Napolit i ka mjaftuar vetëm një gol për të triumfuar në Torino, duke marrë maksimumin. Të kaltrit blindojnë vendin e tretë në Serie A, por për titullin do të duhej mrekulli.
Napoli ka blinduar vendin e tretë në kampionatin italian të futbollit pas fitores së vuajtur 1-0 të marrë në javën e 36-të në fushën e Torino-s. Një nga protagonistët e ndeshjes ka qenë portier shqiptar Etrit Berisha, i cili i ka mohuar një gol të sigurt miqve në minutën e 61-të të pjesës së dytë.
Skuadra e Luciano Spalletti-t ka fituar një penallti dhe te pika e bardhë është paraqitur Lorenzo Insigne. Ekzekutimi i yllit të Napoli-t ka qenë shumë i mirë, por pritja e yllit kuqezi ka qenë akoma më e mirë. Gjithsesi, vendasit nuk kanë arritur të shmangin humbjen.
Episodi që ka vendosur sfidën ka ardhur në minutën e 73-të falë një goli të Fabian Ruiz. Mesfushori spanjoll ka realizuar pas një aksioni të bukur individual, i ndihmuar edhe nga nj devijim i Djidji, duke treguar pse është një nga lojtarët më të kërkuar në merkato.