Nga Sven Aurén/ Ndërsa motorët gjëmojnë dhe rrezet e diellit vallëzojnë në fletën e aeroplanit, nxjerr nga xhepi një letër të vogël, që unë s’arrita ta hap, në hotel në Shkodër. Është një zarf e bardhë, i gjatë, i vulosur në Krujë. Ai mësuesi i vogël i shkollës, i cili festoi disa triumfe në kafen e qytetit malor, është dërguesi i letrës.
Cher monsieur,
Gjatë bashkëqendresës tonë të këndshme në Krujë, pata rastin t´u jepja Juve, një ide të vogël mbi shqiptarët, që kanë mundur të bëheshin të njohur në botë, pas kohës së Skënderbeut. Më vjen keq, që unë njëkohësisht nuk përmenda disa emra të kohës para Heroit tonë të madh Kombëtar, dhe prandaj më lejohet, T’u tërheq vëmendjen për dy personalitete historike, që Ju siç duket, nuk reflektuat nga prejardhja e tyre shqiptare.
Pra përpara është Olimpia, nëna e Aleksandrit të Madh, e cila qe vajza e Mbretit të Epirit dhe rrjedhimisht, prej gjaku shqiptar. Personaliteti tjetër, duhet të ishte Aleksandri i Madh vetë, i cili në të gjitha rrethanat qe “gjys” shqiptari. Por me që i ati i Aleksandrit, Filipi, ishte maqedhon dhe Maqedhonia, kishte një pjesë përbërëse të popullsisë mjaft të madhe shqiptare, atëherë ekziston gjithnjë mundësia, që Aleksandri i Madh, ka qenë shqiptar prej babe dhe nëne. Gjithmonë në shërbim të juaj, përsa i përket historisë së Krujës dhe Shqipërisë, ju lutem të pranoni besën time për ndershmëri dhe respekt.
Lavdi për një mësues të tillë! Nëse ai vazhdon edhe pak, dot të arrijë të monopolizoj, së bashku Adamin dhe Evën, për llogari të Shqipërisë, ashtu sikur Olof Rudbeck, bëri njëherë për Suedinë.
Tani marrim një kthesë. Atje poshtë tashmë dallohen minaret dhe shtëpitë e ulëta, të bardha të Tiranës. Jeta është plot më çudira. Kurrë nuk kam ëndërruar, që të ndodhem në një aeroplan me shpejtësi të vetëtimës dhe të lexoj letër, në lidhje me prejardhjen e Aleksandrit të Madh!
SELIM BABA DHE PESËMBËDHJETË GJELLËT
Këtë herë neve qëndruam vetëm nja dy ditë në Tiranë. Herët një mëngjes, kur gjeli filloi të këndoj, do të thosha nëse nuk do të ndodhte mënyra e çuditshme, se gjelat shqiptarë këndonin gjatë gjithë natës, morëm një veturë me qira dhe zbritëm poshtë në bregdet. Durrësi pothuajse është zgjuar, kur ne ngasim me shpejtësi, drejt skelës për të hyrë në bordin të avullores. Tregtarët e dyqaneve, merreshin me hapjen e kapakëve të dritareve dhe përgatiteshin, për një ditë të re.
Poshtë tek vapori jeta është e njëjtë, sikurse kur neve shkelëm për herë të parë, në tokën shqiptare: karrocierë dhe shoferë të mërzitur, në pritje të pasagjerëve, përfaqësuesit e komitetit të të papunëve të Durrësit, disa hamej, kapiteni i skelës me uniformë shkëlqyese dhe jakë të bardhë, që të verbon, klithje, qeshje, diskutime. Por mjafton për t’u shënuar: kjo lëvizje është përqendruar veç në skele. Avullorja e madhe, qëndron në heshtje vdekjeje me kuvertë të porsa larë dhe me tunxhin llustrarfine. Kur kemi arritur në gjysmën e pasarelës, na del përpara timonieri, për të kërkuar biletat. Në fytyrën e tij të befasuar, qëndron e shkruar qartë: “Padre mio! Po vijnë pasagjerë”!
