Nuk është mbushur ende viti nga Olimpiada e fundit “Tokio 2020” dhe kur duhen 2 vite nga eventi i ardhshëm olimpik, “Paris 2024”, kanë nisur polemikat e para.
Presidenti i sapozgjedhur francez Emmanuel Macron nuk heq dorë nga ideja e tij për të organizuar ceremoninë e hapjes jashtë stadiumit olimpik. Ai synon të zhvillojë parakalimin e shteteve pjesëmarrëse përmes lumit Sena, nga Kulla Eiffel deri në zonën e Trocadero.
Delegacionet do të parakalojnë në një zonë të gjerë dhe për policinë pariziene kjo është e pamundur të organizohet. Sipas saj, mbulimi i një zone kaq të madhe është i vështirë për policinë.
Ministria e Brendshme Franceze mendon se kjo është një sfidë e madhe për të, si nga ana logjistike ashtu dhe financiare, duke nisur kështu një përplasje me presidentin Macron për këtë ide. Pritet që këtë javë të zhvillohet një takim mes presidencës, Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë së Parisit për të diskutuar këtë çështje.