Tri fitore radhazi për Arsenal, e fundit 1-2 në derbi me West Ham dhe rimerr kështu vendin e katërt, që do të thotë rikthim në zonën Champions pas 2 vitesh mungese. Katër javë nga fundi, Arsenal ka shumë shanse.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 38-të, kur Holding do të shënonte golin e parë për ekipin e “The Gunners”, teksa në minutën e 45’ “Hammers” barazuan me Bowen, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej me barazimin 1-1.
Në pjesën e dytë Arsenal mundi që të siguronte fitoren pas vetëm 9 minutave nga fillimi i këtij fraksioni. Ishte Gabriel ai që shënoi golin e dytë për “The Gunners” dhe vulosi rezultatin e kësaj sfide.
Pas ndeshjes së raundit të 35-të të Premier League, Arsenal ngjitet në vend të katërt në kuotën e 63 pikëve, dy më shumë se Tottenham i vendit të pestë, teksa West Ham qëndron në vend të shtatë me 52 pikë të grumbulluara.