MENU
klinika

Nga Aranit Muraçi

Tri goditje paralele që do të marrë Shqipëria, nëse Franca zgjedh ekstremin e djathtë

21.04.2022 - 21:49

Franca do të votojë më 24 prill nëse do t’i japë presidentit Emmanuel Macron një mandat të dytë pesëvjeçar apo do t’ia besojë presidencën sfidueses së tij, ekstremistes së djathtë, Marine Le Pen.

Nëse fiton Le Pen, Shqipëria mund të marrë njëkohësisht tri goditje paralele:

E para, Shqipërisë jo vetëm që i zbehen shanset për çeljen e negociatave, por edhe vetë blloku rrezikon shpërbërjen.

E dyta, e ardhmja e emigrantëve në Francë do të jetë më e pasigurt se kurrë më parë dhe të parët që mund ta pësojnë mund të jenë ata që shkuan të fundit: shqiptarët.

E treta, zgjedhja e Le Pen do të inkurajojë nacionalistët, populistët dhe ekstremistët e mbarë Europës, sigurisht edhe ata të Shqipërisë (demokracia ikën pa ardhur).

Gara presidenciale franceze është një përsëritje e zgjedhjeve të vitit 2017, në të cilat Macron e mposhti bindshëm Le Pen me 66 për qind të votave. Por sondazhet e fundit tregojnë për një rezultat shumë më të ngushtë mes tyre.

Emmanuel Macron, presidenti aktual i qendrës, fitoi raundin e parë me 28 për qind të votave. Epërsia e tij në sondazhe u ngushtua ndjeshëm në javët e fundit para votimit, duke e detyruar Macron që të pranojë për herë të parë se edhe mund të humbë në garë përballë të djathtës ekstreme.

Macron shpenzoi shumë kohë duke u marrë me luftën në Ukrainë, në vend që të bënte fushatë. Presidenti aktual i Francës u përpoq të luante një rol udhëheqës në fushatën diplomatike për të parandaluar luftën dhe madje ai ende po zhvillon telefonata intensive me Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky në përpjekje për të ndërmjetësuar paqen. Fushata e Macron fokusohet në idenë e tij për të liberalizuar ekonominë, ku përfshihen planet për të rritur moshën e daljes në pension.

Rimëkëmbja e fortë ekonomike e Francës pas pandemisë i rriti vlerësimet e tij në sondazhet parazgjedhore. Por tani ai duhet të bindë votuesit se është më shumë se një president i të pasurve dhe mund të bashkojë një Francë të përçarë. Për Macron imigracioni mbetet një fushë beteje kyçe në debat.

Marine Le Pen doli e dyta me 23 për qind të votave në raundin e parë. Ajo u rishfaq fuqishëm në sondazhe edhe pse u kundërshtua nga kandidatët e tjerë të së djathtës ekstreme dhe natyrisht nga e majta ekstreme. Megjithatë, ajo mund të bëhet presidentja e parë femër e Francës dhe ndoshta ky është shansi i saj i fundit.

Analistët thonë se drejtimi i fushatës së saj në çështje si imigrimi dhe kriza e kostos së jetesës e ka ndihmuar Le Pen të zgjerojë bazën e votuesve të saj. Le Pen është skeptike ndaj BE-së dhe NATO-s dhe ka lidhje të gjata me Putinin, të cilat për të fituar mbështetje në publik ajo kohët e fundit është përpjekur t’i minimizojë.

Ajo po bën fushatë nën sloganin “Jepini francezëve vendin që u takon” si dhe dëshiron të rishkruajë kushtetutën për t’i dhënë Francës kompetenca të reja me qëllim për të kontrolluar fort kufijtë e saj dhe po ashtu për t’u ndërprerë emigrantëve subvencionet e strehimit dhe kujdesit shëndetësor. Nga dy pretendentët e mbetur prej 12 kandidatësh në raundin e parë të votimit që u zhvillua më 10 prill, demokracia liberale e Europës dhe mbarë botës shpreson që Le Pen ta humbë gurën.

Në rast se Le Pen fiton, jo vetëm ekonomia por edhe demokracia liberale e Europës do të ecë më tej nën ‘lokomotivën’ e Gjermaninë.

E ardhmja e Shqipërisë në Europë, për fatin e saj, aktualisht varet tërësisht nga vullneti i Gjermanisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN