Ka javë dhe muaj që retoristë të ndryshëm në Partinë Demokratike, të cilët i hapën udhën Berishës drejt kreut, po përdorin termin konservator. Me të gjithë pjesën e inflacionit që përmban ky term tek ne, duket se po aq po ngatërrohet ideologjia e saj por më shumë se të gjitha: premisat që e mundësojnë atë. Ikja e Bashës, si çlirim i vërtetë i PD-së, ka sjellë ngjitjen pas kreut të saj të Berishës, liderit historik dhe realisht njeriut i cili i ka dhënë fizionominë identitare kësaj force në javët e fundit. Që në simbolikë, çdo kush që është anëtar i kësaj force, njësoj si Berisha, përdor kudo simbolin klasik V, përdorur për herë të parë dhe vazhdimisht gjatë Luftës së Dytë Botërore me anë të së cilës nënkuptohej ‘Fitorja’ nga kryeministri britanik Winston Churchill. Sot, ajo përdoret shpesh në Shqipëri dhe në çdo fushë ku ndodhet ose kontribuon ndonjë anëtar i PD-së, teksa në shprehjen e kësaj force politike evokohen ag-vitet ’90 kur nëpërmjet PD-së u kanalizua çdo përfytyrim i asokohshëm për lirinë. Fatkeqësisht, lirinë e braktisi shpejt dhe emisarët e saj ndër vite do të ishin nga më pasunarët e Shqipërisë, kurse shqiptarëve do t’u linin një faturë të dhimbshme me pronat, katrahurën e ’97, viktimat sociale dhe kështu me radhë. Në fakt, historia jonë politike ka vite që po i kërkon jo thjesht për të bërë opozitën e vërtetë shqiptare, falë numrave që posedojnë por edhe të shpalosin idetë e kohës. Për fatin e keq, idetë ose më saktë shprehjet e kësaj force politike janë shumë më të vagullta se më parë, kurse risia që kanë sjellë deri më tani është e mangët. Retorika e ngulfatur nga “tezat” e Berishës, bindja e “Rithemelimit”, amullia e grupit legal të PD-së dhe humbja e bazës prej tyre ka treguar se mbështetja e Partive të Djathta evropiane nuk ka mjaftuar, qoftë edhe me risitë sepse janë mbjellë në një tokë ideologjike pothuaj pa kushte për të mos thënë e tharë. Në të gjithë takimet në kuadër të “Foltores” dhe tani për kandidaturën e kryetarit, Berisha ka shpalosur më shumë vizionin e tij për rikthimin personal dhe justifikimin anti-nongrata duke luajtur me termat që duket nuk i konfuzon thjesht me vetëdije por më shumë prej aftësisë së manipulimit që i bën një turme, që mund të votojë dhe të bëjë gjithçka, që ai kërkon. Njësoj po ndodh tashmë dhe me fushatën e tij për kryetar por që kuptohet ashtu si Basha, duke i lënë fare pak hapësirë kundërshtarit të vet, i cili s’ka as edhe një mundësi të vetme të konkurrojë përballë. Nga ana tjetër, Berisha, duke identifikuar një marrëdhënie më të mirë të tij me krahun e republikanëve amerikanë ka dashur të vetë-identifikohet me të gjithë problematikat që këta të fundit shpalosin kundër presidentit aktual Biden. Në retorikën e tij, Berisha e ka salduar tashmë konservatorizmin, që është një “ndihmesë” e madhe sidomos në vendet e vërteta me këtë ideologji kundër dështimeve të globalizmit dhe liberalizmit. Kjo, në fakt, shkon deridiku edhe me perceptimin e publikut për truallin ku forca konservatore deri ekstreme po mundohen të jenë protagoniste në një botë, e cila po ndryshon frikshëm. Dhe, jo thjesht globalizmi po gjen armiq të tollovitur dhe në Shqipërinë e vogël, por po anatemohet hapur liberalizmi dhe të gjitha gjërat që lidhen me të. Çuditërisht kjo ideologji e stisur tek ne nuk flet shumë për tradicionalizmin bazë nga ku ushqehet konservatorizmi, pasi historia politike e vendit tonë është relativisht e kufizuar, e lokalizuar më së shumti pas viteve ’90, teksa dy partitë themelore të viteve ’20 të shekullit të shkuar, as nuk arritën formësimin e një identiteti ideologjik. Nga ana tjetër, një qasje reale me tradicionalizmin, që do të ishte perceptimi dhe roli i duhur i monarkisë pothuaj është i pamundur me kushtet e vendit dhe trashëgiminë e saj. Pak forca të tilla politike të Djathta që mund ta artikulonin atë në mjedisin politik shqiptar as arrijnë ta kuptojnë qoftë edhe në termat më të thjeshtë.
Tashmë tregu “ i ideve” të saj është i zënë nga Berisha, kurse publiku shqiptar i PD-së, që mbështet Berishën, është i kënaqur me gosip-et, që ai t’i jep free dhe sensin e çlirët të nëpërkëmbjes të kundërshtarëve në partinë e vet dhe jashtë saj.