Puna qëndron kështu, se ky vapor italian hipermodern dhe hiperelegant me motor, ka pesë vaporë, motra, të cilët trafikojnë në detin Adriatik. Të gjashtë vaporët, janë konstruktuar të marrin si pasagjerë, ashtu edhe ngarkesë. Trafiku i pasagjerëve absorbohet kryekëput, nga avulloret jugosllave, të cilat as nuk janë aq elegante dhe të shpejta, sa konkurrentë e tyre italiane, por në këmbim, gëzojnë shumë popullaritet. Shumë bukur të shohësh përpikmërinë, si sahati të këtyre vaporëve motorikë, që lundrojnë Adriatikun, rreth e rreth përsëri, sikur të zbatonin urdhrin e ndonjë miliarderi, i cili donte të ushtronte pajisjen e gjuetisë. Miliarderi është Il Duçe vetë. Kantieri detar në Venedik, nuk shqetësohet nga mungesa e pasagjereve, sepse shteti i subvencionon, kështu që ata jetojnë edhe pa pasagjerë.
Pra kështu shkon puna, neve jemi në rrugë për në jugë të Shqipërisë, kemi një vapor luksoz të tërin vetëm për veten tonë. Neve jemi fare vetëm në sallonet elegante, në sallën e këndshme, në baret e rregullta. Shërbyesit gëzohen për të pasur diçka që të bëjnë, kamerierët përpiqen të garojnë me njëri tjetrin, për shpejtësi dhe mirësjellje. Ka diçka melankolike, mbi këtë vaporin e braktisur. Ai është aq i mirëmbajtur dhe grishës, që njeriu do t’i dëshironte disa pasagjerë më shumë. Por situata në Adriatik edhe njëherë, nuk është në favor të Italisë dhe italianët, s´janë pa faj pse është kështu.
***
Aty nga mbas-dita, rrëshqasim në spirancën e Vlorës.
Aty në Vlorë, ku Ismail Bej Qemali më 1912, proklamoi për herë të parë në historinë botërore, pavarësinë shqiptare. Qe në Vlorë, ku u formua qeveria e parë dhe “akademia” e parë, e cila pa rezultat, u mundua të zgjidhte enigmën e shkrimit të gjuhës shqipe. Po gjithashtu qe në Vlorë, që banorët një natë të errët pas mbarimit të Luftës Botërore, papritmas u mërzitën nga harbutëria e okupacionit të trupave italiane dhe i detyroi si oficerët, ashtu edhe trupat ushtarake, të iknin shpejt për në ishullin e afërt të Sazanit.
Por edhe pse qytetit pra, nuk i mungojnë kujtimet, s´ngjall interes të njëjtë, sikurse qytetet tjera shqiptare. Kjo varet kryesisht mjaft se ambienti, s´është shqiptarë. Si në ndërtim ashtu edhe në mënyrën e të jetuarit, Vlora të jep përshtypje italiane. Natyrisht prapë se prapë s´është ndonjë gabim. Është veç kjo, se një udhëtarë në Shqipëri, para së gjithash do të gjejë atë, që është shqiptare.
Po si do të mundnin banorët e Vlorës, të ndjenin përvojën e ndjenjës së këndshme, për të qenë nënshtetas të pavarur, në një shtet të pavarur? Çdo herë që ata lëshojnë sytë jashtë, drejt portit, detyrohen të reflektojnë mbi karakterin e miqësisë, së komplikuar italiane. Qyteti i bardhë i Vlorës, shtrihet gjatë kurbës së butë, të një gjiu të gjerë. Në grykë të gjiut, shtrihet ishulli Sazan.
