“Jeta fillon të mbarojë, ditën kur heshtim përballë gjërave që kanë rëndësi” M. Luther King.
Martin Luter King u lind më 15 janar 1929, si Michael Luther King Jr. Por me vonë, do të quhej Martin.“Unë kam një ëndërr” u bë fjalimi që frymëzoi botën dhe mbeti në kujtesën e secilit. Martin Luter King u bë pikë referimi dhe simbol, për çdo lëvizje revolucionare anekënd të botës. Ai njihet si aktivisti më i madh për të drejtat e njerëzve me ngjyrë dhe për të drejtat e njeriut, kundër diskriminimit. Në moshën 35- vjeçare, ai u bë Nobelisti më i ri në moshë, për Paqen.
Më 4 prill 1968, në protestën për të drejtat e punëtoreve të pastrimit, teksa po mbante fjalimin, u qëllua në ballkonin e dhomës së hotelit, në “Memphis Tennessee”.
Fjalimi i tij historik “I have a dream”, që u mbajt më 28 gusht 1963, në Uashington; gjithë ç’aspironte ky djalosh i përballur me racizmin më të egër, mbetet një fryëzim dhe filozofi humane e përmasave biblike.
“…Unë kam një ëndërr që një ditë, ky komb do të ngrihet dhe do të jetojë kuptimin e vërtetë të besimit të tij: “Ne i konsiderojmë këto të vërteta, si të vetëkuptueshme; se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë.” Unë kam një ëndërr që një ditë, në kodrat e kuqe të Gjeorgjisë, bijtë e ish-skllevërve dhe djemtë e tyre, do të mund të ulen së bashku, në tryezën e vëllazërisë.
Unë kam një ëndërr që, një ditë edhe shteti i Mississippi-t, një shtet i mbytur nga atmosfera e padrejtësisë, i mbytur nga ajri i shtypjes, do të shndërrohet në një oaz lirie dhe drejtësie. Unë kam një ëndërr që, katër fëmijët e mi të vegjël, do të jetojnë një ditë, në një komb ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës, por nga tiparet e karakterit të tyre.
Unë kam një ëndërr!
Unë kam një ëndërr që, një ditë, poshtë në Alabama, me racistët e egër, me guvernatorin që i zë goja vetëm ngatërrim e anulim, që pikërisht poshtë në Alabama, një ditë djemtë dhe vajzat e vogla me ngjyrë, të mund të bashkohen me ata të bardhë, si motra dhe vëllezër.
Unë kam një ëndërr!
Unë kam një ëndërr që, një ditë, çdo luginë do të ngrihet, çdo kodër dhe mal do të ulet, vendet e ashpra do të bëhen të rrafshnalta dhe ato të thepisurat të drejtohen dhe lavdia e Zotit, do të shfaqet dhe së bashku, do ta shohim. Kjo është shpresa jonë. Ky është besimi me të cilin, do të kthehem në jug. Me këtë besim, do të mund të nxjerrim nga mali i dëshpërimit, gurin e çmuar të shpresës.
Me këtë besim, ne do të jemi në gjendje t’i shndërrojmë mosmarrëveshjet rrëqethëse të kombit tonë, në një simfoni të bukur vëllazërimi. Me këtë besim, do të jemi në gjendje të punojmë së bashku, të lutemi së bashku, të luftojmë së bashku, të shkojmë në burg së bashku, të ngrihemi për lirinë së bashku, duke e ditur se një ditë, do të jemi të lirë. Kjo do të jetë dita kur, të gjithë fëmijët e Zotit do të jenë në gjendje të këndojnë, me një kuptim të ri: “Vendi im është i yti, tokë e ëmbël e lirisë, për ty këndoj.
Tokë ku vdiqën baballarët e mi, tokë e krenarisë së pelegrinëve, nga çdo faqe mali, le të kumbojë liria.” Dhe nëse Amerika do të jetë një komb i madh, kjo duhet të bëhet e vërtetë. Pra, le të kumbojë liria nga majat e mrekullueshme të kodrave të New Hampshire. Le të kumbojë liria nga malet e fuqishme të Nju Jorkut. Le të kumbojë liria nga Alleghenies në rritje të Pensilvanisë.
Le të kumbojë liria nga shkëmbinjtë e Kolorados, të mbuluar me borë. Le të kumbojë liria, nga shpatet e Kalifornisë. Jo vetëm kaq; le të kumbojë liria nga mali i Gurit i Gjeorgjisë. Le të kumbojë, nga çdo kodër e Misisipit. Nga çdo faqe mali, le të kumbojë liria!
Kur kjo të ndodhë, kur ta lejojmë zhurmën e lirisë, kur ta lëmë të kumbojë nga çdo fshat, nga çdo shtet dhe çdo qytet, ne do të jemi në gjendje të shpejtojmë atë ditë kur të gjithë fëmijët e Zotit, burra me ngjyrë dhe të bardhë, hebrenj dhe johebrenj, protestantë dhe katolikë, do të jenë në gjendje të shtrëngojnë duart dhe të këndojnë me fjalët e shpirtit të lashtë negro, “Më në fund, të lirë! Më në fund, të lirë! Falënderoj Zotin e Plotfuqishëm! Jemi të lirë, më në fund!”