MENU
klinika

Ja përfaqësuesit e palëve

Zgjedhja e Presidentit të ri, sot takimi i parë “kokë më kokë” mes mazhorancës dhe opozitës

20.04.2022 - 10:19

Zgjedhja e Presidentit të Republikës, ka hapur një seri procesesh paralele me përfaqësues të shumë palëve.

Jo vetëm mazhoranca e opozita, por këtë herë në proces pritet të përfshihen propozimet e shoqërisë civile dhe qytetarëve, që janë ftuar të japin emrin që mendojnë përmes platformave elektronike.

Ashtu siç u paralajmërua një ditë më parë, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka njoftuar se këtë të mërkurë në orën 17:00 do të zhvillohet mbledhja me përfaqësuesit e tre grupeve parlamentare, Fatmir Mediun, Melisa Doda dhe Enkelejd Alibeajn, ndërsa mazhoranca do të përfaqësohet nga Taulant Balla, Damian Gjiknuri dhe Elisa Spiropali.

Ky zhvillim vjen një ditë pasi deputetët socialistë, hodhën tre emrat e propozuar në kuti votimi. Nga ky proces sipas kryeministrit Rama do të merret gama e emrave të propozuar, për të dalë më pas në një të vetëm. Nga ana tjetër, vlen të theksohet se dy orë para mbledhjes mes mazhorancës dhe opozitës do të ketë një mbledhje tjetër mbi këtë çështje, me anëtarët e Shoqërisë Civile.

Pritet sakaq, që gjatë kësaj periudhe, deri më datë 4 maj, ku është caktuar edhe seanca e posaçme plenare në Parlament do të ketë vijimësi konsultimesh nga të gjitha palët. Kërkesa e mazhorancës, edhe e disa prej krerëve të grupeve parlamentare është që Presidenti i ri të jetë mbi palët dhe të përfaqësojë unitetin e popullit.