...Shqipëria e izoluar, me botën e civilizuar përballej vetëm përmes ekranit të madh. Kinemaja ishte një oaz kulture, ku filmat tanë dhe ata të huaj ftonin pasditeve të vona, shumë njerëz të apasionuiar pas artit, pas personazheve të famshëm dhe filmave dhe që, regjistroheshin në kujtesë prej atyre më të shpejtëve, me batutat e kthyera në komunikimin e përditshëm…
Deri ne fund të viteve 90-të të shekullit të kaluar, në Tiranë numëroheshin 9 kinema. Kinema “Agimi” ishte edhe e fundit e mbetur nga ajo kohë. Deri në vitin 1961, ajo quhej ndryshe “kinemaja e sovjetikëve”, sepse pothuaj gjithë lagjja përreth banohej nga familjet sovjetike që punonin në Shqipëri.
E rikonstruktuar në fundin e vitit 2010, kjo kinema 50-vjeçare iu bashkua rrjetit të kinemave “Imperial”, duke ruajtur një kapacitet prej 116 vendesh, si dhe parametrat e izolimit akustik.
Është viti i Kryeqytetit Europian të Rinisë, që Tirana themelon një strukturë të re kushtuar artit, kulturës e teknologjisë.
Agjencia e Industrisë Kreative është institucioni më i ri në varësi të Bashkisë së këtij qyteti, që ka si qëllim kryesor zhvillimin e industrisë, sipërmarrjes dhe ekonomisë krijuese.
Programi i Agjencisë së Industrisë Kreative do të ndikojë në fushën e artit, të filmit, kinemasë, ariktekturës, dizajnit, modës, turizmit, prodhimeve audio vizuale, të rekreacionit dhe të teknologjisë. Agjencia e Industrisë Kreative synon rivitalizimin e kinemave të qytetit, si e famshmja Kinema Agimi, si dhe ngritjen e zyrës së filmit në Tiranë.
Kjo do të realizohet përmes një ekipi tërësisht të krijuar nga vajza dhe djem të rinj, ekspertë të njohur, të ardhur nga fusha të ndryshme, të cilët do të angazhohen për të krijuar strategji, aktivitete, shërbime, trajnime dhe hapësira për sipërmarrje aktive në Tiranë.
Tregu global ka dyfishuar kërkesën për më shumë krijimtari, gjatë viteve të fundit, falë zhvillimit të jashtëzakonshëm të teknologjisë dhe rrjeteve sociale. Përdoruesit dhe përfituesit më të mëdhenj të këtij bumi zhvillimi – thekson Bashkia – mbeten të rinjtë. Ndërsa arti vetiu kërkon praninë, pjesëmarrjen, sa edhe idetë e vazhdimësisë, rrjedhës së gjeneratave… Thënë ndryshe: trashëgimisë, asaj që ne si popull, i ikim kaq shumë së afërmi dhe e kërkojmë vetëm nëpër shekuj përpara, pa e parë në sy kohën që na përket./Konica.al