Supozo, që Kastelholmi në Stokholm, të ishte nën pronësinë e sovjetëve-rus dhe bateritë e topave të vjetër, të saludimit të zëvendësoheshin, me një palë fortesa ultramoderne, mjaft të forta për ta ruinuar kryeqytetin, me anë të një numri të mirë bataresh drejtuara. Kështu është afërsisht, lidhja midis Sazanit dhe Vlorës, por vetëm me ndryshimin, se situata strategjike e Sazanit, është pafund shumë më e përshtatshme, se e Kastellholmit. Siç janë vendosur bateritë italiane në Sazan, s´ka asnjë pikë si në Vlorë ose në rrethinat e sajë, që nuk mund të shkatërrohet, nga zjarri i fuqishëm. Në kuptimin tekstualisht Vlora, jeton një jetë nën kanosjen e vazhdueshme, nga topat e kalibrit të madh nga Sazani.
Por tani vjen më interesantja e kësaj historie. Sazani nuk është një ishull italian. Po, ai është me të drejtën e të fortit, por jo në kuptimin juridik. Kur Komisioni Ndërkombëtar, në vitin 1913, vendosi kufijtë e Shqipërisë së lirë, nuk u bë asnjë përjashtim për Sazanin. Kur Italia në vitin 1921, nënshkroi traktatin e njohur të Tiranës, ishulli respektohej gjithnjë ende si shqiptarë. Gjendja është thjeshtë kjo, se Italia kurrë nuk është shqetësuar, të largohet nga Sazani, sepse Shqipëria nuk ka pasur ndonjë mundësi, të vinte forcë mbas ankesave të saj të përsëritura.
Italia e ka shndërruar këtë ishull shqiptarë, në fortesën më të fortë në Adriatik dhe me këtë, zotëron hyrjen në detin Adriatik. Midis Vlorës dhe Sazanit, s´ka asnjë mundësi të kalosh. Në anën tjetër, në rast lufte një zinxhir i fortë minash, do të përbëj rrugë-lidhjen, me gadishullin italian. Sazani pra, është i një rëndësie të jashtëzakonshme për Italinë. Më 1921-in, kur qëndrimi miqësor i Anglisë e nxori çështjen e Sazanit në rend të parë, shtypi italian shkaktoi një zhurmë të madhe nga hidhërimi.
‘Corriere d´Italia’ shpjegoi, se nuk kishte asnjë arsye, të diskutohej problemi. “Italia kurrë s´do ta lëshoj këtë ishull, për ekzistencën e sajë të domosdoshme”. ‘La Epoka’ qe me ton edhe më të ashpër: “Çdo përpjekje për të diskutuar të drejtën e pronësisë, do të bëjë që Italia ta konsideroj si veprim jo miqësor”. Diskutimi pushoi gjithashtu shpejt dhe zhvillimi shkoi sipas ëndrrës së linjave të Italisë. Në qetësi dhe rehati, ishulli i shumë vlefshëm i portit të Vlorës, mundi të shndërrohej në Gjibraltarin Adriatik.
Në këtë hije, në Gjibraltarin e Adriatikut, jetojnë 10.000 banorë të Vlorës, jetën e tyre të thjeshtë. Një pjesë e madhe e eksportit shqiptarë, kalon nga kjo skele dhe ofron si punë dhe bukë. Ullishta pyjore ngjyrë kadife jeshile përreth qytetit, është më e madhja e vendit dhe me anë të metodave racionale, të të vjelurit, kanë mundur që për çdo vit, ta rrisin prodhimin e ullirit. Edhe minierat e kripës, kanë një shtrirje të gjerë. Sipas logjikës shqiptare, Vlora është një qytet i pasur. Ndoshta do të kishte qenë edhe më e pasur, në qoftë se zbulimet e naftës, që në vitin 1926, nuk do t´ia kishin tjetërsuar një kompanie italiane.
