Dedë Planaj ka mohuar të ketë konflikte me persona të tjerë. 60-vjeçari i cili i shpëtoi ditën e djeshme një atentati në Dobraç të Shkodrës, ka deklaruar se ngjarja ndodhi në momentin që ai ishte në punë. I moshuari tregoi se në drejtim të tij erdhi një motoçikletë me një person që kishte kaskë të zezë. Duke u shprehur para grupit hetimor se nuk mundi të shikonte se kush ishte autori, Planaj tha se nuk di arsyen se përse dikush do që ta eleminojë.
“Po qëndroja ulur tek puna në karburant, si gjithmonë. Në një moment erdhi një motoçiketë, drejtuesi i saj ishte me kaskë të zezë. Zbriti dhe u afrua drejt meje dhe më qëlloi. Nuk ia pash dot fytyrën, nuk e di kush ishte. Unë personalisht nuk kam konflikte dhe nuk e di kush mund të jetë dhe as arsyen”, u tha Dedë Planaj hetuesve.