MENU
klinika

Rekomandohet doza e katërt e vaksinës

Verë pa kufizime/ Komiteti i Ekspertëve heq të gjitha masat!

27.04.2022 - 09:45

Në prag të çeljes së sezonit veror, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka hequr të gjitha masat anti-COVID.

Prej 1 maji, rihapen klubet e naftës, si edhe hiqet detyrimi për të paraqitur vaksinë apo tampon gjatë kalimit në kufi. Një tjetër masë e shfuqizuar është edhe ajo për mbajtjen e maskës në ambientet e mbyllura, e cila nuk u zbatua asnjëherë nga qytetarët pavarësisht penaliteteve. “Nisur nga situata epidemiologjike, kemi vendosur heqjen e detyrimit për mbajtjen e maskave, por rekomandojmë fuqishëm mbajtjen e tyre në ambiente të mbyllura dhe sidomos në ato jo të ajrosura mirë. Vendosëm lejimin e muzikës pas orës 23:00 dhe rihapjen e klubeve të natës. Heqjen e detyrimit për të paraqitur dokument vaksinimi për Sars Cov2, dokument të testimit negativ për infeksionin Sars Cov2 apo certifikatë shërimi nga ky infeksion për të gjithë shtetasit që hyjnë në Shqipëri nga çdo pikë kufitare duke filluar kjo nga data 1 maj i këtij viti”, tha Mira Rakacolli, kryetare e Komitetit Teknik të Ekspertëve.

VAKSINIMI

Lidhur me vaksinimin anti-COVID, Rakacolli rekomandoi kryerjen e dozës së katërt për personat mbi 60 vjeç dhe për ata të cilët kanë probleme të sistemit imunitar. Sipas shefes së Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, pavarësisht rënies së shifrave të infeksionit risku mbetet. “Kemi akoma qarkullim të shtamit BA1, të shtamit BA2 dhe pavarësisht situatës mjaft të mirë epidemiologjike, shtamet e COVID-19 po pësojnë mutacione të vazhdueshme. Prandaj, risku mbetet aktual. Pavarësisht uljes së rasteve, vaksinimi është masa më e rëndësishme e cila mbron nga hospitalizimet dhe mbron nga vdekja”, tha Bino. Nga të dhënat zyrtare, aktualisht janë më pak se 1.3 milionë qytetarë që kanë injektuar dozën e parë antiCOVID. Muajt e fundit, ka pasur një rënie të interesit nga ana e tyre, kjo ka bërë që edhe mbulesa vaksinale të jetë e ulët dhe larg objektivit të përcaktuar nga OBSH-ja.

SITUATA

Sa i takon situatës epidemiologjike, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, tha se ka rënie të incidencës javore dhe dyjavore. Incidenca dyjavore, e cila është në ulje në nivelin e 7.9% krahasuar me javën e 13 dhe 14, edhe incidenca javore është e ulur në krahasim me javët pararendëse, por një kohësisht edhe me nivelin e pozitivitetit, i cili në javën e fundit ka shënuar nivelin e 3.8% të mostrave të testuara në 24 orë. Aktualisht në vend janë mbi 430 raste aktive, pra 15 raste për 100 mijë banorë. Edhe rastet e hospitalizuara, kanë pasur një trend shumë herë më të ulët krahasuar me javët pararendëse. Aktualisht gjenden të shtruar 5 pacientë ndërsa nuk është raportuar asnjë humbje jete si pasojë e COVID-19.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga heqja e maskave tek hapja e klubeve të natës

Komiteti i Ekspertëve njofton për masat e reja të koronavirusit