Nga: Kreshnik Kuçaj
Deri në fund të shekullit të 19-të, përdorimi i lëndëve narkotike nuk kishte përhapje të gjerë e konsumi i tyre ishte i kufizuar te pacientët dhe për arsye shëndetësore. Shtresat e pasura nisën t’i përdorin ato për arsye kënaqësie ndërsa për masat e popullatës vendin e tyre e zinin alkooli dhe duhani.
Në fund të shekullit të 19-të e fillim të shekullit të 20-të, përdorimi i lëndëve narkotike nisi të gjejë përdorim për qëllime kënaqësie dhe duke shkaktuar jo pak probleme, ndaj edhe për këtë qëllim do të niste ndërmarrja e kufizimeve ligjore për këtë qëllim.
E në këtë rast, edhe Shqipëria renditet në listën e vendeve të parë që i është bashkuar iniciativës për të sanksionuar në ligj përdorimin e opiumit apo të kanabisit; një zakon që e kishte trashëguar që nga periudha e Perandorisë Osmane. Më herët, Shqipëria kishte njohur përdorimin e bimës së opiumit dhe të kanabisit për qëllime mjekësore por edhe për qëllime kënaqësie përmes tymosjes. Por ndryshe nga vendet e tjera, në Shqipëri “beteja” për kufizimin e lëndëve narkotike nis jo domosdoshmërisht për shkak të pasojave negative në shkallë të gjerë në popullatë por si rrjedhojë e përmbushjes së disa detyrimeve që vendi kishte marrë në rang ndërkombëtar.
E gjithë beteja legjislative me drogën në vend ka lidhje direkte me anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, një organizatë ndërqeveritare botërore e themeluar në janar të vitit 1920, si rezultat i konferencës së Paqes të mbajtur në Paris.
Shqipëria do të kishte përfaqësinë e saj në Lidhjen e Kombeve e direktivat e dala prej saj do të reflektoheshin e adaptoheshin edhe nga Shqipëria e atyre viteve. E në kushtet e dy luftërave të mëparshme që kishin si burim tregtinë e opiumit, edhe trafikimi i drogës do të ishte një nga temat e trajtuara gjerësisht në këtë organizatë.
Në vitet 1924-1925, Lidhja e Kombeve do të ndërmerrte një përpjekje të re për të forcuar bashkëpunimin mes shteteve në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të narkotikëve. E në këtë përpjekje, Shqipëria do të bëhej pjesë e saj, duke shënuar nisjen e betejës për vendosjen nën kontroll të prodhimit, tregtimit e përdorimit të drogës.
Në vitin 1925 do të zhvilloheshin dy konventa për opiumin nga Lidhja e Kombeve, në të cilat Shqipëria do të merrte pjesë.
Në konventën e parë mbi opiumin të 11 shkurtit të vitit 1925, u nënshkrua marrëveshja për zhdukjen e fabrikimit, tregtisë së brendshme e përdorimit të opiumit të përgatitur. Por Shqipëria nuk do ta ratifikonte këtë marrëveshje. Në takimin e dytë të 19 shkurtit të vitit 1925 u bë konventa ndërkombëtare e opiumit dhe protokolli përkatës, të cilat Shqipëria do t’i firmoste përmes Benedikt Blinishtit, por nuk do t’i ratifikonte në parlament.
Benedikt Blinishti kishte qenë më herët ministër drejtësie në qeverinë e Iljaz Vrionit e në atë kohë ishte kryesues i Sekretariatit të Përgjithshëm të Shqipërisë pranë Lidhjes së Kombeve.
Konventa e Lidhjes së Kombeve, e nënshkruar edhe nga Shqipëria, parashikonte detyrimin e shteteve për të ndryshuar legjislacionin me qëllim vendosjen nën kontroll të prodhimit, tregtisë dhe eksportit të drogës. Po ashtu, detyrimi parashikonte detyrimin e kufizimit të sasisë që tregtohej mes shteteve, porteve apo pikave kufitare ku mund të eksportohej droga. E në këtë konventë do të parashikohej detyrimi që çdo shtet të merrte masa për kufizimin e përdorimit të drogës vetëm për qëllime mjekësore dhe shkencore dhe të bashkëpunonte me shtetet e tjera për të ndaluar përdorimin e saj për qëllime të tjera.
