MENU
klinika

Todd Walters vizitë lamtumire në Mal të Zi

“Ballkani duhet të mbetet në qendër të vëmendjes së NATO”

26.05.2022 - 09:39

Komandanti i përgjithshëm i NATO-s në Evropë, Todd Walters ishte të mërkurën në Podgoricë në një vizitë lamtumire në Mal të Zi në përfundim të detyrës ku u prit nga presidenti malazez, Milo Gjukanoviç dhe nga ministri i Mbrojtjes, Rashko Konjeviç.

Zyra e presidentit bëri të ditur se zoti Gjukanoviç falënderoi gjeneralin Walters për “angazhimin e tij për të bashkëpunuar me Malin e Zi duke kontribuar në mirëqenien pas pesë vitesh anëtarësim në NATO”, thuhet në njoftim.

“Në kontekstin e përkeqësimit të situatës së sigurisë në Evropë të shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës, Mali i Zi mbështeti aktivitetet e NATO-s që ndaluan agresionin e mëtejshëm duke zbatuar një strategji parandaluese dhe mbrojtëse, “ tha presidenti malazez Milo Gjukanoviç.

Komandanti i forcave amerikane në Evropë, Todd Walters, vlerësoi se Ballkani Perëndimor duhet të mbetet në qendër të vëmendjes së NATO-s dhe BE-së.

“Jemi të vetëdijshëm për ndikimet e ndryshme në Ballkanin Perëndimor, por ky rajon duhet të mbetet në qendër të vëmendjes si të NATO-s ashtu edhe BE-së,” tha Walters. Zoti Walters, vuri në dukje, se “Mali i Zi mund të jetë krenar për pesë vitet e fundit dhe arritjet e trupave ushtarake malazeze në misionet në Afganistan, Kosovë, Letoni dhe Irak”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidencës së Malit të Zi. /VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kurti: Së shpejti dialogu Prishtinë-Beograd

“Dua që Shqipëria ta shohë Serbinë me sytë e Kosovës”