Paraqitja e platformës për zgjedhjen e një Presidenti apolitik nga ana e kreut të Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, është duke hasur në zëra kundër në spektrin e djathtë.
Pas refuzimit të hapur që i bënë aleatët Fatmir Mediu dhe Shpëtim Idrizi, kriteret e paraqitura në emër të grupit parlamentar i ka kritikuar në një postim në Facebook edhe deputeti Luçiano Boçi.
“Kjo e folura dhe paraqitja e vendimeve personale në emër të Grupit parlamentar të PD-së përpos që është qesharake, mbetet një hile bajate, për të marrë atribute të paqena dhe për të mbajtur gjallë një përçarje që dihet se kujt i shërben”, shprehet Boçi.
Sipas Boçit, “Grupi Parlamentar i PD nuk ka miratuar asnjë dokument kriteresh apo procedure për zgjedhjen e Presidentit, siç e paraqet Alibeaj”
“Nuk ka pasur as vendim të Kryesisë grupit parlamentar, as mbledhje të grupit, as takim me kuorum për ta quajtur mbledhje grupi dhe as dakortësi në takimet pa kuorum. Ky lloj keqpërdorimi i sinqeritetit dhe dëshirës së deputetëve të PD-së për të negociuar dhe propozuar Presidentin duhet të marrë fund”, thekson ai.
Ndërkohë në vijim, deputeti i PD thekson se kjo selia blu ka organet e saj vendimmarrëse dhe ka miratuar rezolutën për zgjedhjen e Presidentit në Këshillin Kombëtar, që u zhvillua vetëm pak ditë më parë.
Ai madje e akuzon kolegun e tij Alibeaj se është duke dërguar ujë në mullirin e qeverisë, pasi tenton të paraqesë në sytë e publikut një opozitë false sipas dëshirës së kryeministrit Rama.
“Grupi parlamentar është i unifikuar në idenë që është opozita ajo që duhet të propozojë.
Çdo përpjekje e Alibeajt për të paraqitur një opozitë false të emëruar nga Rama-Balla për të shpëtuar faqen e Ramës faqe botës, nuk pranohet. Ne do të vazhdojmë misionin e PD-së për të përafruar qëndrimet për procesin dhe emrin me të gjithë partitë opozitare në nivel politik e parlamentar”, shkruan Boçi në postimin e tij.