Legjislacioni i Ahmet Zogut kundër drogës
E në fakt, Shqipëria do të përmbushte detyrimin e saj për të reflektuar ndryshimet e nevojshme ligjore të diktuara nga konventa që kishte nënshkruar. Në Kodin Penal të Ahmet Zogut, parashikohej ndëshkimi penal i veprimtarive të paligjshme të drogës. Në listën e veprave penale u përfshinë edhe krimet kundër shëndetit e kushdo që tregtonte, fuste apo eksportonte kontrabandë opium, hashash apo ekstrakte të kësaj natyre, ndëshkohej me burgosje deri në 1 vit dhe me gjobë që varionte nga 100-1000 mijë franga ari.
Si u anulua koncesioni i mbledhjes dhe mbjelljes së hashashit
Krahas kontrollit përmes legjislacionit, një kontroll tjetër që u ushtruar ishte edhe ai i dhënies së koncesionit për mbledhjen dhe mbjelljen e hashashit. Me 27 nëntor të vitit 1931, Këshilli i Ministrave me vendimin me numër 178 vendosi të anulojë lejen e dhënë në Prefekturën e Elbasanit për mbledhjen e hashashit me argumentin se ajo ishte një bimë e dëmshme. Haxhi Shkoza te “Financat e Shqipnis” shkruan se qeveria urdhëroi “dikasterin kompetet (kryeministria nr 666/1 datë 13 qershor 1931) mbi përgatitjen e një projektligje për ndalimin e mbjelljes së kësaj bime”. Por, sipas Shkozës, mbi këtë urdhër nuk është vënë ndonjë dispozitë ligjore për ndalimin në fjalë në kundërshtim me ligjin e të dhjetave.
Në fakt, anulimi i koncesionit vjen në një kohë kur edhe Lidhja e Kombeve kishte hartuar një konventë të re që kufizonte më tej dhe rregullonte shpërndarjen e lëndëve narkotike. Këtë konventë të korrikut të vitit 1931, pala shqiptare e nënshkroi dhe e ratifikoi në parlament.
E pak muaj më vonë, në nëntor anuloi edhe koncesionin ekzistues. Duhet evidentuar një element tjetër, që anulimi i këtij koncesioni për hashashin vjen në të njëjtën ditë kur në Bangkok (27 nëntor 1931) u nënshkrua marrëveshja ndërkombëtare për “zhdukjen e zakonit të pirjes së opiumit”, por që sipas Shkozës, kjo marrëveshje ndërkombëtare nuk është nënshkruar nga ana e vendit tonë.
Studiues të ndryshëm kanë evidentuar faktin se krahas opiumit që përdorej për qëllime mjekësore apo në raste të rralla për qëllime kënaqësie, Shqipëria ka njohur kultivimin e kërpit si praktikë. E kërpi përdorej për prodhimin e veshjeve, litarëve, ilaçeve e lëndëve djegëse.
Si u dha dhe pse u anulua koncesioni i hashashit?
Në vitin 1929, Kur vendi kishte ndaluar kultivimin e opiumit dhe të kanabisit për shkak të konventave ndërkombëtare, një person i quajtur Avni Qano iu drejtua Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare duke kërkuar të mbjellë një sasi kanabisi të varietetit indica.
Pasi Ministria e Ekonomisë mori mendimin e Ministrisë së Jashtme dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë, u vendos që leja të akordohej për faktin se konventat ndërkombëtare nuk e pengonin kultivimin e kontrolluar nga shteti të lëndëve narkotike, por me një sasi të caktuar për secilin shtet. Avni Qano pasi mori lejen, shkoi në Selanik të Greqisë ku lidhi ortakëri me Nikolla Duron që jetonte në Tripolin e Greqisë.