Pikërisht në këto ditë, Il Duçe, me siguri do të paguante një çmim të lartë, për këtë vajin shqiptar. Tani ai i ka të drejtat, që me kohë dhe s´ka nguruar t´i përdori ato. Por, sepse është një por! – mundësitë nuk janë aq të pa dëgjuara, sikurse shtypi botëror i disa vendeve e paraqitnin. Përkundrazi ato janë modeste. Deri tani inxhinierët italian, nuk kanë arrit ta ngrenë prodhimin më shumë se 200 fuçi, maksimumi, në ditë.
Një shëtitje në rrugët e Vlorës, nuk është aq shumë interesante. Shtëpitë janë të bardha të stilit italian, disa kafe, njerëz më rroba europiane, një shesh me një statujë të dekoruar me lule i ndonjë njeriu të shquar, anëtarë të familjes Vlora. Në përgjithësi asgjë të veçantë, që tërheq dhe magjeps sytë tonë, jo para se me ardh lart, në malin mbi qytet. Ngaqë sikur në nëntëdhjetë e nëntë përqind të qyteteve të Shqipërisë, ngjitet Vlora natyrisht, përpjetë një mali. Dhe natyrisht gjendet edhe një ruin kështjelle romantike, në majë të malit. Në këto dy pikëpamje, Vlora është krejtësisht shqiptare!
Në një karrocë shkundemi ngadalë, përpjetë rrugës rrëpirë. Tashmë ka filluar të ngryset, kur neve kemi arritur në qytezën e vogël të Kaninës, e cila shtrihet menjëherë, nën ruinën e kalasë bizantine. Këtu në Kaninë, është varrosur Ismail Qemal Beu. Nuk është ndonjë vend madhështor prehës, i cili është i denjë, për themeluesin e pavarësisë shqiptare: një kodër dheu, sikur nga një rastësi e vendosur përpara, një muri dhe rrethuar me një gardh telash me gjemba. Por si zëvendësim monumenti dhe mbishkrime të verdha, vizitorët e varrit të Ismail Qemalit, kanë një panoramë, e cila është një mrekulli.
Në rritje e shpejtë të muzgut, ne dalim jashtë në një tarracë, ku del jashtë prej murit të malit, si një ballkon romantik. Xixëllonjat, xixëllojnë si zjarre cigaresh, në atë shpatin përposhtë, mijra llamba të vogla, të cilat ndizen, shuhen dhe ndizen prapë. Shtëpiat aq të bardha të Vlorës, tani kanë marrë bojëra të kuqe. Andej larg nga shkrepat kërcënues të Sazanit, dielli po vazhdon të zhduket, në ujërat e Adriatikut. Neve mundim ta shoqërojmë me sy, se si ajo pllaka shkëndijore, zvarritet poshtë në tallazet dhe befas mua më duket e çuditshme, që nuk fërgohet dhe shkumohet, në këtë ndeshje midis diell dhe det.
Ata brigjet rrëpirë, në veri dhe jugë të Vlorës, paraqiten me një dritë të mbinatyrshme, të mprehtë. Kështu zhduket mbeturina e fundit e këtij rruzullit, të zjarrtë dhe sytë e mi, bëjnë po të njëjtat gabime, ashtu sikurse shumë herë, përpara në perëndime të tjera diellore: mua më duket se pjesa e fundit e pllakës, zbriti jashtëzakonisht shumë më shpejt, se sa pjesa e parë. Vetëtini dhe papritmas u zhduk edhe pse tash për tash, pati edhe një copë hala.
Por këtu është ndryshe nga arkipelagu suedez. Këtu nuk vonon muzgu, më pas dielli ka dhënë lamtumirën. Errësohet me një herë, dhe ne shohim veç disa metra para nesh, kur qëndrojmë në ballkonin tonë. Por mbi ne shohim edhe më shumë! Atje xixëllon qielli me yje i Ballkanit të jugut, me miliona drita dhe lëvere të bardha, të ndritura të Kashtës së Kumtërit. Në qendër të gjysmë hënës së zbehtë, në të verdhë, varet një yll vezullues. Dhe kështu bëra një korrigjim, prej një keqkuptimi të vjetër! Simboli i Turqisë, nuk është një zbulim poetik nga turqit adhurues të bukurisë.
