Policia e Lezhës ka bërë me dije se në kuadër të operacioneve për kapjen e personave të shpallur në kërkim, është kryer arrestimi i tre personave.
Prej tyre, 1 shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të autoriteteve ligjzbatuese të Spanjës, ndërsa 2 të tjerët të shpallur në kërkim kombëtar.
Personat e vënë në pranga janë:
Alfred Prodani, 41 vjeç, banues në Kurbin, drejtor i ujësjellësit të Kurbinit. Ky shtetas, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Coruna/Spanjë, në vitin 2013, ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës.
Gjulio Vokrri, 24 vjeç, banues në fshatin Manati, Lezhë, i shpallur në kërkim kombëtar.
Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Ky shtetas, në shtator të vitit 2021, në fshatin Manati, Lezhë, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin P. B.
Florin Deda, 33 vjeç, banues në Lezhë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim policor, për veprat penale “Përndjekja” “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, pasi dyshohet se ka përndjekur një shtetase. Gjithashtu, pas kontrollit të ushtruar në banesën e tij, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, disa doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.