Kishin ardhur për të kaluar disa ditë pushime, por ky udhëtim për çiftin Valdemar dhe Marta Makovski u kthye në një tragjedi.
Çifti i turistëve nga Polonia humbën jetën në një aksident tragjik të ndodhur në aksin Shkodër-Tiranë në afërsi të fshatit Shkjezë, në zonën e Bushatit. Viktimat, 47 dhe 42 vjeçe, po udhëtonin me një motor në drejtim të Tiranës, kur papritur janë përplasur me automjetin tip “GOLF 5” të drejtuar nga shtetasi David Gjonaj nga Puka, 27 vjeç, i cili kishte marrë me qira automjetin me të cilën aksidentoi çiftin polak.
Dy turistët mësohet se nga përplasja e fortë kanë humbur jetën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe pas pak minutash janë transportuar drejt morgut të Spitalit Rajonal të Shkodrës për të bërë ekzaminimet e mëtejshme. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e Policisë, shërbimet rrugore dhe grupi i ekspertëve duke nisur hetimet për aksidentin e rëndë që u mori jetën dy turistëve nga Polonia.
EKSPERTIZA
Nga hetimet paraprake mësohet se ky aksident ka ardhur si shkak i mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugor. Ndërkohë, pas përplasjes së fortë me dy viktima, efektivët kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Shkodër drejtuesin e automjetit tip “GOLF 5”, shtetasin David Gjonaj.
Policia Vendore e Shkodrës bën të ditur se pas testit ka rezultuar se drejtuesi i automjetit nuk ka konsumuar alkool, gjithsesi vijon të jetë në mjediset e Policisë së Shkodrës deri në sqarimin e plotë të rrethanave.
Po ashtu, Policia po heton për zbardhjen e plotë të këtij aksidenti të rëndë që i mori jetën çiftit nga Polonia.
Ndërkohë, në vendngjarje grupi hetimor ka gjetur edhe një kamera “go pro” që kanë pasur dy viktimat të instaluar në motorin e tyre, me të cilin po udhëtonin dhe kamera është sekuestruar nga Policia, pamjet e së cilës do të shihen për të mësuar më shumë mbi dinamikën e këtij aksidenti tragjik.
Nga dyshimet, drejtuesi i automjetit tip “Golf”, David Gjonaj, ka dashur që të presë rrugën kryesore për t’u futur në një karburant në anë të rrugës, me qëllim për t’u furnizuar, por në atë moment ka ardhur motori i dy turistëve, duke u përplasur me makinën.
Drejtuesi i motorit Valdemar Makovski është munduar që të frenojë, por nuk ka pasur kohë duke u përplasur me mjetin dhe duke përfunduar disa metra në ajër e më pas në tokë, përplasje e cila i mori jetën në moment 47- vjeçarit dhe bashkëshortes së tij.
Rruga Shkodër-Tiranë vijon të mbetet një prej akseve problematike sa u përket aksidenteve rrugore, ku shumica ndodhin si shkak i mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugor.
Po ashtu, hyrjet dhe daljet e panumërta në këtë aks, qoftë si shkak i subjekteve në dyja anët e rrugës, por edhe duke qenë se është një zonë e banuar në shumë pjesë të saj, janë po ashtu një burim i pastër aksidentesh.