Jashtë qerthullit tonë, përkrahësit e tradicionalizmit po i japin trajta të ndryshme kësaj kategorie, ndërsa të shumë janë politikanët që sot e ngacmojnë republikanizmin dhe demokracinë liberale…, për të cilat shumë studiues kanë mendimin se: duhet të rikonceptohen në themel. Por në arealin tonë të ngushtë politik, Berisha tashmë pas ikjes së Bashës ka gjetur si objekt Ramën, kurse çuditërisht e ka mbushur median me tema dhe me abstragime, që Basha as nuk mund ti mendonte me kufizimet e tij. Kjo është një nga arritjet e veta. Basha arriti të mbronte pa sukses idenë e një Republike të re dhe Berisha nuk bëzante, fakt që do të thoshte se ishte i mirënjohur. Tashmë për t’u shkëputur kërkon një ideologji, që kalon jo vetëm PD-në por edhe atë vetë. Asokohe, kur Berisha ende s’ishte non-grata, fijet e tij i lëvizte qetësisht përmes z.Basha. Pasi mori këtë goditje aspak të vogël nga DASH-i për korrupsion, sëbashku me familjen e tij, paradoksalisht tashmë luan me tezën e Konservatorizmit, një tezë me anë të së cilës mëtohet të kthehen vlerat e familjes por edhe ikjen nga e keqja e madhe Rama, që sipas tij ka prishur gjithçka në vend! A është kjo prirja e re e PD-së së sotme dhe realisht çfarë do të mbrojnë si kauzë në të ardhmen (nëse do të ligjërohet realisht nga gjykatat), sa i përket tezave konservatore të tradicionalizmit? Përveç Dashamir Shehit me një vokacion që i afrohet të Djathtës së traditës dhe që di ta mbrojë idenë e tij, liderët e tjerë humbasin në gjëra sipërfaqësore dhe përfundime të nxjerra nga lexime aty për aty…E, nuk ndodh vetëm tek ne. Huntington, duke parë këtë konfuzion të së Djathtës në botë sa i përket konservatorizimit, që në një farë mënyrë duket hapur si një krizë idesh e përcakton në këtë mënyrë situatën: si rrymë për mbrojtjen e institucioneve ekzistuese kur ato gjenden të rrezikuara…Për fat të keq, në këtë kohë shfaqja dhe prirjet konfuze të së Djathtës, sidomos në Evropën Qendrore kanë bërë të mendohet se e ardhmja do të jetë sërish shumë e konfuzuar. Shqipëria është një vazhdë e kësaj gjendje dhe këtë po e ndjejmë me mungesën totale të ideve të PD-së në opozitë dhe sidomos humbjen në teza po kaq konfuze. Më keq akoma, humbja e meritokracisë në të gjithë sistemin e administratës së vendit tonë, por edhe në vetë mungesën e demokracisë së brendshëm të partive politike, ashtu si edhe ngritja e kinse-elitave, që kuptohet se nuk mund të abstragojnë në këtë konfuzion, ka bërë të mos dallohet realisht sesa hov po marrin deklaratat, format e ndryshme nacionaliste, ideologjitë e vjetra, paketuar ndryshe dhe mbi të gjitha një vetëdije dhe artikulime në vend, si ky yni për rikthimin e …sovranitetit të munguar. Në aspektin kulturor-sociologjik po flitet gjithnjë e më shumë për rikthimin… e identitetit. Rezultati, teksa politikanët kanë ngritur fabula deri absurde…qytetarët e vendeve të varfra në këtë kuadër të tollovisë ideologjike por edhe gjoja nacionalizmit etnik, e kanë gjetur zgjidhjen duke ikur. Vetë, shqiptarët po ikin pa u ndalur … Liberalizimi tashmë fut ujë nga të gjitha anët dhe mitizimi publik i tij na ka treguar se ai është vetë problemi në shoqëri e sidomos në vende me këtë formim të mangët demokratik si yni, ku mbetemi te palëvizur tek e ashtuquajtura demokraci hibride, vend ku personazhe si Sali Berisha notojnë të qetë dhe falë sensit të instinktit po i japin publikut të tyre gjëra, të cilat do t’i dëgjojë. Ende në skenën politike opozitare flitet për komunizmin por jo për idetë e ndryshimit. Dhe, çfarë po ndodh realisht: i gjithë ky zhvillim po mban dhe sjell një elitë që i bën ligjet për vete dhe me gjyqësorin që e tregon hapur kulturën e pandëshkueshmërisë dhe nga ana tjetër prej njerëzve që luftojnë për përditmërinë… Me pak fjalë, diferenca e fjalëve me veprat është e madhe, pasi e tillë është edhe retorika e politikës. Për fat të keq, e Djathta jonë tashmë është në dorë të Berishës që në jetën e tij ka bërë një kalim pindarik nga PPSH-ja tek PD-ja e të Djathtave evropiane për të kërkuar strehë tashmë tek …Konservatorët. Kuptohet pa pyetur askënd. Tek e fundit, ai është partia, ai është ideologjia, ai është kujtesa dhe e sotmja. Ku ta dish mbase dhe e nesërmja e PD-së.
Pak kohë më parë, historiani i njohur Pëllumb Xhufi do sillte këtë episod historik, që lidhet me shtetarin e njohur italian me origjinë arbëreshe, Crispi dhe kontin Andrassi lidhur me këtë koncept: “Ju, zotëri, po më flisni për politika konservatore, e pra antipopullore. Prandaj pyes: ku ka përfunduar revolucionari, që unë kam njohur dikur tek personi juaj”? Në kujtimet e tij, Crispi mburret se i dha një përgjigje “të merituar” kontit Andrassi: “Unë isha revolucionar për sa kohë luftohej për ta bërë Italinë. Tani Italia u bë, dhe unë punoj për ta konservuar (ruajtur) atë: ja pra pse jam kthyer në një konservator”.
Kësaj radhe, konti austro-hungarez, pronar i madh në Hungari, ia preu thartë t’birit të famullitarit të varfër italo-shqiptar: “Zotëri, konservator lind, nuk bëhesh”. Kjo është përgjigja më e mirë për Berishën, por edhe një kujtesë për PD-në, që tashmë e ka harruar se ideologjia nuk ndryshohet me fjalë por me histori dhe vitet mbi shpinë. Një zhvillim, që nuk shkon me Berishën dhe identitetin e PD-së së tij në vitin 2022. (Homo Albanicus)