Sëbashku ata formuan një shoqëri që do të kishte si aktivitet mbjelljen dhe kultivimin e hashashit. Më pas, ata kontraktuan një specialist po në Greqi të quajtur Trifon Karruco që do të merrej me mbjelljen dhe trajtimin e hashashit.
Dy aksionerët e rinj, vizituan një serë tokash në Shqipëri e në fund ranë dakord që të bëjnë investimin e tyre në Përrenjas. Tokat e përshtatshme u gjendën në atë që njihen asokohe si Hani i Hoxhës, që krahas tokës ofronte edhe mundësinë e magazinimit të produktit të prodhuar. Pasi ranë dakord me pronarët e tokave, ata nënshkruan një marrëveshje qeraje noteriale në Pogradec.
Më 1 maj të vitit 1930 filloi mbjellja e hashashit dhe brenda pak muajve u prodhuan 300 okë hashash (rreth 400 kilogramë). Pas prodhimit dhe përpunimit të lëndës, rezultoi se specialisti u kap nga autoritetet greke duke transportuar kontrabandë një sasi hashashi të kategorisë së parë prej 60 kilogramësh.
Dy pronarët e koncesionit të hashashit nxituan që të denoncojnë në autoritetet e drejtësisë në Korçë specialistin e tyre, por nga autoritetet kjo u konsiderua si një manovër për t’i shpëtuar ndëshkimit penal që parashikohej për shkelje të tilla. Sipas tyre, specialisti e kishte vjedhur sasinë e hashashit pa dijenin e tyre dhe e kishte kontrabanduar.
Gjykata Hetimore e Korçës nisi një hetim, por duke qenë jashtë juridiksionit të saj territorial sepse çështja zhvillohej në zonën e Elbasanit, Gjykata e pushoi çështjen duke dhënë si argument se kemi të bëjmë me një mosmarrëveshje civile mes specialistit dhe pronarëve të koncesionit dhe jo me një çështje të ndëshkueshme penale.
Gjithsesi, çështja u mor në trajtim nga Prokuroria e Elbasanit që nisi hetimet. Hetuesit hapën Hanin e Hoxhës në Përrenjas, në dhomat e të cilit ishte depozituar lënda e mbetur e hashashit prej rreth 340 kilogramësh dhe e konfiskuan atë.
Çështja krijoi një debat të gjerë juridik por që në fund solli jo vetëm anulimin e koncesionit, por edhe ligjin për ndalimin e kultivimit të hashashit në Shqipëri.
Pasi u ezauruan hallkat e tjera, çështja e koncesionit të hashashit kaloi në organin më të lartë, Këshillin e Shtetit. Në mbledhjen e mbajtur nga Këshilli i Shtetit me 1 prill të vitit 1932, merrnin pjesë Mehdi Frashëri si kryetar dhe anëtarët Salih Toro, Dr. Martin Ivanaj, Faik Dibra, Shefqet Frashëri, Dr. Demir Vila, Ajet Libohova, Kostandin Cekrezi dhe Elmaz Kokona. Në këtë mbledhje u diskutua shkresa e ministrisë së Brendshme e cila kërkonte ndalimin e përhapjes së hashashit (opiumit) në pasi prodhimi i kësaj bime konsiderohej i dëmshëm për shëndetin e popullit.
Në dokumentet e autoriteteve shtetërore që iu dorëzuan për shqyrtim Këshillit të Shtetit, rezulton se Avni Qano ishte marrë vesh me disa kontrabandistë grekë të hashashit të cilët më pas do ta shisnin lëndën narkotike në Misir (Egjipt) që ishte një nga tregjet legale më të zhvilluara asokohe të opiumit dhe hashashit.