Ne ngasim poshtë, drejt qytetit përsëri, marrim kthesat me kujdes rreth disa gropa granatash, që ende kanë mbetur, që nga koha e Luftës Botërore dhe vijmë në digën e skelës, ku na pret një kaike, për të na çuar në bordin e anijes. Në spirancë ndodhet vapori i jonë luksoz, i vetëm me drita në ventilet dhe fasadën e ndritur të oxhakëve. Ne jemi akoma pasagjerët e vetëm. Stuartët mendojnë të na ftojnë për peshk të nesërmen në mëngjes, kjo është e qartë. Ai ka varë poshtë në sipërfaqe të ujit, dy projektor të fuqishëm dhe peshqit mblidhen në masë, brenda në rrethin e dritës verbuese.
Janë tufa të errëta peshqish të vegjël dhe lubi të trasha, të cilët lëvizin me servilizëm, nëpërmjet lëvizjes së zellshme të bishtave të tyre të mëdhenj. Herë herë hidhet një peshk mbi ujë, vetëtin si një pare argjendi, në dritën e fortë të dritës elektrike, spërkat disa shkëndi, si margaritarë kur ai zhytet prapë. Stuarti duket i kënaqur, ku është ulur dhe fut bukë në grepat që ndrisin.
-Banja është gati, signor! Lajmëron shërbëtori i kabinës. Nga që janë kaq elegantë këta vaporët bregdetar italianë, sa që bile venë banjat në dispozicion të pasagjerëve.
Dhe pikërisht kur unë nisem për të shkuar në banjë, kërcëllin zhurma në zinxhirët dhe avullorja jonë, lundron jashtë gjirit të Vlorës, për të çuar dy pasagjerët e sajë, në portin më të jugut të Shqipërisë, Sarandë dhe në qytetin e ruinës Butrint./ Marrë nga Memorie.al
****
On thee, thou rugged nurse of savage men.
Lord Byron.
Në librin “Orienti i Evropës”, autori i veprës asht suedezi Sven Aurén. Janë përshtypje udhëtimi nga Shqipëria nga mezi i viteve ‘30. Përjetimet e tije direkte pa asnjë retushim.
Me një fjalë përkthimi i librit ka për të sjellë tek lexuesi shqiptar, vlera origjinale njohje të asaj historie që ne nuk e kemi njohur dhe jo pak vazhdojmë, ta njohim dhe tani të deformuar nga interesa të momentit.
Tani pak për atë që ju adreson këta rreshta: Quhem Adil Biçaku. Kam punuar dhe jetoj mbi 50 vjet në Suedi, pa e shkëputur për asnjë moment, mendimin dhe ndjenjën nga Shqipëria jonë.
Tani jam në pension dhe jetoj me gruan dhe fëmijët, këtu në Stokholm. Duke qenë një kohë e gjatë, nga evolucioni i gjuhës shqipe, që natyrshëm, ka ndodhur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, jo të vogla me të cilat do të ndeshem, për t’i dhënë lexuesit shqiptar, përjetimet e origjinalit.
Prandaj do t`ju isha shumë mirënjohës, nëse së bashku do të gjenim një mënyrë praktike bashkëpunimi, për ta përkthyer këtë libër me vlera të shumanshme.
Moralisht do të ndihesha shumë i lehtësuar, duke shlyer një pjesë të borxhit, që kemi të gjithë ne shqiptaret, karshi Shqipërisë sonë, veçanërisht në këto kohë që vazhdojnë të jenë kaq të trazuara.
Me shumë respekt
Adil Biçaku