MENU
klinika

Ja kush ishte në shënjestër!

Atentat në Lezhë! Breshëri automatiku drejt makinës luksoze

14.05.2022 - 21:32

Një 28-vjeçar nga Miloti, i identifikuar si Blerim Preçi ka rënë pre e një atentati mbrëmjen e kësaj të shtune, por fatmirësisht ka mundur që t’i shpëtojë breshërisë së automatikut. Ngjarja është regjistruar rreth orës 20:05 në Ishull Lezhë, ku i riu ka qenë duke udhëtuar së bashkë me kushëririn e tij, Klisman Preçi në mjetin Mercedes Benz tip ‘ML’, teksa persona të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri automatiku.

Mësohet se kanë qenë të paktën 2 autorë, njëri prej tyre ka zbritur nga makina dhe e ka qëlluar me automatikë, ku mësohet se asnjë nga plumbat nuk e kanë prekur shënjestrën dhe as kushëririn e tij me të cilën po udhëtonte. Si pasojë e të shtënave me armë, mjeti tip ‘ML’ në të cilën po udhëtonte i riu nga Miloti ka dalë nga rruga.

Nga informacionet paraprake, 28-vjeçari kishte pak ditë që ishte kthyer nga Belgjika dhe një nga pistat kryesore në të cilën po heton policia është pikërisht e shkuara e tij dhe aktiviteti i tij jashtë vendit. Policia ka ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve, për të cilët nga sa mësohet janë larguar me shpejtësi në drejtim të Laçit.

Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje me qëllim administrimin e çdo prove e të dhëne, për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij atentati.