“Duke qenë e lënda e kontrabandës ishte kapur prej autoriteteve greke, është bërë një demarsh në Lidhjen e Kombeve e mbi këtë, Ministria e Financave i është drejtuar sërish Kryeministrisë për të marrë një vendim. Këshilli i Ministrave me vendimin e 27 marsit 1932 ka anuluar lejen në fjalë. Por duke qenë se ligji i të dhjetave është në veprim si dhe konventa ndërkombëtare mbi tregtinë e opiumit nuk e ndalojnë krejtësisht u kërkua mendimi i këtij Këshilli për mënyrën eveprimit.
Ligji i të dhjetës tregon mënyrën e nxjerrjes të së dhjetës së opiumit, kështu që tërthorazi lejon kultivimin e këtij produkti. Ashtu edhe konventa ndërkombëtare përmban parimet e përgjithshme për sa i përket kufizimit dhe kontrollimit të tregtisë së opiumit dhe për të siguruar këtë kontrollim, shteteve nënshkruese u është kërkuar një ligj i posaçëm. Duke marrë parasysh dispozitat ligjore, leja e akorduar prej ministrisë së Ekonomisë Kombëtare aktualisht është e bazuar në ligj.
Qeveria ka të drejtë vetëm për të kontrolluar tregtin e produktit të vjelur, duke obliguar lejemarrësin që t’i deklarojë qeverisë sasinë e produktit të opiumit që ka për të eksportuar ashtu edhe identifitetin e destinatarit si dhe pjacën ku sipas konventës ndërkombëtare lejohet shitja e opiumit. Në anën tjetër duke qenë se akordimi i lejës është në bazë të ligjit, revokimi i saj është i kundraligjshëm por edhe si u tha mësipër në bazë të konventës të merren masat e vëzhgimit mnbi eksportimin e produktit që ekziston.
Sa për ndalimin krejtësisht të përdorimit të opiumit dhe ky Këshill është unanimisht i mendimit që me qenë se përdorimi i tij është tepër i dëmshëm për shëndetin dhe për këtë arsye shumë shtete të botës së qytetëruar e kanë ndaluar, është e nevojshme që të ndalohet edhe këtu me një ligj të posaçëm” shkruhej në shkresën e firmosur nga anëtarët e Këshillit të Shtetit. Në këtë mënyrë, u ndalua me ligj jo vetëm kultivimi por edhe përdorimi i lëndëve narkotike në Shqipëri.
Qeveris Mbretnore, nonse i kundërt nji dispozite ligjore, qi e ka këshillue koha e kalueme ish-Imperandoris Turke, asht i ligjëshëm dhe i domosdoshëm pse vetëm sikur u tha mësipër, me ndalimin e përdorimit t’opiumit do të largohet ky zjarm, këjo kolerë prej trollit të Shqipnis, tue j’a pshtue t’ardhmen fisit shqiptar.
Prandaj çë do hap i qeverisë i drejtuem me e ndalue prodhimin, përdorimin dhe tregtimin e opiumit në Shqipni, jo vetëm asht i ligjëshëm por edhe i lavdërueshëmn dhe i meritueshëm për nji mirënjoftje të përjetëshëme të popullit dhe njerëzimit.
Veç këti shtoj se përsa i përket 300 okëve t’opiumit të depozitueme në katundin Prrenjës të qarkut të Quksit, Qeverija duhet të marr masat e shpejta për zhdukjen e ti ose me anën e eksportimit në kjoftë qi asht e mundur në ndonji pjacë të jashtme ose me djegien e tij dhe jo vetëm mbas këti veprimit të marrë masat për krijimin e masave ligjore në kët drejtim” shprehet Ivanaj ne qendrimin e tij gjatë mbledhjes.
Pavarësisht se u ndalua me ligj, në popullatë vijoi të konsumoheshin lëndët narkotike, pasi një problem të ngjashëm do të shfaqej edhe gjatë regjimit komunist që erdhi në pushtet pas Luftës së Dytë Botërore.
Megjithatë, në këto vite nuk u dha më asnjë koncesion për kultivimin e bimëve narkotike.
*Titulli, redaksional/Konica.al