”, premierë në Arcola në Londër. Ajo është inskenuar në Londër, mes emigrantëve nga Serbia dhe Kroacia dhe prej atëherë, në disa vende të Ballkanit. Tena Stivicic jetoi një pjesë të kësaj periudhe të trazuar. Aktualisht banon në Londër. Autorja u rrit në Kroaci dhe ishte vetëm 13-vjeçare, kur Jugosllavia filloi të shpërbëhej dhe tensionet etnike shpërthyen në një luftë të tmerrshme. Familja e saj në Zagreb, ishte relativisht e sigurt. Drama “Tri dimrat”, nga Tena Štivičić u shfaq premierë në Teatrin Kombëtar, në Londër, nëntorin e vitit 2014, duke fituar çmimin “Susan Smith Blackburn 2015”.

Ndërsa në Tiranë, ju pret një shfaqje me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme, të aktorëve: Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Marjeta Ljarja, Viktor Zhusti, Sokol Angjeli, Elia Zaharia, Armela Demaj, Sonila Kapidani, Xhino Musollari, Klea Konomi, Kastriot Ramollari, Klesta Shero, Ketjona Pecnikaj, Ina Morinaj, Amri Hasanlliu dhe Lindar Kaja.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen